Me 6 prill 2019, në Akademinë e Shkencave në Tiranë, Klubi i Poezisë – Tiranë, me kontributorët kryesorë të tij, z. Rexhep Shahu dhe z. Izet Duraku, pikërisht në 85 vjetorin e lindjes së profesor Shefqet Hoxhës organizuan promovimin e korpusit të veprës shkencore gjithpërfshirëse në fushën e marrëdhënieve shoqërore të botuar deri më sot prej 12 vëllimesh.
Ky promovim u bë në praninë e shumë personaliteteve nga Shqipëria, Kosovva, shokë, miq, nxënës të tij, dashamirë, të afërm dhe familjarë të cilët kishin ardhur për ta nderuar në mënyrë të merituar në këtë 85 vjetor profesorin.
Pati disa personalitete dhe njohës të profesorit që e morën fjalën, në mes të cilëve edhe nga ata të cilët me të drejtë e ngritën problemin se institucionit në të cilin po mbahej ajo veprimtari, Akademia e Shkencave në Tiranë, ku përfshiheshin shumë emra të merituar (por shumë syresh edhe të pamerituar, A.Gj.) asaj listë, në mënyrë të njëanshme i mungonte emri i tij.
Por folësi jo se nuk e dinte, por modestia dhe rasti në të cilin po fliste nuk e lejonte të thoshta atë që është mëse e vërtetë se: klasa dhe kastat oligarko-politike të cilat e kanë marrë peng këtë vend drejt theqafës, kanë “prodhuar” jo vetëm diplomantë analfabetë, por edhe doktor-profesorë të cilët sikurse po thuhet me të madhe në media dhe shtyp, nuk e kanë mbaruar as shkollën e mesme dhe në dorën e tyre në shkolla dhe universitete e kanë lënë fatin e rinisë së këtij vendi.
Pa le Akademia e Shkencave, ku pikërisht u mbajt ajo veprimtari, e cila është katandisur në ato nivele, saqë atë e konkurojnë për nga serioziteti dhe produktiviteti edhe studiues të thjeshtë të cilët i janë futur me pasion shkencës, kurse rasti i Dr.Shefqet Hoxhës i cili është “institut” më vete e konkuron shumë shembuj dhe raste të tjera bie në sy përkundër çdo rasti tjetër edhe “akademik” n.q.s.do jetë ai ose ajo, por që mungon të jetë aty ku e kanë vendin të tilla kapacitete.
Ky personalitet i letrave të shkruara shqipe, e ka pasur fatin e formimit të biografisë së tij krijuese dhe shkencore edhe mbi bazën e një tradite të dëshmuar familjarë, sepse vetë babai i tij kishte kontribuar që herët për mbledhjen dhe dokumentimin e trashëgimisë së pasur folkrorike, epikolegjendare dhe etnokulturore të popullit tonë, duke i lënë gjurmët e kësaj pune deri në Amerikë.
Kurse vetë Shefqet Hoxha i është futur me një pasion të veçantë punës hulumtuese dhe grumbulluese të vlerave etnokulturore të Veriut e kryesisht të krahinës së tij Luma e Kukësit që në hapat e parë të formimit intelektual, për të vijuar më përkushtim pa u ndalur deri sot e kësaj dite duke e shtrirë rrezen e “kullotjes” së vlerave edhe në vise të tjera të Kukësit, Hasit, Dibrës dhe Malësis së Gjakovës e përtej tyre.
Duhet vënë në dukje se pensionimi i tij ishtë një proces administrativ që veçse i ndërpreu juridikisht marrëdhëniet e tij të punës me shtetin, por pikërisht nga aty e mbrapa vijoi puna e tij produktive dhe e pa reshtur, për të mos u ndarë asnjëherë e për asnjë çast nga dyert e Biblotekës Kombetare në Tiranë, si vendi i tij i punës me bereqet në hartimin dhe botimin e shumë veprave të shkruara dhe të tjerave në dorëshkrim.
Përmes këtij personi e para së gjithash personaliteti, portretizohet më së miri tipi i një malësori fjalëpak, urtak e me plot mend, por mbi të gjitha e një gjurmuesi, mbledhësi, studiuesi, sintetizuesi dhe produktuesi i një sërë veprash shkencore në fushën etno-kulturore e të traditës si një pëmbledhje e vlerave të trashëgimisë shumëdimensionale të popullit tonë.
Nuk mbeti pa rënë në sy për mir edhe gjesti i përsëritur vetëdijesisht i filantropistit Flamur Hoxha, si ne shumë raste të tjera e kishte financuar botimin e veprës 12 vëllimshme të Dr. Shefqet Hoxhës.
Duhet vënë në dukje me përparësi bashkëpunimi në mes studjuesit, botuesit, financuesit sikurse si nje rast për t`u marr shembull, për sa i përket simbiozës produktive sikurse është rasti në mes krijuesit Dr. Shefqet Hoxhës, Klubit të Poezisë – Tiranë me kontributorët kryesorë të tij, z.Rexhep Shahu dhe z.Izet Duraku dhe filantropistit Flamur Hoxha, të cilët po lënë të realizuar një trashëgimi të vyer në fushën e letrave të shkruara për brezat e ardhshëm.
Me rastin e mbajtjes së kësaj veprimtarie në nderim të punës dhe veprës së Shefqet Hoxhës, me rastin e 85 vjetorin të lindjes, nga kryetari i Bashkisë Kukës, z.Bashkim Shehu, iu dorëzua titulli “Qytetar Nderi i Kukësit.”
