HOMOS ALBANICUS

Pasi u panë gjithë fermanet sulltanore për tokat e Arnautistanit,
Dekretet e Mbretërisë së parë e të fundit,
Regjistrat e Diktaturës pa pronarë,
E atdheu u nda në mijëra copa,
E te kompanitë e sigurimit u regjistrua tokë e qiell,
Zyra të reja të padëgjuara nënqiell,
U hapën kudo në Albaterr.

Zyra noteriale, Hipoteka, Kompani sigurimesh,
Banka me karta te posaçme krediti
Të krijuara enkas për dashurinë

Vrapojnë dyshe-dyshe te dashuruarit,
(Mosha s’ka rëndësi deri tek numri 101)
Regjistrojnë dashurinë e tyre në hipoteka,
Pastaj vrap e te Kompanitë e sigurimit,
Sigurim i dashurisë nga tërmetet, ftohjet e zemrës, thashethemet e lagjes,
Nga zemerimi i partnerit që mund të ndërrojë teserë partie,
E së fundi nga krisjemendja për ndërrim partneri !

Depozitat e dashurisë derdhen në banka të posaçme,
Kartat e kreditit gati janë,
Në bankomatet e rrugës mund të tërhiqni çdo ditë,
Por jo më shumë se 5 Euro dashuri !

Natën e mirë, Homos Albanicus !

10 shtator 2019

 

S’PO BËHET DITË…

E pata lidhë natën për lisi
Si një kalë të zi,
-Ti s’do të ikësh, derisa të dal unë, i thashë,
E hyna në kullën që kish për dritare
Sytë e një vajze

Nata më priti aq gjatë
Sa i thinji zogjtë
Në gjinjtë e vajzave

Atë ditë e sot
Hingëllin lisi
Sa herë kalojnë nuse andej

Dhe del prej tij nata,
E kthyer në një kalë të bardhë…

Në Alpe, 1 shtator 2019

 

QENI ME EUROPË TË REFUZUAR

Vuan dramën e fëmijës së adoptuar
Ky qenush i bukur shoqëruar nga një zonjë syndjellëse,
Mes gjinjve të së cilës varet një medalion mistik:
Një gjarpër i florinjtë mbledhur kotullaç
Si për ta ruajtur nga syri i keq

Ka qenë i një zonje të prilltë që ka emigruar,
Qenushi që i është refuzuar Europa
Se s’kishte pasaportë e kartë krediti,
E sa herë dëgjon zhurma avionësh
I kanoset qiellit si ditën e përcjelljes

Në Metropol, në kafenenë e këngëtarëve memecë,
Më sheh me sytë e mallit dhe ikën nga e zonja e re,
Vjen te unë e rrotull më sillet
Si besimtarët rreth tempullit të lashtë

Mes gjinjve të së bukurës
Nervozohet gjarpëri i florinjtë,
Në filxhanin e kafes që e lë përgjysmë,
Falltarët e ekraneve shohin fate vjeshtash

S’më ndahet qenushi i bukur dhe më prin shkallëve,
Gërrith me putra derën ku dikur
Dilte me të zonjën prillore dhe më priste si të isha kaçak

Po tash tjetërkush banon aty,
O qenush besëprerë që m’u bëre Judë !

Në zonjën syndjellëse mbrëmja bëhet dhelpër,
Dhe gjarpërit mes gjinjve i humb magjia,

8 shtator 2019

 

QIEJT UDHËTARË

Këta qiej vjeshtorë me zogj që ikin
Krejt syve tu m’u ngjajnë përherë,
Një vetëtimë zhvirgjëron qiellin
Dënes në ty ,si atëherë

Dhe janë dy gjëra që s’u shpëtoi
Askush i gjallë mbi këtë dhe :
Njëra është plakja,e tjetra vdekja
Ti , pa të dyja mua më le !

Si Dhevështruesi diku mbi glob
Syri i NASA-s përgjon gjithësinë,
Zbulon planete të padëgjuar,
Po asgjë të re për dashurinë !

Dhe në delir janë qiejt e epërm
Ku shi s’bie kurrë e s’ngjiten retë,
Veç ti e din atë formulë,
S’më le me u plakë, s’më lë me vdekë …

Tropojë, 27 gusht 2019