Shkaqet e largimit në heshtje të popullatës nga Kosova janë të shumta. Pa dyshim, thyerja më madhe shpirtërore e qytetarëve burimin e ka tek politikbërja, sistemi i drejtësië dhe pabarazia qytetare në rastin e punësimeve në institucionet shtetërore.
Për shkak se të gjithë politikanët pa dallim, në radhë të parë liderët partiak po punojnë për vetëm për realizimin e interesave të tyre personale për mbajtjen, gjegjësisht marrjen e pushtetit. Ndërsa, populli si gjithnjë po mashtrohet dhe instrumentalizohet nga demagogët e profiterët politikë.
Shkak për trajtimin edhe një herë të temës së largimit të popullatës nga Kosova, kësaj radhe u bë reagimi i një qytetari nga Kosova, emrin e të cilit nuk po e bëj publik për opinionin e gjërë; “Si aplikant për rekrut në Forcën e Sigurisë së Kosovës, sot edhe më shumë më bindën që nuk ja vlenë as edhe 1 ditë me qëndru e me humbë kohë kot në Kosovë. Sot militantë e manipulantë partiak u bënë bashkë e i shuan ëndërrat e shumë aplikuesve që shënuan maksimumin e pikëve në testet e para, po që nuk e kanë as mixhen, as dajen, e as kushëririn që me i rahatu. Ende s’po më besohet se qysh mundet në institucion të mbrojtjes me pas nepotizëm, ky është kulmi i degradimit të shtetit. Turp për ata pjestarë të FSK-së, që kanë marrë guximin me e njollosë institucionin më të besueshëm të vendit me urdhëra partiake. Tash mundemi me u angazhue dhe aktivizu vetëm me u pajisë me vizë për largim nga vendi…”.
Largimi i të rinjëvee, vdekje klinike për shtetin
Largimi ditëve të fundit i të rinjëve dhe familjeve shqiptare në mënyrë masive nga Kosova e rrezikon të ardhmen e vendit nesër. Është tepër e dhimbshme kur dëgjon që familje të tëra, të lodhura nga skamja e denigrimi social, nga humbja e të gjitha shpresave për një të nesërme më të mirë në shtetin e lirë…, me lot ndër sy, me dhembje në shpirt e mbyllin pragun e shtëpisë së tyre, për t’u nisur drejt një shprese të re në vende të panjohura.
Është tepër e dhimbshme kur fëmijëve u ndërpritet fëmijëria në vendin e tyre; kur nxënësit ndahen nga shokët e klasës, nga mësuesi që ua mësoi alfabetin e gjuhës shqipe, nga familja e farefisi i gjerë, ndoshta për të mos u parë më kurrë më në këtë jetë!
Shuarja e shpresave dhe ëndërrave, për të krijuar lumturi të përbashkët familjare në shtetin amë, në vendlindjen e tij është gjëja më e dhembshme që mund të përjetojë njeriu në jetën e tij.
Ikja e të rinjëve nga Kosova nuk ka të ndalur, pothuajse çdo ditë nga stacioni i autobusëve në Prishtinë dhe nga qëndrat e tjera të Kosovës, numër i madh i kosovarëve (shqiptarëve) mbushin autobusët e linjës Prishtinë- Beograd për të vazhduar për në Kroaci, Slloveni, Hungari,…drejt vendeve të perëndimit.
Flitet për dhjetëramijëra shqiptar të Kosovës, që gjatë këtyre 11 vjetëve në shtetin e pavarur të Kosovës u “konvertuan” në shtetas të Serbisë, për t’u pajisur me një pasaportë serbe…, mundësi kjo e ikjes më të lehtë nga Kosova drejt vendeve evroperëndimore. Statistikat janë tepër shqetësuese edhe sot, ku vetëm në pesë muajt e fundit, nga Kosova janë larguar rreth 70 mijë qytetarë të sajë.
Prapavija politike dhe zbrazja në heshtje
Prapavija e këtyre ikjeve po ashtu është politike, objektiv i kahershëm i fqinjëve tonë veriorë (serbëve) për zbrazjen e Kosovës nga popullata shqiptare po bëhet realitet në Kosovën e “pavarur”. Këtu nuk përjashtohen as marrëveshjet e fshehta të Serbisë me disa nga shtetet evroperëndimore!
Përderisa politikanët e mjerë kosovarë janë shndërruar në thyerës të shpresave të popullatës, përfitues të këtyre situatave janë kontrabanduesit e njerëzve në bashkëpunim me pushtetarët andej dhe këndej kufirit!
Largimi në mënyrë masive i të rinjve dhe familjeve shqiptare nga Kosova i ditëve të fundit e rrezikon të ardhmen e vendit nesër. Mallkimi dhe rënkimi i të ikurve me shpirt të thyer nga vendlindjet e tyre ndjellë kob për shtetin e ri të Kosovës.
Zbrazja e Kosovës nga qytetarët, veçanërisht nga të rinjët, do të ketë pasoja zinxhirore për të ardhmen e ekonomisë së vendit, e cila do të reflektohet me mungesë të fuqisë punëtore, me ikjen e trurit dhe shpirtit të kombit zbehet akoma më shumë përspektiva e shtetit.
Me liberalizimin eventual të vizave do të rrezikohet ikja e 80 përqind e të rinjëve nga Kosova.
Njerëzit nuk po ikin nga dëshira, me “Ifona në dorë”, siq pat deklaruar ish kryeministri i vendit Isa Mustafa, por nga pamundësia për të jetuar dinjitetshëm në atdheun e tyre, ngase pushtetarët përveqse nuk iu ofruan asgjë, ua mbyllen të gjitha dyert, ua shuan të gjitha shpresat për jetë në vendlindjen e tyre.
Nuk e besoj që ka mallkim më të madh, kur babai i një dëshmori, që e kishte të vetmin djalë, i shkon tek varri dhe i thotë: “Lamtumirë o bir, unë po ta kthej shpinën dhe po e lë vendin për të cilin dhe jetën ti o drita e vetme e jetës sime…”!
Ikja nga vendlindja, është e rëndë për familjet dhe e kobshme për shtetin. E gjithë kjo për shkakun e një klase politikanësh të papërgjegjshëm që kanë uzurpuar institucionet e Republikës së Kosovës.
Ikja e të rinjëve nga vendlindja nuk është zgjidhja, përkundrazi paraqet dorëzimin më katastrofal para të keqës që ka mbërthyer vendin.
Zgjidhja, apo më mirë të themi ndalja e ikjes së të rinjëve nga Kosova është në dorën e të rinjëve, në riorganizimin dhe rirreshtimin e tyre në një forcë të re politike dhe kreative, e jo assesi bashkangjitjes forcave të ricikluara politike të sojit të partive që ofrojnë figurat e ricikluara politike, argatët dhe bashkëpunëtorët e deridjeshëm të partive të inkriminuara apo subjekteve të stërmbushura me agjent të SHIK-ut, BIA-s serbe, agjentura ruso-serbe apo fundamentalist të sekteve të ndryshme fetare.
Pushtetarët dhe uzurpatorët e shtetit, që u është bërë gjaku ujë, një ditë përveq mallkimit (gjykimit) të popullit do t’i zërë edhe mallkimi i Zotit!
09.06.2019