Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë pasdite Komitetin Kombëtar të Rindërtimit, pas tërmetit tronditës me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter, që la pas 51 viktima e qindra të plagosur.
Mbledhja drejtohet nga Kryeministri Rama dhe përbëhet nga qeveria, organizatat humanitare, Akademia e Shkencave, Universiteti, Sipërmarrja, Bankat, Inxhinierët, Arkitektët&Urbanistët, në tryezën e Këshillit të Ministrave.
Në fjalën e tij, Rama tha se duhet të jemi “Të bashkuar për t’u ringritur. Ky komitet është garant i të gjitha palëve të mbledhur. Gjithçka që do dalë këtu thjesht do marrë vulën e qeverisë pa diskutime dhe pa dyshim”.
Më tej, kreu i qeverisë theksoi se do donte që në tryezë të kishte dhe përfaqësues të opozitës, pasi sipas tij, nuk kanë çfarë të ndajnë.
“Edhe buxheti i shtetit, ajo pjesë që do të vendoset në funksion të programit, duhet të jetë i monitoruar nga transparenca. Po ashtu edhe fondet e mbledhura nga organizatat e solidaritetit, edhe pjesët e dhuruara nga miqtë e Shqipërisë, duhen shpërndarë me transparencë.