Bardhok Rajta po e vazhdimon rrugën e paraardhësve të tij, ndaj dhe në ditën e sotme, të 13 qershorit 2019, në ditëlindjen e tij të 70-të, shumë nga arritjet e tij në jetë ia dedikon familjes, Derës së Rajtës dhe Lurës edhe pse që nga mosha gjashtëvjeçare u largua për në Peshkopi. Në Derën e Rajtës brezat i përcollën njëri-tjetrit traditën si vlerë.Të rinjtë tradicionalist respektonin brezin më të moshuar, ndërsa të moshuarit si progresistë respektonin mendimin e të rinjëve. E reja dhe e vjetra bashkëjetuan në shtëpinë e Prengë Mark Rajtës, ku tradita u ruajt nga njerëz me mendësi të reja, me shkollë dhe përvoja të reja, dilte bukur, çvishej nga teprimet dhe çmohej ajo pjesë e saj që i mbijetonte kohës dhe i shërbente aktualitetit dhe të ardhmes. Kjo lidhje e fortë me traditën dhe me njerëzit e saj e ka bërë Bardhokun të ndjejë më shumë përgjegjësi në jetë, të ecë me hapa të matur, por të sigurtë drejt lartësive, duke shtuar vitet, njohjet, miqtë dhe arritjet. Bardhoku mori nga familja e tij e madhe kulturën e punës, të mikpritjes, të atdhedashurisë, të nderimit për miqtë etj.
Bardhok Rajtës jeta i ngjan një të përpjete që vazhdon, jo për ta lodhur, por për ta bërë që të ndihet më mirë. Ai u rrit në mes të njerëzve që si tipar kryesor të tyre kishin solidaritetin njerëzor dhe ai e fitoi këtë cilësi, e manifestoi në detyrat e rëndësishme që kreu në aparatin shtetëror dhe në drejtimin e ndërmarrjeve ekonomike në Dibër, pastaj dhe në veprimtarinë private, pranë kompanisë me emrin e bukur “Lura”.
Është më mirë nëse zgjidhet profesioni, sipas asaj që njeriu ndjen për veten e tij. Në kërkim të diplomës, Bardhoku ia ka bërë pyetjen vetes: A je person i durueshëm? A mund të ulesh tetë deri në dymbëdhjetë orë në një zyrë? A mund të udhëtosh deri në 14 orë në ditë, në kohë të keqe për të zgjidhur problemet e punës sate? A mund ta mposhtësh stresin e punës? Bardhoku ia doli me sukses në saj të kujdesit të familjes, nivelit të pedagogëve, por patjetër edhe meritave të tij si individ, pasi nuk i ka munguar as talenti për të mësuar, por as vullneti dhe këmbëngulja që kanë qenë faktorë të fortë të suksesit.
Bardhok Rajta ka qenë me fat se ka ditur të zgjedhë. Ka zgjedhur profesionin, shoqen e jetës, por edhe miqtë, bashkëpuntorët dhe me asnjë prej tyre nuk është zhgënjyer. Ka ndodhur kështu, pasi pranë ka patur babain, një burrë të mençur me përvojë të madhe jetësore, me vizion të përparuar për kohën, me dëshira për të ecur përpara në jetë. Djalit të Rajtës, që po mbush shtatëdhjetë vjet i ka takuar që të jetë gjithnjë në kohën dhe në vendin e duhur. Të jetë rastësi kjo! Aspak, pasi vendet ku punoi Bardhoku nuk qenë që në krye të herës më të preferuarat, më të lehtat, por se kudo ku shkoi ai e gjeti veten, ndjeu ngrohtësinë e njerëzve, respektin për familjen e Rajtës dhe për babain e tij, Lekën.
Inxhinieri hidro-elektrik Bardhok Rajta e zgjodhi profesionin e tij për shkak të prirjeve që kishte, por i takoi të jetë pionier i fushës së vet, i pari në Dibër në këtë profesion. Dibra si rreth përfaqësonte një emër të madh në veriun e vendit edhe në fushën e energjisë për shkak të peshës që kishte në zhvillimet ekonomike në vend. Njerëzit atje kishin rendur pas dritës me vite dhe nismat private për ta sjellë atë nuk kishin munguar. Ishte nga rrethet që praktikoi me shumë sukses ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël.
Kur shkoi Bardhok Rajta atje, ishte një traditë e përhapjes së dritës që ai do ta çonte më tej. Në atë kohë, drita elektrike ishte më shumë se përpjekje për zhvillim ekonomik, ishte kapërcim epokash në mendësi, një dëshirë për t’iu bashkuar botës së qytetëruar, edhe pse rregjimi e kishte ndaluar që të dëgjohen radiot e huaja. Me dritën erdhën kushte më të mira për nxënësit në përgatitjen e mësimeve etj.
