Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka anuluar planet që Samiti G7 i vitit 2020 të mbahet në një nga resortet e tij në Florida, pas kritikave të shumta.
Në disa postime të njëpasnjëshme në Twitter, Trump tha se do ta tërheq këtë ide për shkak të “armiqësisë së çmendur dhe joracionale” të demokratëve dhe mediave.
Kritikët theksuan se ky plan dëshmon se Trump do të përdorë zyren e tij për përfitime personale, gjë të cilën Shtëpia e Bardhë e ka mohuar.
Trump theksoi se resorti presidencial Camp David mund të jetë nikoqir i Samitit G29. Ai ka shtuar se për shkak të hapësirës së madhe që ofron resorti i tij, ka menduar të bëjë diçka të mirë për vendin, por “është sulmuar nga mediat dhe demokratët”.
Shefi në detyrë i Stafit, Mick Mulvaney, kur kishte bërë njoftimin për lokacionin, kishte theksuar se me këtë veprim do të kurseheshin miliona dollarë, por kritikët vlerësojnë se kjo do të rriste popullaritetin e resortit.
Disa organizata monitoruese e kanë akuzuar presidentin Trump për “përdorim të fuqisë së zyres së tij për të ndihmuar në rritjen e biznesit të tij të golfit”.
Shtëpia e Përfaqësuesve ka dashur ta hedhë në votim një rezolutë javën e ardhshme që e dënon këtë vendim. Demokratët kishin planifikuar të kërkojnë nga Shtëpia e Bardhë informacione për të dhënë sqarime se pse administrata e presidentit ka vendosur që samiti të mbahet në këtë resort.
Udhëheqësja e Shtëpisë së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ishte një nga ata që vlerësuan se ky vendim përbën shkelje kushtetuese.