Atmosfera melankolike, rustikale dhe peisazhe të pafundme. Rijeka në Kroaci dhe Galway në Irlandë mbajnë në vitin 2020 titullin e “kryeqytetit evropian të kulturës”.
Ndërsa në kryeqytetin kulturor të këtij viti, Plovdiv tabelat e informacionit dhe banderolat e reklamave po largohen gradualisht nga peizazhi i qytetit, Rijeka në Kroaci dhe Galway në Irlandë janë në fillesat e tyre. Deri tani për turistët nuk ia ka vlejtur të ndaleshin në Rijekë – shumica vetëm kalonin rrëmbimthi rrugës për në Opati dhe qytete të tjera tipike piktoreske të Adriatikut. Sepse Rijeka nuk ka plazh tërheqës me shezlongje dhe çadra shumëngjyrëshe. Por qyteti nuk ka nevojë për to, sepse sharmi i tij qëndron diku tjetër.
Rijeka është një pikëtakimi mes Evropës Qendrore dhe Juglindore. Qyteti port me fortesat mesjetare, pallatet madhështore nga koha e Habsburgëve, tregjet në stilin Art Nouveau, piacat italiane, ndërtesat e parafabrikuara socialiste dhe fabrikat e braktisura, që duan të ringjallen përsëri – e kujt i duhet këtu plazhi?
Rijeka: Dëshmitare e epokave
Deri në Luftën e Parë Botërore Rijeka i përkiste Monarkisë Austro-Hungareze, nga viti 1924 deri më 1945 pjesa më e madhe e qytetit ishte nën sundimin italian. Pasoi shteti multietnik i Jugosllavisë, në të cilin Rijeka u shndërrua në një qytet model socialist me kantiere, rafineri dhe fabrika. Popullsia u rrit nga 25.000 në 200.000 banorë. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë shumë industri u mbyllën, fabrikat u shndërruan në ambiente apokaliptike. Shumë njerëz mbetën pa punë, ajo që mbeti ishte sektori i shërbimeve dhe migracioni. Sot në Rijeka jetojnë ende 130.000 vetë.
Ta shndërrosh të vjetrën në të re
Rijeka ka marrë gjithsej 40 milion euro nga fondet e BE për vitin e ardhshëm. Por ndryshe nga kryeqytetet e tjera kulturore qyteti në gjirin e Kvarnerit nuk do të ndërtojë godina të reja. Rijeka e ka ruajtur të vjetrën dhe e kthen atë në të re. “Ndërtesat industriale të braktisura janë pjesë e identitetit të qytetit, ato kanë vlerë narrative, për këtë arsye kemi vendosur të mos i rrëzojmë ato, por t’i ridizajnojmë”, thotë Irena Kregar Shegota, shefe e komunikimit për “Rijeka 2020”.
Si për shembull ish fabrikën “Rikard Bençiq” në Rrugën Kreshimirova në Rijekë: në arealin e braktisur prej 27.000 metrash katrorë do të gjejnë tani strehë katër institucione të reja kulturore.
Edhe anija “Galeb” (në shqip “pulëbardha”), dikur anije ushtarake dhe mallrash, më vonë jahti i Titos, do të shndërrohet në muze. Projekti i qytetit është pritur mirë nga turistët, por jo nga disa banorë. “Disa e identifikojnë këtë anije vetëm me Titon dhe Jugosllavinë dhe janë skeptikë se si do të portretizohet ky kapitull i historisë sonë, por qëllimi ynë është të tregojmë tërë historinë e anijes, e cila filloi shumë kohë para Titos dhe është shumë interesante. Dhe përveç kësaj ne besojmë se anija si muze mund të ishte një atraksion i preferuar turistik dhe për këtë arsye një burim i mirë të ardhurash për qytetin”, thotë Irena Kregar Shegota.