Në mënyrë të planifikuar e morën fjalën Rexhep Shahu, botues i librave, drejtues i Klubit të Poezisë; Izet Duraku, redaktor i 12 librave të profesor Shefqetit; Shaban Sinani, akademik, njohës i përkryer i veprimtarisë shkencore të prof Shefqet Hoxhës; Flamur Hoxha, sponsor i 12 vëllimeve me trashëgimi shpirtërore të profesor Sh. Hoxhës; Namik Dokle, shkrimtar, politikan i lartë, tri dekada deputet, kuksiani që ka marrë postet më të larta si kryetar parlamenti e zëvendëskryeministër – nxënës i profesor Shefqet Hoxhës; Bashkim Shehu, kryetar i bashkisë Kukës; Nebi Bardhoshi, drejtor i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Tiranë; Akademik Gjovalin Shkurtaj mik dhe njohës i mirë i veprimtarisë së prof Shefqet Hoxhës.
Edhe Shoqata Mbarëkombëtare Bytyçi Tiranë-Prizren, ndonëse e kishte planifikuar prej kohësh, kishte ruajtur këtë rast, për ta vlerësuar në një mënyrë sa më meritore, punën dhe kontributin shoqëror të z.Shefqet Hoxha.
Në momentin e volitshëm, menaxhuesit e asaj veprimtarie e ftuan në foltore dhe i dhanë fjalën edhe të ngarkuarit të kësaj Shoqate për ta kumtuar para pjesëmarrësve përmbajtjen e vlerësimit që shoqata kishte bërë për z.Shefqet Hoxha.
Më para se sa të dorëzohej vlerësimi në fjalë, nga ana e atij përfaqësuesi u vu në dukje se: “Përndryshe parafolësve të cilët Shefqet Hoxhën e quajtën një Lumjan me vlera njerëzore, intelektuale dhe shkencore, për “antikonformizëm”, u vu në dukje se ai nuk nuk i përket vetëm familjes, dhe po ashtu as Krahinës së Lumës, të cilët nderohet me këtë burrë, por ai është një vlerë e shtuar dhe aset intelektual dhe shkencor mbarëkombëtar.
Po ashtu nga ana e tij u tha se është një privilegj që mu dha rasti për ta vlerësuar këtë njeri në këtë formë të përcaktuar nga ana jonë, para këtij auditori të nderuar me personalitete, shokë, miq e njerëz të afërm të Shefqet Hoxhës”. Kurse vlerësimi që iu nda Shefqet Hoxhës, ka në përmbajtjen e tij:
Shoqata Mbarëkombetare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, përmes vendimit Nr. 166, 05.04.2019, për dhënien e Çmimit: “Robert Elsie”, dukë u mbështetur në propozimin që i ka ardhur kësaj Shoqate nga sektori i vlerësimit të personaliteteve, në zbatim të kritereve të përcaktuara në vendimin normues Nr. 12 datë,16.09.2006, “Për përcaktimin e titujve të nderit”, i pasuruar përmes vendimeve të tjera, në kuadër të nëntë vjetorit të jetësimit të nismës së kësaj shoqate që “Festa e Plisit të Bardhë” të shpallet si festë mbarëkombëtare shqiptare; mbajtjes së edicionit të 16- të të Festës së Bytyçit, si edhe 85-vjetorit të lindjes së tij, me votim konsesual vendosi:
Çmimi “Robert Elsie”, T’i jepet z. Shefqet Qamil Hoxha, Dokor Shkencash, Me motivacionin:
“Si personalitet shkencor, më punën e tij të dijshme, pasionante dhe plot sakrifica, me thjeshtësi, ndër vite ka arritur që të gjurmojë, identifikojë, studiojë, mbledhë, analizojë e fiksojë me profesionalizëm në shumë vepra të botuara apo në dorëshkrim, trashëgiminë tonë të pasur folklorike, leksikologjike, historike, kanunore, dokësore dhe etno-kulturore, kryesisht në ato pika referuese të trevave shqiptare, ku ajo ka qenë dhe është akoma e ruajtur me vlerat e tyre origjinale, duke ua lenë si trashëgimi fondamentale brezave të ardhshëm”.
Për Shoqatën Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë – Prizren.
S E K R E T A R I K R Y E T A R I
Fatmir Mus Muhametaj Av. Agron Isa Gjedia
Përmes atij çmimi të normuar nga ana e Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë – Prizren, përveçse qëllimisht dhe në mënyrë të merituar është përjetësuar edhe në ketë formë të mundshme, albanologu i shquar Kanadez, Robert Elsie, i cili jo vetëm kontribui në shkencën albanologjike, por e deshi më së shumti vendin tonë duke porositur varrimin e tij në bjeshkët epike të Shqipërisë.
Por njëkohësisht me atë çmim si etalon matës i kontributeve në albanalogji, vlerësohen edhe personalitete kontribuese në atë shkencë sikurse edhe rasti i z. Shefqet Hoxha.
Gjatë dorëzimit të çmimit, për të mos qenë të “kursyer” e në kohezion me ata që dëshirojmë, iu urua Shefqet Hoxhës, një jetëgjatësi 110 vjeçare, duke mos reshtur së punuari dhe shkruari ashtu sikurse edhe deri sot, edhe shumë e shumë vepra të tjera me rëndësi për albanologjinë.
Kurse në fund ashtu sikurse e do rradha dhe zakoni, foli profesor Hoxha, përcjellur me fjalët e tij të falenderimit.
Nga Agron Isa Gjedia