Në shumë vende të botës njerëzit e shohin globalizimin me sy kritik, thotë një sondazh. Sidomos në ato vende ku mirëqënia është rritur falë globalizimit, si për shembull në SHBA dhe në pjesë të BE.
“Globalizimi ka arritur kufijtë e akceptancës në vendin tim”. Këtë pohim e aprovojnë në SHBA 70 përqind e ekspertëve të ekonomisë, dhe në BE 56 përqind, bën të ditur instituti i Mynihut, Ifo, në studimin aktual “World Economic Survey”.
Sidomos francezët janë shumë kritikë dhe 85 përqind e të pyeturve e pranojnë pohimin e bërë “plotësisht ose pjesërisht”. Kjo është vlera më e lartë e arritur në 120 vendet e analizuara. Edhe në Çeki (70 përqind) dhe Austri (69 përqind), Britaninë e Madhe (68 përqind) dhe Gjermani (64 përqind) tregojnë për frymën që ekziston në vend, e cila është shumë kritike ndaj globalizimit.
Lëvizje në drejtim të kundërt
Në kufijtë e pranimit globalizimi duket të ketë mbërritur sidomos në ato vende që dekadat e fundit kanë përfituar nga tregtia ndërkombëtare. Por ekzistojnë edhe lëvizje të qarta në drejtimin e kundërt: referendumi i Brexitit në Britaninë e Madhe, Donald Trump dhe ideja e tij “Make America Great Again” në SHBA, Jelekverdhët në Francë. “Në këto vende popullsia thotë se është arritur kulmi i globalizimit, në këtë pikë dhe nuk duhet vazhduar më tej, ” thotë Johanna Garnitz nga insituti Ifo, bashkëautore e studimit.
“Ekonomitë e përparuara janë më kritike ndaj globalizimit se sa vendet në zhvillim dhe ato në rrugë drejt kalimit në vende të zhvilluara,” përmbledh ajo rezultatin kryesor të studimit në një bisedë me Deutsche Wellen. E parë në nivel global, por “pikëpamjet negative dhe pozitive ndaj globalizimit janë në balancë”, shton ajo.
Në Kinë, vendin me eksportet më të mëdha të botës dhe “tavolinë e punës së perëndimit”, globalizimi vlerësohet pozitivisht (77 përqind), po ashtu si në Filipine, Malajzi dhe shumë vende të tjera të zhvilluara dhe në rrugë drejt kthimit në vende të zhvilluara. “Këto vende kanë lidhur shpresa të mëdha me globalizimin,” thotë Garnitz. “Kurse njerëzit në vendet me mirëqënie të lartë besojnë se kanë arritur limitin dhe nuk mund të përfitojnë më nga globalizimi.”
Por ka edhe vende që bëjnë përjashtime: India, Bangladeshi, Indonezia dhe Tajlanda kanë qëndrime të rezervuara pozitive ndaj globalizimit (më pak se 40 përqind). Ndër vendet e industrializuara, Korea e Jugut ka qëndrimin më pozitiv ndaj globalizimit (83 përqind). Por edhe në Europë ka vende që kanë qëndrim të qartë pozitiv ndaj globalizimit, si Portugalia, Suedia, Luksemburgu, Danimarka dhe Finlanda ku shifrat janë midis 60 dhe 70 përqind.
Para nga Kina
Studiuesit e Ifo kanë pyetur po ashtu se si vlerësohen investimet direkte nga Kina në vendet përkatëse. Kina merr pjesë në ndërtimin e infrastruktursë në shumë vende në zhvillim. Edhe në Gjermani dhe vende të tjera të industrializuara kinezët blejnë firma teknologjie, sepse njohuritë që kanë këto firma i përshtatet strategjistë kombëtare industriale “Made in China 2025”.
Rezultatet janë të njëjta me qëndrimin ndaj globalizimit. “SHBA, BE por edhe Japonia i shikojnë me sy shumë kritik investimet direkte kineze,” thotë studiuesja e Ifo-s, Garnitz. “Kurse vendet në zhvillim dhe vendet që pritet të kthehen në vende të zhvilluara i shikojnë pozitivisht investimet kineze, ose të paktën nuk i shohin më negativisht se investimet nga vendet e tjera.” Përjashtim bëjnë vendet që janë fqinje me Kinën, ku investimet direkte nga Mbretëria e Qendrës, shihen me sy më kritik se në vendet e tjera që janë në rrugën për tu bërë vende të zhvilluara.
Të pyeturit
Megjithatë studiuesit e institutit Ifo nuk mund të pyesnin grupe që të ishin më përfaqësuese për popullsinë, sepse studimi do të ishte shumë më i vështirë dhe do të kushtonte më shumë. Në vend që të pyesnin grupe të mëdha popullsie, instituti pyeti 1200 ekonomistë dhe studiues koniukture nga 120 vende, të cilët dhanë vlerësime për pikëpamjet e popullsisë në vendet përkatëse.
Që orej vitit 1981, Instituti Ifo pyet çdo tremujor ekspertë nga e gjithë bita për zhvillimin e koniukturës në vendet e tyre duke nxjerrë kështu të ashtuquajturën World Economic Survey. Pyetjet lidhur me globalizimin dhe investimet kineze u shtruan për herë të parë në këtë kuadër.