E hapur, tolerante dhe multikulturore
Skena e gjallë kulturore e Rijekës tërheq shumë profesionistë të lirë dhe njerëz që e duan lirinë. Rijeka gjithmonë ka qenë dinamike dhe përparimtare. Ajo është vendlindja e muzikës punk në Kroaci me grupet muzikore si “Paraf” dhe grupin e parë të muzikës rok në ish-Jugosllavi, “Uragani”.
“Porti i diversitetit” është motoja, që i ka dhënë vetes Rijeka. Porti është porta drejt botës përmes së cilës kanë ardhur shumë kombësi, kultura dhe fe. Ata e bëjnë Rijekën një qytet shumë të veçantë. Ndryshe nga Kroacia shumë konservatore, Rijeka është më tolerante, më e hapur, më e lirë. Festivali i LTGB “Smoqua” zhvillohet këtu – pa incidente. Nuk është kështu në pjesët e tjera të vendit, ku forcat e krahut të djathtë po rimarrin hov. “Rijeka është një qytet tolerant, që jo vetëm i pranon dallimet, por edhe i jeton ato. Ne jemi gjithashtu qyteti i parë në Kroaci, i cili është pjesë e rrjetit të Këshillit të Evropës “intercultural cities”, “qytetet ndërkulturore “. Kjo është arsyeja pse kemi zgjedhur moton “porti i diversitetit”. Këtë moto ne e shtrojmë si pyetje për Evropën: Sa është e gatshme Evropa të pranojë dallimet?”, pyet Irena Kregar Shegota.
Galway: “Si Barcelona, vetëm në shi”
Një rrugë fshati në plan të parë, në sfond male dhe një cjap, që shikon i çuditur në kamera. Kështu prezantohet qyteti Galway në internet. Naturë e pastër. Për kulturën duhet të shkosh pak më poshtë. Dhe atëherë sheh muzikë, valle, letërsi, poezi. Ka diçka për secilin.
Qyteti i vogël universitar me gati 80.000 banorë ndodhet në bregdetin perëndimor të Irlandës, në fund të Evropës, me pamje nga Oqeani Atlantik. “Amerika është ndalesa tjetër”, thotë drejtoresha kreative Helen Marriage gjatë prezantimit të programit kulturor. Galway konsiderohet bastioni i muzikës tradicionale irlandeze: muzikantë në rrugë luajnë në çdo cep – pavarësisht motit të keq. “Galway është si Barcelona me shi, sepse këtu bie shi 240 ditë në vit”, thotë Helen Marriage. Dhe nëse nuk e përballoni dot specialitetin lokal, “shiun e vazhdueshëm”, ndaloni thjesht në pijetoren tjetër. Ato janë të panumërta dhe atmosfera është gjithmonë gazmore, me pijet lokale dhe me muzikën krijohet një atmosferë e mirë.
Kryeqyteti evropian i kulturës në kohën e Brexitit
Galway ndodhet rreth 160 km larg kufirit me Irlandën e Veriut. Kjo i nxen njerëzit, sepse Britania do të largohet nga BE në fund të janarit – dhe shumë kanë frikë nga rigjallërimi i konfliktit me Irlandën e Veriut, në të cilin kanë humbur jetën mijëra dhe dhjetëra mijëra janë plagosur. “Festivali vjen në kohën e duhur. Ne kemi nevojë për kulturë më shumë se kurrë”, thotë ambasadori irlandez në Londër, Adrian O’Neill. “Ai mund të ndryshojë qëndrimet”.
Shpresat janë të mëdha se titulli i kryeqytetit evropian të kulturës do të ndihmojë në zbutjen e tensioneve në ishullin irlandez për shkak të Brexitit. Përgatitjet për hapjen vazhdojnë: Era do të ulërijë gjatë hapjes dhe do të bjerë shi, thotë drejtorja krijuese Helen Marriage, “por do të jetë një kënaqësi e madhe”. Pra mos u frikësoni nga aplikacioni i motit.