Kompania ajrore australiane, “Qantas” ka realizuar me sukses një fluturim testues nga Nju Jorku në Sidnei pa ndërprerje.

Fluturimi më i gjatë pa ndërprerje në histori u realizua sot në Sidnei pas më shumë se 19 orësh në ajër që nga Nju Jorku, një provë që kompania “Qantas” parashikon ta kthejë në të ardhmen në sukses tregtar.

Fluturimi eksperimental QF7879 u realizua për 19 orë e 16 minuta, i pari nga tre fluturimet shumë të gjata të parashikuara nga kompania australiane këtë vit.

Kjo e fundit, që do të testojë gjithashtu një fluturim direkt mes Londrës dhe Sidneit, parashikon të krijojë linja komerciale të rregullta për këto trajektore të gjata.

Boeing-u 787-9, që u nis të premten në mbrëmje nga aeroporti JF Kennedy i Nju Jorkut transportonte vetëm 49 persona, kryesisht punonjës të Qantas. Pesha në kabinë ishte gjithashtu e reduktuar, gjë që ka mundësuar furnizimin me një sasi të mjaftueshme karburanti për një trajektore prej 16.000 kilometrash.

Studiuesit e dy universiteteve australiane kanë qenë në bordin e avionit për të parë mënyrën sesi pasagjerët kanë fjetur dhe janë ushqyer dhe për të mbikëqyrur nivelin e tyre të melatoninës, hormoni i gjumit.