Shoqata “Skivjani” me seli në Zvicër, e cila në kuadrin e saj përfshinë mërgimtarët skivjanas të emigruar në Zvicër, Europë, SH.B.A. dhe vende të tjera, ka riaktualizuar veprimtarinë e saj në prillin e vitit të kaluar.

Pikërisht në përvjetorin e riaktualizimit të punës së saj, kjo Shoqatë ka marrë përsipër investimin e realizimit të plotë të Sheshit në qendër të fshatit Skivjan, të komunës së Gjakovës.

Mërgimtarët skivjanas të mërguar anë e mbanë botës si dhe qytetarë të tjerë me vlera humane, kanë kontribuar modestisht me anëtarësinë dhe donacionet e tyre si rezultat i së cilës ka ardhur edhe deri te konkretizimi i projektit për ndërtimin e Sheshit në qendër të fshatit Skivjan.

Realizimin e punimeve është duke e bërë ndërmarrja e mirënjohur “Letaj“, e cila ka premtuar dorëzimin me kohë të kësaj vepre me rëndësi jetike jo vetëm për fshatin tone, por edhe më gjerë.

Shoqata “Skivjani” në Zvicër, kryesia dhe strukturat e saj falenderojnë mërgimtarët skivjanas si dhe qytetarët e tjerë për kontributet e tyre në formë anëtarësie dhe donacionesh dhe u shpreh atyre mirënjohje të pafund.

Po ashtu një falënderim u shkon edhe strukturave të fshatit Skivjan, arkitektit, komisionit për mbikqyrjen e punimeve si dhe institucioneve ligjore të komunës së Gjakovës, të cilët kanë kontribuar me mbështetjen e tyre për realizimin e kësaj vepre.

Ndërtimi i sheshit ka filluar është në hovin e punimeve dhe pritet të inaugurohet me rastin e manifestimit të ditës së dëshmorëve dhe martirëve të fshatit Skivjan.

Shoqata  “Skivjani” edhe një herë u bënë thirrrje të gjithë mërgimtarëve skivjanas në të gjithë botën, të cilët kanë të ardhura të rregullta, që të bëhen pjesë e Shoqatës duke paguar anëtarësinë e përcaktuar nga Kuvendi i saj.

Projekti në realizim është vetëm fillimi i punëve të mira e të mbara për fshatin tonë. Shpresojmë fuqimisht në vlerat humane të qytetarëve tanë në botën e jashtme dhe jemi plot optimizëm se së bashku mund ta bëjmë fshatin tonë shembull edhe për fshatrat tjera të komunës së Gjakovës dhe më gjerë.

 

 Shoqata “SKIVJANI”(Kryesia)

                        ZVICËR