Universiteti Bujqësor është unik dhe i pakrahasueshëm me Universitetet e tjera.
Universiteti Bujqësor i Tiranës, për nga specifikat e kurrikulave dhe programeve mësimore që zhvillohen, për nga specifikat e praktikave mësimore e profesionale që duhet të kryhen mbi bimët dhe kafshët që rriten në ambjente të hapura, për nga specifikat e hapësirave të gjëra që duhen për bazën e mekanikës bujqësore e blegtorale, për nga specifikat e hapësirave të tjera që duhen për stallat dhe klinikën veterinare, për vreshtin dhe pemëtoret didaktike, për koleksionet dhe kopshtin botanik, për serat e kultivimit të luleve dhe perimeve, për kantinat e pijeve alkoolike, etj, njëlloj si në të gjitha vendet e tjera të botës, është unik, është shumë kompleks dhe i pakrahasueshëm me asnjë nga Universitetet e tjera të vendit. Për arsyet e mësipërme, funksionimi dhe problematikat e Universitetit Bujqësor të Tiranës, janë pak ose aspak të njohura e të kuptueshme për ata që nuk e kanë jetuar dhe që nuk e njohin nga afër bujqësinë, blegtorinë dhe specifikat e zhvillimit rural, ushqimor, agroindustrial dhe agroturistik.
Infrastruktura mësimore e Universitetit Bujqësor duhet të rritet e jo të reduktohet.
Që nga viti 1951 e deri me datën 3 Prill 2019, pavarësisht nga rregjimet dhe ekipet qeverisëse, UBT ka arritur që të funksionojë si një Kampus Universitar i ngritur sipas një projekti fillestar harmonik e të mirë. Në këtë kampus nuk ka asgjë të tepërt as kaotike. Çdo hapësirë dhe objekt është në pozicionin më të mirë të mundshëm dhe në funksionin e tij të pazëvendësueshëm. Për të gjithë ata drejtues apo qytetarë, përfshirë këtu dhe gazetarët që nuk kanë njohuritë e nevojshme mbi disa prej specifikave të prodhimit bujqësor dhe teknologjive bujqësore e blegtorale, po sjell disa fakte në lidhje me strukturën ekzistuese të Universitetit, që sipas përvojës dhe njohurive të mia, jo vetëm që nuk mund të reduktohet më shumë, por përkundrazi, duhet që të financohet për ta ringritur dhe shtuar me hapësira, me kapacitete, me godina dhe me laboratore të reja. Për të gjithë ata që nuk kanë qënë as studentë dhe as punonjës të këtij Kampusi Universitar e që hapësirat e tij të gjelbërta mund të ju duken si pyje, si livadhe apo si djerrina të përshtatshme për t’i kthyer në troje ndërtimi, po sjell në kujtesë disa fakte të njohura e lehtësisht të verifikueshme nga të gjitha mediat, politikanët dhe institucionet e vendimmarrjes. Nga viti 1990 deri në vitin 2019, numri i studentëve në këtë kampus është rritur nga 2500 në rreth 12000, ndërsa sipërfaqja e gjelbërt (m2/student) është reduktuar mbi tetë herë. Pavarësisht nga humbja e murit rrethues dhe humbja e një pjese të vogël të territorit të Kampusit (kryesisht nga ndërtimet pa leje), pavarësisht edhe nga dëmet e shkaktuara nga zjarri i vitit 1997, përsëri sipërfaqja e Kampusit Universitar u arrit që të mbrohej e të ruhej deri në ditët e sotme si një strukturë e mirëfilltë funksionale dhe në shërbim të plotë të mësimit dhe të kërkimit shkëncor. Në këtë mënyrë, stafi ja doli që të ruante mjedisin unik së bashku me komplekset e godinave të Fakulteteve të Bujqësisë, të Ekonomikut, të Pyjeve, të Veterinarisë, të Mekanikës Bujqësore, etj. Gjithashtu u ruajtën të pacënuara edhe godina e biblotekës dhe ajo e laboratorit ku sot është vendosur stafi i Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit. Meqënëse praktikat tona mësimore, në mbi 90% të disiplinave shkencore të formimit profesional zhvillohen në natyrë, direkt mbi bimët, mbi kultivarët, mbi llojet e drurëve, mbi kafshët, mbi tokën dhe mbi agregatët e makinave bujqësore, etj, ky Universitet nuk mund të mendohet që të mund të ekzistojë e të funksionojë pa patur vreshtën didaktike, si dhe koleksionin pomologjik dhe ampelografik, llojet kryesore të drurëve frutorë e pyjorë të rajonit, kopshtin botanik me speciet barishtore e shkurrore, serën e prodhimit të luleve dhe perimeve, spitalin veterinar, kantinën e përpunimit të rrushit, etj. Që të gjitha këto kanë qenë dhe duhet që të rifunksionalizohën pasi mungesa e tyre e pamundëson zhvillimin normal të mësimit për studentët dhe specialistët e bujqësisë, blegtorisë, mjedisit, lulishteve, bioteknologjisë, pyjeve, etj.
