Kreu i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker ka vendosur që të jetë pjesë e takimit të 29 Prillit mes krerëve të Ballkanit Perëndimor me nismën e Gjermanisë dhe Francës. Krerët e Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë Veriore, Kroacisë, Sllovenisë dhe Malit të Zi, si dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës janë ftuar në këtë takim.
“Ky takim është mundësi për të diskutuar sfidat dhe duke theksuar rëndësinë e pajtimit, bashkëpunimit të ngushtë rajonal”, ka deklaruar zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Koçijançiç. Kryeministrja serbe Bërnabiç nuk ka asnjë shpresë nga takimi i Berlinit, por këmbëngul se Serbia do të tregojë se është një partner i sigurt, i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm. Sipas Kryeministrit kosovar Haradinaj, ky është një moment për të ecur përpara me liberalizimin e vizave.
Takimi i krerëve të Ballkanit Perëndimor i planifikuar për datën 29 Prill është edhe një përpjekje për rivendosjen e dialogut Beograd-Prishtinë qe ka disa muaj që është i ndërprerë. Ky do të jetë takimi i parë zyrtar në praninë e Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, pasi Kosova imponoi taksat për mallrat serbe në Nëntor të vitit të kaluar. Ndërkaq, ditën e nesërme Presidenti Thaçi do të zhvillojë takime paraprake me liderët e institucioneve evropiane në Bruksel ku do të këmbëngulë në liberalizimin e vizave.