Disa organizata të të drejtave civile depozituan një mocion për një urdhër për bllokim të përkohshëm të rregullit të ri të administratës së Presidentit Donald për kufizimin e azilit, që hyri në fuqi të martën. Organizatat thanë se rregulli është në vazhdën e masave të administratës ndaj imigrantëve nga Amerika Qendrore.
Rregulli i ri do ta ndalonte kategorikisht azilin për imigrantët që kalojnë kufirin SHBA-Meksikë pa aplikuar për azil, ose nëse i është mohuar azili në një nga vendet që ata përshkojnë para se të arrijnë në Shtetet e Bashkuara.
Bashkimi Amerikan për Liritë Civile, Qendra Ligjore e Jugut kundër Varfërisë dhe Qendra për të Drejtat Kushtetuese, depozituan akt-padinë që sfidon rregullat e reja të azilit.
“Kjo administratë po vë në shënjestër imigrantët e Amerikës Qendrore, nuk do që azil-kërkuesit të vijnë këtu. Ky është vetëm i fundmit në një sërë sulmesh, përfshirë ndarjen e foshnjave dhe fëmijëve nga azil-kërkuesit amerikano-qendrorë. Prandaj nuk mendoj se është ndonjë surprizë që kjo administratë e bën një gjë të tillë. Shpresojmë që gjykatat ta ndalojnë”, tha Lee Gelernt, avokat në Bashkimin Amerikan për Liritë Civile
Zyrtarët e administratës së Presidentit Trump kanë thënë se rregulli i ri ka si synim të lehtësojë mbingarkesën e sistemit amerikan të azilit. Një seancë për mocionin për bllokim të përkohshëm të rregullit, mund të mbahet që javën që vjen./VOA