I dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha sot se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Ballkani Perëndimor të ketë përspektivë evropiane dhe për këtë ai tha se do të mundohen të bindim Bashkimin Evropian.
Ai i bëri këto komente në një konferencë për gazetarë në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Zoti Palmer tha se me presidentin e Serbisë kanë diskutuar për situatën aktuale politike, jo vetëm në Serbi, por në të gjithë rajonin.
“Kjo është me të vërtetë e rëndësishme, veçanërisht pas dështimit të Bashkimit Evropian për të gjetur një kompromis në lidhje me hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë. Sipas mendimit tonë, ky ishte një gabim historik dhe ky është një mesazh i keq për të gjithë rajonin”, tha zoti Palmer duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara janë të interesuara të shohin Ballkanin Perëndimor drejt perspektivës evropiane.
“Amerika dëshiron që Ballkani Perëndimor të ketë një perspektivë evropiane dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të bindur Bashkimin Evropian që të ndryshojë pozicionin e tij përpara takimit të udhëheqësve të Bashkimit Evropian në Zagreb, në maj“, tha ai.
Zoti Palmer bëri thirrje ndërkaq që të respektohet rezultati i zgjedhjeve në Kosovë, ku Lista Serbe ka marr mbështetjën e shumicës së serbëve të Kosovës dhe të drejtën për t’i përfaqësuar në qeveri. Ai tha se për këtë çështje ka diskutuar edhe me udhëheqësit në Kosovë përfshirë edhe zotin (Albin) Kurti.
Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se vlerëson mbështetjën amerikane për rrugën evropiane të Serbisë. Ai tha se sa i përket çështjes së Kosovës qëndrimet ndërmjet dy vendeve vazhdojnë të jenë të ndryshme dhe se sipas tij Beogradi kërkon bisedime serioze me Kosovën që do të çonte te një zgjidhje kompromisi.
“Unë besoj se, në lidhje me Kosovën, së shpejti do të bëhen kushtet për të vazhduar dialogun. Kur them së shpejti, në dy ose tre muaj, do të bëhen kushtet për të vazhduar dialogun. Ne duam që dialogu të jetë serioz, të jetë përgjegjës, të çojë në një zgjidhje kompromisi”, tha ai.
Presidenti serb tha se gabohen “shqiptarët dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare që nëpërmjet trysnisë do të detyrojnë Serbinë të pranojë diçka në kundërshtim me interesat e saja kombëtare”.
Zoti Palmer po qëndron në Serbi, pas vizitës që kishte në Kosovë ku tha se, “zgjidhja e çështjes ndërmjet Kosovës e Serbisë përmes normalizimit të plotë mbetet përparësi strategjike e Shteteve të Bashkuara dhe se për këtë sipas tij po ndjehet nevoja që kjo të arrihet sa më shpejt”.
Zoti Palmer ka thënë se puna e tij “aktualisht lidhet me mundësinë e kthimit të Kosovës e Serbisë në tavolinë për të vazhduar bisedimet”, një proces ky që është pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.
Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa diplomatët shpresojnë që ripërtëritja e bisedimeve të ndodhë para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.