Shkruan: Dr. Islam Husaj –kryesues i Kuvendit të Komunës Pejë
Kaluan 5 vite që kur iku shpejt për në amshim, profesori i nderuar, deputeti dhe aktivisti shumëvjeçar, dr. Adem Hajdaraj. Ai iku që pesë vite, por dhembja për profesorin nuk u zvogëlua. Ai iku,por veprat dhe puna e tij, do të jetojnë gjithmonë.
Doktor Adem Hajdaraj, profesor i universitetit, djali i të burgosurit politik të Goli Otokut,Arif Rekës, vëllai i madh i heroit të Kosovës, Smajl Hajdaraj, komandantit të Brigadës 136 Rugova, si dhe i Fazliut, aktivistit të dalluar të çështjes kombëtare. Profesor Ademi, nënshkrues i Deklaratës së pavarësisë, si deputet i Parlamentit të Kosovës, me punën e tij, do të mbetet i paharruar dhe do të kujtohet gjithmonë si njeri që kaloj një rrugë të vështirë të ngritjes së tij në aspektin profesional, por edhe të mbijetesës për shkak të represionit të madh të njerëzve të pushtetit në periudha të ndryshme.
Adem Hajdaraj u lind në katundin Dugaivë të Rugovës në vitin 1944. Shkollën fillore e kreu në Haxhaj, të mesmen në Pejë. Studimet e larta të degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe,i mbaroi në Prizren e Prishtinë, duke doktoruar në vitin 1993, në shkencat filologjike.
Dr. Adem Hajdaraj, fillimisht punoi si arsimtar i Gjuhës shqipe në Shkollën Fillore “1 maji” në Haxhaj, duke qenë edhe drejtor i saj. Më vonë, profesor Adem Hajdaraj kishte punuar edhe në Shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit”, dhe në gjimnazin “Bedri Pejani” të Pejës. Vdekja e papritur e gjen si profesor universiteti, punë që kishte filluar nga viti 1993.
Arsimoi dhe edukoi shumë gjenerata, si në shkollën e mesme, ashtu edhe në fakultet. Por, kujdes të veçantë iu kishte kushtuar edhe edukimit dhe shkollimit të fëmijëve të tij, që më krenari mbajnë emblemën e familjes Hajdaraj.
Rrugëtimi i jetës së profesor Ademit, nuk ishte rrugë e shtruar me lule, por me plotë gjemba e pengesa, me plotë vuajtje e dhembje. Familja e tij e respektuar në Rugovë, ishte në vazhdimësi e persekutuar nga pushteti. Asnjëherë nuk ishin pajtuar më regjimin e pushtetit serb në Kosovë. Gjithmonë ishin ndër të parët që iu kundërvunë politikave pushtuese dhe diskriminuese. I vranë, burgosën dhe persekutuan në vazhdimësi, por kurrë nuk u zmbrapsën, por qëndruan vertikalisht.
U vranë, Adem, Smajli, Myftari, Quni dhe Hajdari, Reka Smajli, ndërsa Arif Reka, babai i Ademit, vuajti 7 vite të burgut të rënd në Goli Otok, në burgun më famëkeq në Jugosllavinë e atëhershme. U burgos, pse e deshi flamurin kombëtar dhe kombin e vet.
Ademi Hajdaraj me vëllezërit, Smajlin e Fazliun, në të shumtën e kohës u rriten e u burrnuan, nën përkujdesjen e nënës Hyrë, dhe gjyshes Shate. Adem Hajdaraj, qysh herët u indoktrinua nga babai Arifi, e së bashku me vëllezërit e tij, filluan aktivitetin për të iu kundërvu masave represive të Serbisë.
Nga viti 1990, u rreshtua në radhët e LDK-së, si partia e parë që në mënyrë te organizuar, kundërshtoj hapur regjimin serb. Ishte anëtar i Kryesisë së degës në Pejë. Ishte anëtar besnik i vjes rugoviane, besnikëri deri në vdekje.
Adem Hajdaraj, çdoherë ishte i gatshëm të marrë përgjegjësit e një intelektuali, duke mos u hamendur as nënshtruar para vështirësive dhe rreziqeve që I kanoseshin. Ai, qëndroi gjithnjë në krye të detyrës për realizimin e vullnetit të popullit, për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Kur Serbia mbylli shkollat shqipe në Kosovë, në kohën kur zgjoheshe në mëngjes, por nuk ishte e sigurt se do të errte nata. Kur sistemi represiv i pushtetit serb dhe dora e zezë, vrisnin çdo gjë shqiptare, profesor Adem Hajdaraj, mori detyrën e kryetarit të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptar për Pejën, ku së bashku me kolegët e tij, organizuan dhe udhëhoqën mësimin shqip në Komunën e Pejës, për vite me radhë. Sa ishte e vështirë, aq ishte e rrezikshme marrja e detyrave të tilla. Por, Adem Hajdaraj kurrë nuk u hamend për një gjë të tillë.
Në vitin 2007, profesor Ademi, merr mbështetjen e popullit dhe bëhet deputet i Parlamentit të Kosovës. Ishte kjo përbërja më me fat e deputetëve, pasi patën fatin ta nënshkruajnë deklaratën e Pavarësisë të vitin 2008, për të cilën u luftua më shekuj.
Adem Hajdaraj ishte intelektual i zoti, profesionist i dalluar, ishte ekspert në lëmin e tij. Ishte modest në shoqëri, në biseda por këmbëngulës dhe i drejtpërdrejt. Nuk hezitonte për të shfaq qëndrimet e tij, pavarësisht rrethanave dhe pasojave. Çdo punë dhe veprim e bënte më dinjitet. Dinjiteti, ishte pikërisht ajo që e lartësonte profesorin e nderuar, më tepër se çdo gjë. Profesori Adem dhe familja Hajdaraj, përjetuan edhe një tmerr më rastin e vrasjes së vëllait, Komandantit të Brigadës 136 Rugova, deputetit të parlamentit të Kosovës, Smajlit, i cili u vra nga një dorë tradhtare në terrin e natës, në hyrje të banesës së vet. Vrasja e Smajlit ishte tepër e rënd për familjen, e kur kësaj i shtohet edhe fakti se kurrë nuk u gjeten vrasësit e tij, e bënë edhe më te rendë situatën e familjes Hajdaraj.
Ne, e kujtojmë profesorin, edukatorin, atdhetarin, bashkëveprimtarin, deputetin… që me punën e tij, la gjurmë të pashlyeshme. E kujtojmë dhe jemi krenar që ishim nxënës të tij, e më onë edhe që punuam bashkë me të. Puna dhe vepra e tij të jenë udhërrëfyes për brezat e rinj, për nxënësit, studentet dhe bashkëpunëtorët e tij.
Të falënderojmë profesor, për veprat që na i lë trashëgim!