Nuk ka kundërshtim fakti se vera e mirë kushton, por 40,000 dollarë për një shishe duket një shifër e majme. Sidoqoftë, prodhuesit hungarezë të verës Royal Tokaji, thonë se koleksioni i tyre i limituar ia vlen 100%.
Essencia 2008 është vera më e shtrenjtë e hedhur në shitje për vitin 2019. Deri tani, janë shitur 11 shishe, çka do të thotë se shiten edhe shtatë shishet e mbetura të Royal Tokaji, përpara datës së skadimit, më 2300-n.
Por çfarë e bën kaq të shtrenjtë?
Essencia prodhohet në rajonin Tokaj në Hungari, i vendosur në veri-perëndim të Budapestit, i cili shërben si destinacion ditor për udhëtarët që vizitojnë qytetin.
Për prodhimin e Essencia-s përdoren vetëm lëngu i rrushit të zi. “Essencia në vetvete është një mrekulli e natyrës“, tha për CNN Orsi Szentkiralyi, një profesionist i verës hungareze me bazë në Londër. “Është rezultat i një pune intensive dhe kërkon shumë vite punë dhe kujdes në bodrum.”
Vera përmban alkool, por ka një ëmbëlsi natyrale. “Ka një ëmbëlsi natyrale dhe mund të shërbehet vetëm në një lugë në vend të një gote”, shtoi ai.
Essencia mund të prodhohet vetëm në vite të caktuara, në varësi të kushteve atmosferike. Prandaj edhe viti 2008 qe një vit mbresëlënës për prodhimin e verës.
“Gjithmonë e vendos prodhuesi kohën e shitjes së verës”, shpjegoi Zoltan Kovacs, menaxher i përgjithshëm në verërat Royal Tokaji. “Mund të jetë pas tre, katër vjetësh, apo edhe 10. Essencia u shit pas tetë vitesh pjekurie. Është një Essencia paksa e pazakontë sepse ka rreth 4% alkool.”
Vera më e shtrenjtë në botë ka një aromë të veçantë dhe jashtëzakonisht të fortë dhe një ëmbëlsi që mund të bëhet e padurueshme nëse konsumohet në sasi të larta. Shija vjen si një ndërthurje e mjaltit, kajsisë dhe çajit.
Charlie Mount, drejtor në Royal Tokali, shton se vera e tyre ishte e njohur që në fillim të shekullit XX. “Mjekët ua përshkruanin atë pacientëve. Nëse do të ishin me fat që ta përballonin një blerje të tillë, një lugë çaji në mëngjes dhe në darkë kishte përfitime të mëdha shëndetësore.”
Sipas tij, Papa Piu X e mbante në dhomën e gjumit dhe konsumonte një lugë çaji Essencia në mëngjes dhe darkë.
Referenca më e famshme e Essencia-s është përmendja te “Dracula” e Bram Stoker, në të cilën personazhit Jonathan Harker i serviret një shishe Tokaji në natën e parë në kështjellën e Dracula-s.
Edhe pse verërat shiten më shtrenjtë në varësi të vjetërsisë, Essencia ka vitin 2300 si datë të përafërt skadimi për shkak të nivelit të lartë të sheqerit dhe aciditetit.