Ing. Bardhok Rajta i Lurës i ka kaluar të gjitha shkallët e detyrave dhe përgjegjësive në ndërmarrjet e asaj kohe, duke filluar nga detyra e inxhinierit të thjeshtë; në detyra si përgjegjës repartesh që kishin madhësi sa një ndërmarrje e vogël deri mesatare; inxhinier në degën teknike; kryetar i Degës Teknike dhe kryeinxhinier i Ndërmarrjes Elektrike, pastaj dy herë Drejtor në Peshkopi dhe Bulqizë, si dhe Përgjegjës Seksioni në Komitetin Ekzekutiv të rrethit Dibër. Mendoj se të gjitha këto përgjegjësi në punët që ka kryer, nuk kanë qenë synim egoist apo personal i tij, por kanë ardhur natyrshëm duke e vlerësuar në të gjitha punët e kryera për rezultatet që kishte arritur.
Në çdo sektor ku Bardhok Rajta ka punuar, si në atë që e ka nxjerrë nga prapambetja e gjetur ose e ka ngritur disa shkallë më lart, kjo ka ndodhur falë punës në ekip sepse, sado të përpiqet i vetëm një drejtues, nuk mund të arrish rezultate kurrë. Kudo që ka punuar Bardhoku, ai ka mbledhur rreth vetes një ekip, me të cilin me shumë përgjegjësi ka përballuar të gjithë ngarkesën e punëve. Në ato vite, ai ka punësuar rreth 100 specialistë me arsim të mesëm profesional elektrik, ndërtimi, hidroteknik dhe me dhjetra specialistë të lartë të fushave që nevojiteshin.
Bardhok Rajta u bë inxhinieri i dritës, pastaj dhe drejtori i ndërmarrjes së dritës dhe në Komitetin Ekzekutiv, kur u bë Përgjegjës Seksioni, përsëri ishte i angazhuar shumë me këtë sektor që e tërhiqte si për shkak të profesionit edhe të rëndësisë që kishte. Bardhok Rajta mbeti i lidhur me dritën edhe kur kaloi në sipërmarrjen private, pasi kompania ku ai punon u angazhua dhe në projekte hidroenergjetike, ku ai i ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, por edhe për faktin se një ai merret me furnizzimin e kantjereve të punës me energji elektrike. Një ndryshim midis profesionistëve mediokër dhe atyre të suksesshëm është përgjegjësia, që një kuadër duhet ta dëshmojë sa herë duhet, por që bëhet e domosdoshme kur zgjidhjet varen prej një njeriu të vetëm që ka diplomën për atë punë. Bardhokut i takoi të ndeshej çdo ditë me vështirësitë, pasi detyra e tij ishte të mbante në gjendje pune rrjetin elektrik, të angazhohej në qëndrueshmërinë e tij dhe të siguronte në kushtet e vështira që po kalonte vendi, furnizimin e pandërprerë me enegji për sektorët ekonomikë.
Ndërkohë që Bardhok Rajta bën shtatëdhjetë vjet jetë, në biografinë e tij të punës ka si bashkautor projektesh rreth 70 hidrocentrale. Kjo rastësi e ka një simbolikë me domethënie. Ai është njëri ndër specialistët më të njohur në rang vendi në fushën e hidro-energjisë, i kënaqur se dijet që mori në auditore u kthyen në vlera ekonomike për Dibrën e tij dhe mbarë vendin.
Arritjet e Bardhokut lidhen me kushtet konkrete në të cilat ai punoi dhe jetoi. Ai e mori jetën me qetësi dhe entuziasëm dhe mundi t’i përballonte vështirësitë, duke i parë ato si çaste rritje dhe jo si pengesa të pakalueshme.
Bardhok Rajta e donte punën që bënte. Ai nuk punoi sa për të justifikuar vendin e punës, një veprim që ndeshet shpesh në mentalitetin shqiptar. Në veprimtarinë e tij të gjatë si kuadër dhe në tërë jetën e tij si intelektual, Bardhok Rajta ka manifestuar cilësitë më të mira të Derës së tij, duke plotësuar një dimension tjetër të familjes, atë të gërshetimit dhe harmonizimit të një edukimi të shëndoshë familjar me dijet që fitohen nga shkolla. Si burrë i ditur dhe i shkolluar, Bardhoku e çoi më përpara traditën e njohur të Derës së Rajtës dhe u njoh si një nga kuadrot e rëndësishëm të Dibrës.
Duke qenë njeri i punës dhe i sakrificës, Bardhoku nuk kërkoi asnjëherë privilegje nga shoqëria, prandaj besimin që iu dha me detyra të rëndësishme gjatë jetës e justifikoi me punë dhe sakrifica. Lumturia njerëzore lidhet me detyrat që njeriu i cakton vetes. Nga plotësimi i këtyre detyrave varet shumë këndvështrimi i tij për jetën, shoqërinë dhe vetëveten.
Lumturia është një trajtë e veçantë e jetës njerëzore që lidhet me udhëtimin jetësor, me rrugën nëpër të cilën ec njeriu. Por njerëzit me aftësi guxojnë dhe munden t’i përballojnë vështirësitë. Një ndër mësimet më të vlefshme që na mëson koha është: Të jemi të pranishëm në jetën tonë, ta konsiderojmë çdo ditë të jetës një pasuri që duhet jetuar.
Nikollë LOKA & Ramiz LUSHAJ