Ndërtimi i shkollës në zëmër të territorit, e shkatërron funksionimin e Kampusit të UBT-së.
Në vitet 2015-2019, falë menaxhimit, bashkëpunimit dhe dëshires së mirë të drejtuesve të zgjedhur të UBT, si dhe mbështetjes që dha kryeministri aktual Edi Rama, u arrit që të lirohen godinat e bllokuara nga banorët, si dhe disa nga hapësirat e zaptuara nga ndërtimet pa leje të lokaleve të shërbimit. Pas kësaj ndihme inkurajuese, përsëri nën kujdesin e kryeministrit u hartua dhe u miratua në senat dhe në Këshillin e Rregullimit të Territorit edhe masterplani i zhvillimit të Kampusit të plotë Universitar. Bashkë me kalimin ligjor të këtij dokumenti të rëndësishëm, kryeministri i vendit dha edhe dy lajme të tjera të gëzueshme. Njëri lajm ka të bëjë me fondin që u akordua për ndërtimin e murit rrethues të Kampusit në të gjithë gjatësinë e tij (muri tashmë është përfunduar), ndërsa tjetri lajm ka të bëjë me fjalën që ai dha duke u bërë garant edhe për shpronësimet, pa cënuar asnjë metër katror të Kampusit Universitar. Në këtë masterplan, toka ku aktualisht na thuhet se do të ndërtohet shkolla, ndodhet në mesin e hapësirës së Kampusit, ndodhet në nyjën që lidh godinat e fakulteteve. Në këto kushte, ndërtimi i shkollës do ta shkatërrojë anën funksionale dhe komunikuese të Kampusit. Kujtoj faktin që në këtë sipërfaqe, sipas masterplanit të vitit 2017, është planifikuar që të ndërtohet koleksioni pomologjik, ndërsa në parcelën me sipërfaqe 4 ha e që ndodhet ngjitur me të, është planifikuar që të ndërtohet një vreshtë didaktike. Parcela që aktualisht është rrethuar për ndërtimin e shkollës së re nuk ka qenë për asnjë ditë tokë djerr dhe as tokë e tepërt për Universitetin. Deri në vitin 1990 ajo ka qenë vreshtë didaktike. Aty janë kultivuar 350 kultivarë rrushi. Duke filluar nga viti 1965 deri në vitin 1990, leksionet e vreshtarisë dhe të pemëtarisë zhvilloheshin në klasat e katit të dytë, ndërsa praktikat bëheshin 40-60 m larg nga klasat, studentët për 2-3 minuta rrugë arrinin tek praktikat në hapësirën e vreshtave. Edhe në vitet 1990-2019, në këtë hapësirë (që disa njerëzve ju është dukur si tokë djerr), janë zhvilluar dhe vazhdojnë që të zhvillohen praktikat e sistemimit dhe kullimit të tokave, ato të piketimit dhe ujitjes së vreshtave dhe pemëtoreve. Në këtë hapësirë zhvillohen praktikat e hartografisë dhe topografisë bujqësore, si dhe praktikat e tjera në ullishtari, agrumikulturë, pylltari, bërthamore, etj. Në këtë hapësirë të Kampusit Universitar nuk ka asnjë pemë apo shkurre të pa regjistruar dhe pa një qëllim dhe funksion të caktuar. Që të gjitha bimët, përfshirë edhe atë që ka mbjellë vitin e kaluar Z. Erion Veliaj, kanë një histori, kanë një emërtim shkencor, kanë një përshkrim dhe një teknologji të studjuar të kultivimit dhe të ekspozimit të tyre. Me këto pemë dhe hapësira mësojnë dhe përgatiten specialistët e rinj e