Senatori amerikan, James Risch, që kryeson Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, se brenda dy javëve të ardhshme, ka planifikuar votimin në Komision për pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Pas votës në Komision, protokolli i anëtarësimit do të kalojë për votë në Senat. Zoti Risch u shpreh optimist se votimet mund të përfundojnë brenda qershorit.

Protokolli për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, është nënshkruar nga të gjitha vendet anëtare në Bruksel në muajin shkurt dhe tash procesi vazhdon në kryeqytetet e këtyre vendeve, të cilat duhet të ratifikojnë protokollin sipas procedurave të tyre.

Anëtarësimi i saj është një goditje për Rusinë e cila kundërshton zgjerimin e NATO-s dhe rrjedhimisht edhe anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut.

I pyetur nëse anëtarësimi në NATO, mund të pengojë ndikimin rus dhe përzierjen e saj politike në Maqedoninë e Veriut, senatori Risch tha se ky do të jetë hapi përfundimtar për refuzimin e Rusisë dhe për ndikimin negativ që ajo synon, siç u shpreh senatori.

Qytetarët e Maqedonisë se Veriut duhet ta shohin këtë si bashkim me aleancën më të fuqishme ushtarake që është krijuar ndonjëherë në historinë e botës. Shumë njerëz që besojnë në të njëjtën gjë, që duan t’i kundërvihen agresionit rus dhe duan mbrojtjen sipas nenit 5 të NATO-s që thekson se sulmi në njërin aleat është sulm mbi të gjithë, e dinë se ky është një koalicion i fuqishëm dhe shumë njerëz do të dëshironin të ishin nën këtë ombrellë. Posaçërisht grupet e vogla, sikundër popullata e Maqedonisë së Veriut, dhe posaçërisht kur e shohin se çfarë ka ndodhur në Ukrainë, çfarë ka ndodhur në Gjeorgji, ku rusët shkuan dhe morën hapësira dhe provinca. Nëse do të jetoja në një nga ato hapësira, do të doja t’i bashkohem një koalicioni që garanton së kjo nuk do t’i ndodhë kurrë vendit tim”, tha senatori Risch.

Maqedonia e Veriut pritet të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s, mundësi që u hap pas marrëveshjes së saj me Greqinë për emrin, pas një ngecjeje 27 vjeçare.

Marrëveshja që u arrit në qershor të vitit 2018, i hapi mundësinë Maqedonisë së Veriut edhe për përshpejtimin e procesit të afrimit me Bashkimin Evropian.