Drejtuesit e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk e fshehin kënaqësinë nga nisma për qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, ndërkohë që Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi duhet ta shqyrtojnë nismën, e cila po njihet si një mini-Shengen Ballkanik.
Kryeministri maqedonas Zaev e quajti një ëndërr të qytetarëve të vendit të tij për një Ballkan modern të shekullit 21.
“Hapëm një nismë apo plan aksional që nxjerr në pah një Ballkan më ndryshe nga ai që e njohim”, tha ai.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili foli më gjatë se të gjithë të tjerët, i hodhi poshtë akuzat që vijnë sidomos nga Kosova se nisma po e ringjall Jugosllavinë. Ai tha se nuk është ideja që Ballkani Perëndimor të ndahet por të përfshihet i gjithi në këtë nismë që ka synimin e vetëm lëvizjen e lirë të njerëzve në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai e quajti nismën si vullnet të brendshëm dhe jo patronazhim nga jashtë.
Zoti Rama pret që Kosova të përfshihet si e barabartë në këtë proces:
Kryeministri Rama vlerëson se Kosova kësaj radhe nuk është penguar nga askush por është vetëpërjashtuar.
Kryeministri shqiptar tha se shprehja “Mini Shengen” nuk ishte e përshtatshme por se duhej quajtur si Shengeni i Ballkanit Perëndimor.
Presidenti serb Aleksanar Vuçiç ndjehet krenar për arritjen e marrëveshjes “për një sërë gjërash të rëndësishme”. Është i bindur se për një periudhë prej më pak se një vit e gjysmë investimet në rajon do të ngriten dukshëm në të tre vendet.
“Mua gjatë fushatës zgjedhore më fajësonin ekspertët dhe rivalët politik se me ndërtimin e autostradës nga Nishi për në Prishtinë po ndërtokam autostradë për Shqipërinë e Madhe; Dhe në zgjedhje, këto njerëz që flsinin kështu morën njëmbëdhjetë herë më pak vota se sa unë”, tha ai. Presidenti serb shtoi se “nuk ka rëndësi se kush ju sulmon por rëndësi ka se çfarë mendon populli. Këtu – tha ai, – nuk ka asfarë Jugosllavie por vetëm një jetë më të mirë dhe më cilësore për të gjithë në një ambient normal dhe të qetë dhe jo një ambient të konflikteve dhe urrejtjes”.
“A kemi rrugë tjetër?”, – pyeti zoti Vuçiç duke u përgjigjur se nuk ka dhe duke theksuar se po bën gjithçka për një jetë më të mirë të shtetasve serb që për rrjedhojë, sipas tij ,do të rezultojë me një jetë më të mirë pë të gjithë në rajon.
“Mua më thonë se po krijoj Shqipërinë e Madhe. Natyrisht, kam mendime krejt të kundërta me Edi Ramën mbi çështjen e Kosovës dhe njëqind herë i kam thënë edhe në Shqipëri edhe tjetër kund dhe nuk kemi asnjë problem për këtë: do ta zgjidhim problemin me anë të dialogut me shqiptarët në Kosovë dhe dihet vendi për këtë”, u shpreh Vuçiç.
Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina kanë kërkuar kohë që të bëjnë vlerësime lidhur me nismën,
Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës Denis Zvizdiç tha se “Ne në BeH nuk kemi konsensus për këtë nismë apo nuk kemi një qëndrim të prerë dhe do të duhet që institucionet e Bosnjë e Hercegovinës, siç është Këshilli i Ministrave apo Presidenca të njihen zyrtarisht me përmbajtjen e nismës dhe me beneficionet e pritshme prej saj”.
Ministrja e Ekonomisë së Malit të Zi Dragica Sekuliç tha se vendi i saj në thelb beson në ndërlidhjen rajonale dhe beson në nismat ekzistuese dhe se ka mjaft potencial të pashfrytëzuar. Por la të kuptohej se Podgorica do ta marrë në shqyrtim në nivel ekspertësh dhe institucionesh edhe këtë nismë sikur se nismat tjera.
Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur të shtunen se ka refuzuar pjesëmarrjen për disa arsye: “Së pari, Kosova, qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj nisme. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale. Dhe kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, thekson Presidenti Thaçi.
Ndërkaq, zyrtarët e lartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor thanë se vendet e tyre nuk kanë alternativa të tjera përpos integrimit në Bashkimin Evropian.
Plani, sipas drejtuesve ballkanikë, parasheh që kufijt të punojnë 24 orë, gjatë gjithë javës dhe lëvizje të lirë vetëm me kartë identiteti për të gjithë qytetarët e rajonit.
Deklarata thekson bashkëpunimin, angazhimin e përbashkët dhe heqjen e të gjitha barrierave ndaj lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, si kontribut për qytetarët e të gjitha vendeve të rajonit në realizimin e synimit për anëtarësim të plotë në BE.
Takimi i Ohrit pason atë të Novi Sadit në Serbi më 10 tetor.
Në takimin e Ohrit morën pjesë edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian, të Këshillit për bashkëpunim rajonal dhe të Bankës Botërore, të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe të Bankës Evropiane e Investimeve.
Mbledhja e radhës do të mbahet më 21 dhjetor në Durrës ku pritet të jetë i pranishëm edhe përfaqësuesi i i ri i lartë i Bashkimit Evropian Xhozef Borel