të vjetër të bujqësisë. Zanati ynë nuk është për epruveta dhe nuk mund të mësohet as ushtrohet brenda mureve me tavolina dhe kompjutëra. Në këtë hapësirë të masterplanit të miratuar të Kampusit Universitar, që në vitin 2017 na u premtua që do të financohej edhe ndërtimi i dy godinave funksionale, njëra do të shërbente për Fakultetin e Bioteknologjisë dhe tjetra si Klinikë Vetrinare. Në këtë mënyrë, kryeministri aktual Z. Edi Rama, si asnjë kryeministër tjetër i Shqipërisë, në më pak se 3 vite, e vizitoj Universitetin tonë rreth 7 herë duke parë nga afër problemet, rrethimin, rrugët, parcelat, këndin sportiv dhe ish fjetoret e degraduara. Si asnjë kryeministër tjetër, ndërhyri me forca dhe fadroma dhe e çliroj Kampusin nga banesat dhe nga lokalet pa leje, si dhe nxiti financimin për asfaltimin e rrugëve, për rindërtimin e lulishteve dhe për rrethimin e menjëhershëm të Kampusit me mur rrethues.
Përse duhet shkatërruar gjithë ky investim, kur për shkollën e re ka plot hapësira të tjera?
Ndërtimi i një apo dy shkollave të reja për fëmijët e banorëve të ardhur pas vitit 1990, është një lajm shumë i gëzuar për mua dhe për studentët. Ndërtimi i këtyre shkollave brenda murit rrethues të Kampusit Universitar, në kushtet e një diskutimi normal që duhet të ishte bërë me parë me drejtuesit e Universitetit, është plotësisht e mundur që të bëhet duke i planifikuar dhe ndërtuar shkollat në të tjera hapësira të lira. Shkollat mund të ndërtohen atje ku nuk e cënojnë funksionalitetin dhe kumunikimin midis fakulteteve dhe laboratorëve. Mjafton një spostim i truallit me vetëm 50-100 m, në parcelën prej 4 ha, sipër godinës së veterinarisë ku mund të ndërtohen 2 apo 3 shkolla të tilla e që do të shërbenin si një zgjidhje shumë më e mirë për fëmijët e banorëve dhe për ruajtjen e identitetit të Kampusit Universitar. Shkolla mund të ndërtohet edhe në hapësira të tjera si psh në afërsi të fushës së sportit ose në hapësirat që ndodhen tek ish godinat e fjetjes së studentëve. Në të tilla kushte e mundësi, shkolla nuk mund të ndërtohet në mes të Kampusit, aty ku shkatërrohet komunikimi dhe funksionaliteti i UBT-së. Vendimi dhe këmbëngulja për të ndërtuar shkollën e re në vendin që aktualisht është rrethuar me llamarina, është sjellja më e gabuar ndaj Universitetit, stafit pedagogjik, studentëve dhe të gjithë brezave që kanë dalë nga ky Universitet. Në kushtet aktuale, kur brenda murit rrethues të Universitetit ka variante (hapësira) të tjera të shkëlqyera për truall ndërtimi, duhet të bëhemi të përgjegjshëm dhe bashkëpunues në shërbim të ndërtimit të shkollës së re dhe ruajtjes së identitetit dhe funksionalitetin e Kampusit të Universitetit Bujqësor. Në të tilla kushte dhe për të tilla zgjidhje, nuk është e nevojshme që të humbasim asnjë orë mësimi dhe asnjë minutë kohë dhe energji me debate, me hamendësime dhe as me sofizma dhe demagogji.