Presidenti i Algjerisë, Abdelaziz Bouteflika, dha dorëheqjen të martën pas 20 vjetësh në detyrë dhe gjashtë javë protestash masive mbarëkombëtare, që synonin ta rrëzonin atë dhe rrethin e tij të ngushtë shumë të kritikuar nga pushteti, për të krijuar një demokraci të vërtetë në kombin e pasur me gaz.
Njoftimi pasoi një thirrje të rreptë nga shefi i fuqishëm i ushtrisë drejtuar presidentit Bouteflika, 82 vjeç dhe i sëmurë, që të pranojë “menjëherë” propozimin e tij për t’u larguar duke respektuar kushtetutën.
Nuk është bërë e qartë se kush do të zërë vendin e tij, por, sipas kushtetutës, kryetari i dhomës së lartë të parlamentit merr përsipër udhëheqjen më së shumti për 90 ditë dhe ndërkohë duhet të mbahen zgjedhjet.
Agjencia zyrtare e lajmeve APS, tha se presidenti Bouteflika e ka njoftuar Këshillin Kushtetues për vendimin e tij që t’i jap fund mandatit.
Shefi i Armatës, gjenerali Ahmed Gaid Salah, më herët gjatë ditës mblodhi hierarkinë më të lartë ushtarake, duke i bërë të qartë presidentit Bouteflika se nuk e ka më mbështetjen e ushtrisë, një nga më të rëndësishmet në kontinentin afrikan.
Presidenti Bouteflika është parë shumë rrallë në publik që nga viti 2013 kur ishte sëmurë.