Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ndjen keqardhje për ftesat për intervistim, të cilat Gjykata Speciale u ka dërguar ish-shefit të Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i presidentit, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së.
“Nga mediat tani u informova edhe për vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij. Unë e respektoj vendimin e tij dhe si President i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veprojë bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë” ka shkruar Thaçi në Facebook.
Presidenti ka theksuar se beson në pastërtinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë.
“As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush”, ka shkruar Thaçi.
Reagimi i presidentit vjen pasi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dha dorëheqje nga pozita.
Këtë vendim ai e bëri publik në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës.
Arsyeja e dorëheqjes, siç tha Haradinaj, është sepse ai ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.
“Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”, tha Haradinaj.