Ku-ku…e imja Kumanova dardane në verilindje të Maqedonisë, po çka të gjeti në Ditën e
Europës?! Po kush t’i përgjaki shqiptarët e tu etnik, vllaznit e mi të gjakut? Ç’ka i kie ata avionë të zhurmshëm mbi krye, ato të shtëna flakë sllave nga autoblindat policore rrugëve e dyerve tua?!
A ky është Bashkimi i Europës (BE) që na e deklaroi kryediplomati frëng Robert Shumani 65 vjet ma herët?! A thue me gjak e plagë, me sundim e spastrim etnik kumanovjan, po don me u integrue Maqedonia në BE, e cila kit’ dhjetor i përmbush 10 vjet kandidate e saj?!
Eh, e pata rrejt’ veten prej kaherit tue mendue se Europa ime, juaja, e jona, pas rënies së Përdes së Hekurt, në kit’ Rend të Ri Botëror, u ba e ndershme ndaj shqiptarëve në Ballkan? Më fal Fishta i madh! I shitoftë Zoti në qiell e zanat e malit në troje të Karadakut ata që të përgjakin o Kumanova ime në Ditën e Europës, në sytë e botës!
Po qysh po mundet kjo Europë plakë e nuse për me e mbajtë në kambë e në udhë, në gjinin e vet e me krime të tilla kundërshqiptare, kit’ krijesë të saj – FYROM (Maqedoni), kit’ “fëmijë të paligjshëm” të saj?
Ku-ku…Kumanovë, qysh me kanë bre kjo Ditë e Europës – Dita jote e Gjakut tand!
2.
Ku-ku…Kumanovë, po a ban me dit’ kjo Koha e Sodit, kjo Botë Globale…, se ty të përgjakën pikërisht më 9 Maj 2015, në Ditën e Fitores së Europës mbi Fashizmin, në 70 vjetorin e kapitullimit përfundimtar të Rajhut Nazist (!) Kjo të ndodhi në kit’ Ditë të Europës, në kit’ Festë të Dyfishtë të saj !
Po ti, o Kumanova ime, dije, thuaju djepeve, varreve, lapidarëve të tu: kjo gjakderdhja jote është Turpi i Europës, një Turp i ri i saj! Nuk mundet me i la (shpërla) kit’ Turp as Valbona e vendlindjes time, e kthjelltë si loti jot’ o Kumanovë, e pastër si dhimbja jote o Kumanovë!
A e di o Kumanova ime gjeostrategjike në Ballkan, me rrugë autostradore e hekurdhore që lidhin Vjenën me Athinën, Selanikun me Beogradin, Maqedoninë me Turqinë e Bullgarinë, ty Kumanovë me Shkup, Preshevë e Gjilan, sepse jam ka flas kështu në kit’ ditë të sodit?!
Europa e Bashkuar po e lejon ringjalljen e Hitlerit të ri në Maqedoni! E ky është Nikolla Gruevski, që iu ka kthye tytat e armëve shqiptarëve etnik e shtetformues në Maqedoninë artificiale.
E fort mirë po e dinë Europa se në Maqedoni po ringjallet “Fashizmi Maqedonas” kundër shqiptarëve trojenik.E fort keq po luan Europa e Sodit! Si Europa e Djehit?!
E fort mirë po e di se Europa e Bashkuar e NATO janë në Maqedoni e Ballkan, edhe për Shqiptarët, edhe për Maqedonasit, po çka ndodh kur ta merrë ana e barrës ma shumë në njërin krah?!
A veç me bërtit brigjeve të Vardarit e selive të Brukselit: Ku-ku…Kumanova ime, edhe kur na sundojnë si mesjetarë. Edhe kur na shpërngulin sllavët si në kohën e dyndjeve barbare, si këto ditë në Kumanovën etnike shqiptare, ku realisht shqiptarët kapin rreth 40 përqind e maqedonasit nja 50 përqind e pakica e mbetun janë serbë, turq, romë, vllehë, etj. Kumani (ova) është sllave, maqedonase, po aq sa mund të jetë i tillë dhe fshati i madh Kumani në rrethin e Fierit. Edhe kur maqedonasit sillen si gjakatarë çikllopik ndaj shqiptarëve etnik, si ngahera dhe kësah here në Ditën e dyfishtë të Europës?!
Ku-ku…Kumanova ime e coptueme, e përgjakur, nën terror fashist maqedonas, me platforma e akte spastrimi etnik shqiptar…! A je ka më ndie “Qyqja” Europë e shek. XXI, “veza” jote e paligjshme Maqedoni (me problematika të hapuna me fqinjtë për emrin, flamurin, fenë, tokat…) nuk mund të rritet në truallin etnik shqiptar e nga shqiptarët etnikë duke krijue Kumanova të gjakut shqiptar nëpër Maqedoni, duke e kthye Maqedoninë edhe shqiptare në një “Ukrainë ballkanike” kundërshqiptare…?!
Ku-ku…Kumanovë, Maqedonasit e Gruevskit edhe në shek. XXI, edhe në kit’ vitin 2015, po sillen si “korba” sllavë të etun për gjak shqiptar. Krra-krra…Korba antishqiptarë hangshi kryet tuaj!
Europë e Bashkuar në këto 6 dekada të pas Shumanit dhe me Shqipërinë e coptuar në 6 shtete ballkanike nga Konferencat e Traktatet e Paqes, në koft se nuk don me m’u rrëfye për 9 Majin 2015 të Putinit në Moskë, vepro për 9 majin 2015 në Kumanovën shqiptare, ndaj të tilla “Kumanovave maqedone” në tokat etnike shqiptare. Përndryshe, Europë, po ta kallxojë një urti të të parëve të mi: Shqipe, kurrë mos nxani miqësi me korbat…!
10 maj 2015