Një strategji e re e Shtëpisë së Bardhë për rritjen e rolit të gruas në negociatat për paqe dhe siguri në gjithë botën, po vlerësohet si nga republikanët, edhe demokratët në Kongres. Shtëpia e Bardhë thotë se kjo politikë është e para e këtij lloji, megjithatë ajo është në vazhdimësi të përjekjeve të administratës së ish-Presidentit Barack Obama. Vivian Chakarian e Zërit të Amerikës:
Studimet janë të qarta: Pjesëmarrja e gruas në negociata i shton shanset për arritjen e paqes.
Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë thotë se marrëveshjet e arritura në negociatatat e paqes ku marrin pjesë gratë, kanë 35 për qind më shumë gjasa që të zgjasin të paktën 15 vjet. Nëse marrëveshja përfshin pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe organizatave të gruas, ajo ka 64 për qind më pak gjasa të dështojë.
Shtëpia e Bardhë duket se e kupton rëndësinë e këtyre përfundimeve, kur thotë se strategjia e saj e bërë publike këtë muaj “ka si objektiv që gratë të mos mungojnë më, ose të shpërfillen në tryezën e negociatave”.
Senatori republikan Marco Rubio thotë se gratë dhe vajzat janë më të ekspozuarat kur shpërthejnë konfliktet dhe shpesh janë viktima të dhunës, veçanërisht asaj seksuale. Përveç kësaj…
“Gratë, në shumicën e rasteve lihen mënjanë kur përfundon konflikti. Ato lihen jashtë diskutimeve për të gjetur zgjidhje në proceset e paqes. Ato ndalohen të marrin vendime për të ardhmen e tyre”.
Senatorja demokrate, Jeanne Shaheen e përshëndeti nismën e Shtëpisë së Bardhë.
“Sfida tani është që të sigurohemi ta zbatojmë strategjinë në mënyrë efektive dhe duke pasur parasysh rolin që gratë duhet të luajnë në botë.”
Senatori Rubio përmendi të dhënat nga Instititi i Universitetit Georgetown për Paqe dhe Siguri (GIWPS) për të argumentuar nevojën për pjesëmarrjen e gruas në tryezën e negociatave.
Drejtorja ekzekutive e Institutit, Melanne Verveer thotë se bota do të ndjekë me kujdes se sa me vendosmëri dhe efektivitet do ta zbatojnë Shtetet e Bahkuara këtë strategji. Zonja Verveer, ish-ambasadore për Çështjet Globale të Grave gjatë administratës Obama, foli me Zërin e Amerikës për lidhjen mes sigurisë dhe mirëqenies.
“Mund të kemi planin më të mirë për paqen dhe sigurinë, apo çështje të tjera por mirëqenia është jetike. Dhe lidhja me uljes së dhunës kundër grave dhe aftësisë së tyre t’u angazhuar në ekonomi, shkojnë krah për krah”.
Ndërsa ligjvënësit dhe aktivistët e vendosin theksin tek zbatimi, elementi kryesor është financimi.
Me nismën e senatores Shaheen, vitin e kaluar u akorduan 4 milionë dollarë për të punësuar këshilltarë për çështjet gjinore Departmentin e Mbrojtjes. Por duke iu përgjigjur një pyetjeje të Zërit të Amerikës, një zyrtar i lartë i administratës tha se “në vend që të përdorim fonde të reja, ne po ridrejtojmë fondet ekzistuese”. Zonja Verveer thotë se “fjala ridrejtim shpesh përdoret si përgjigje kur ka burime të pakta ose të pamjaftueshme”.