Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili së bashku me Këshillin e Atlantikut të Veriut ishin në një vizitë dyditore në Shkup, theksoi vendosmërinë për integrimin e shpejtë të Maqedonisë së Veriut në Aleancë. Zoti Stoltenberg shprehu mirënjohje për reformat e arritura ndërsa tha se ato duhet të vazhdojnë. Ai tha se Marrëveshja e Prespës duhet të shpërbejë si model për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në rajon.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u prit me ceremoni të larta shtetërore dhe ushtarake para selisë së qeverisë në Shkup. Ai arriti të dielën në Shkup për takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut me Komitetin për integrim të Maqedonisë së Veriut në Aleancë, i pari i këtij lloji që mbahet në republikën ish-jugosllave.

Sekretari Stoltenberg tha se janë të dukshme përfitimet e Maqedonisë së Veriut nga afrimi në NATO sepse investimet në vend po rriten dhe se kjo tregon se siguria mundëson bazën e mirëqenies, sipas tij.

Ai nënvizoi nevojën për vazhdimin e reformave në shërbimin e inteligjencës, në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë së këtij vendi.

“Vizita jonë dërgon një mesazh shumë të qartë Ne jemi të gatshëm të ju mirëpresim në familjen e NATO-s”, tha Sekretari Stoltenberg.

Ndërkohë, kryeministri maqedonas Zoran Zaev arritjet që i ka shënuar vendi drejt integrimit në Nato, i quajti merita të të gjithë politikanëve dhe qytetarëve që nga pavarësia e vendit e këndej:

“Rezultat i punës së të gjitha institucioneve dhe profesionistëve të të gjitha fushave”.

Ai theksoi se anëtarësimi në Nato është vendim strategjik i Maqedonisë së Veriut i vërtetuar përmes rezolutës në parlament qysh në vitin 1993.

Kryeministri Zaev bëri të ditur se që prej marrjes së ftesës për anëtarësim në Aleancë, të ardhurat e brendshme bruto janë shtuar rreth 5.5 përqind.

“Ishte minus 1.8 përqind me recesion të thelluar politik dhe ekonomik”, tha zoti Zaev duke nënvizuar se investimet e huaja kanë shënuar një rekord të ri prej 625 milionë Eurosh.

“Që i bie tre herë më të larta nga mesatarja e tetë vjetëve të fundit”, tha ai.

Qeveria e Maqedonsë së Veriut është e vendosur që të rrisë 0,2 përqind buxhetin për mbrojtjen dhe ushtrinë.

“Edhe në të ardhmen do të bashkëpunojmë me vendet fqinje si aleatë në kuadër të Natos; besojmë në politikën e dyerve të hapura të Natos”, u shpreh kryeministri maqedonas.

Shkupi shpreson se në takimin e nivelit të lartë të Natos në dhjetor në Londër do të bëhet anëtar fuqiplotë i Aleancës veriatlantike, por zoti Zaev thotë se nëse s’bëhet në dhjetor, “atëherë përfundimisht në fillim të vitit të ardhshëm”.

Zaev nuk dyshon se Turqia e konsideruar si vend mik, do ta vonojë ratifikimin e protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO për shkak të hatërmbetjeve eventuale lidhur me disa persona të cilët Ankaraja i cilëson si gylenistë ose pjesëtarë të organizatës Feto e që qëndrojnë dhe punojnë në Maqedoni.

Ndërkaq, Sekretari Stoltenberg duke iu përgjigjur një gazetari serb në pyetjen se në bazë të cilave ligje ndërkombëtare e mbron Natoja territorin e Kosovës, ai tha:

“NATO është në Kosovë përmes misionit të KFOR-it me mandat të kërkuar ndërkombëtar dhe jemi atje për të krijuar qëndrueshmëri, paqe dhe për të mbrojtur të gjitha komunitetet në Kosovë, po ashtu edhe serbët. Ky është mandati dhe misioni ynë. E dimë që ka nevojë për një zgjdhje politike dhe mbështesim fuqimisht dialogun në mes Prishtinës dhe Beogradit, sepse në proces afatgjatë, kjo është mënyra e vetme për zgjidhjen e dallimeve dhe problemeve”, tha sekretari i NATO-s.

Ai mori shembull marrëveshjen në mes Shkupit dhe Athinës si model për kapërcimin e dallimeve në rajon.

“Ky model i kapërcen mosmarrëveshjet dhe mospajtimet historike. Që të mos harrohet e kaluara, por të mos lejohet që e kaluara të shkatërrojë të ardhmen”, u shpreh zoti Stoltenberg.