Duhani konsiderohet si një prej shkaktarëve kryesorë të kancerit të mushkërive, por edhe sëmundjeve tjera, u tha të premten në Ditën Botërore Kundër Duhanit, e cila u shënua me moton, “Duhani dhe Shëndeti i Mushkërive”.
Me gjithë faktin që Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi që nga viti 2013, qytetarët, por edhe institucionet publike, vazhdojnë ta shkelin këtë ligj, duke tymosur brenda ambienteve të mbyllura, e duke mos i dhënë kështu prioritet mbrojtjes së shëndetit publik.
“Mund të them se një e treta e popullatës që sëmuret nga kanceri, vdes pikërisht prej duhanit. Numri i të prekurve me kancer është shtuar dhe te femrat, të cilat tymosin më tepër sesa në të kaluarën, por fatkeqësi edhe më e madhe është se vuajnë edhe duhanpirësit pasivë, sidomos fëmijët. Numri i fëmijëve që vuajnë nga sëmundjet po rritet nga dita në ditë, si pasojë e keqpërdorimit (të tymosjes) nga ana e duhanpirësve”, deklaroi Mehmeti.