Në Vienë është mbajtur ceremonia e marrjes së kryesimit nga Shqipëria të Presidencës së OSBE-së.
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni, listoi prioritetet e Shqipërisë gjatë kryesimit të Presidencës së OSBE.
“Pa OSBE gjithçka që ne dëgjojmë do të ishin më shumë probleme për t’u zgjidhur. Di sot përgjegjësinë e jashtëzakonshme që të jap diçka mbrapsht për organizatën tonë, pasi OSBE i ka dhënë kaq shumë Shqipërisë për kaq shumë vjet. Ndërkohë që Evropa shenjohet nga konfliktet, puna jonë në një organizatë kaq unike është e nevojshme edhe më shumë. Paqja dhe demokracia duhet të jenë objektivat tona të përbashkëta për organizatën dhe këtë këshill të nderuar. Respektimi i sovranitetit, integritetit territorial dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut mbeten ende sot një recetë e thjeshtë dhe efektive”.
Rama përmendi edhe dy prioritetet e para ku Presidenca Shqiptare e OSBE do të fokusohet në punën e saj.
“Negociata e parë është miratimi i një buxheti të unifikuar. Koj është diçka që shkakton dhimbje koke por ne besojmë që propozimi aktual është realist. Protokolli më kërkon që t’ju bëj thirrje të angazhoheni në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne të gjithë kemi një rol të barabartë në funksionimim e OSBE. Pra nuk e shoh miratimin e buxhetit si një fitore të kryesisë shqiptare. Është detyra jonë kolektive drejt mbi 2800 pjesëtarëve të personelit të OSBE të cilët u shërbejnë mbi 1 miliard qytetarëve. Ndërkohë që flasim për buxhetin, duhet të mendojmë për ta, për familjet e tyre, për nevojat e tyre të cilat janë kaq shumë të rëndësishme.
Negociata e dytë është sigurimi i udhëheqjes së strukturës së OSBE përtej 2020. Do të nisim një proces konsultimi në Vienë. Do të jemi të hapur dhe transparent. Synimi i nënkuptuar është të mbajmë dialogun të hapur edhe kur të gjitha shanset janë kundër saj. Jam këtu duke marrë përsipër këtë përgjegjësi me shumë përulësi, presim me padurim që të bëjmë më të mirën duke mos pretenduar që të bëjmë më shumë se sa më të mirën”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.