Në Turqi po zhvillohen votimet në zgjedhjet lokale që shihen si një sprovë e fortë për Presidentin Recep Tayyip Erdogan, ku partia e tij rrezikon të humbë postet e kryebashkiakëve të Stambollit dhe Ankarasë.
Recesioni ekonomik dhe inflacioni i thellë janë motivet kryesore në zgjedhjet që bëjnë sot votuesit turq.
Rezultati për Stambollin, qyteti më i madh i Turqisë, njëkohësisht edhe qendra financiare e vendit, ende është vështirë të parashikohet.
Megjithëse emri i Presidentit Erdogan nuk është në fletëvotime, ai ishte i përfshirë direkt në fushatën për zgjedhjet lokale. Shumë analistë e komentuan angazhimin e tij si shenjë se ai është realisht i shqetësuar se partia e tij mund të humbasë në gara kryesore. Zoti Erdogan zhvilloi dhjetëra tubime gjatë ditëve të fundit në Stamboll për të konsoliduar mbështetjen për partinë e tij.
Në të gjitha fjalimet ai përpiqet të largojë vëmendjen nga ekonomia duke u përqëndruar tek siguria e vendit dhe duke ngritur shqetësime për kërcënime nga separatistët kurdë.
Një temë tjetër ka qenë axhenda e tij fetare. Ai ka luajtur në disa tubime momente nga masakra e 50 myslimanëve në dy xhami në Zelandën e Re, duke e prezantuar veten si mbrojtës të myslimanëve në mbarë botën. Analistët thonë se kjo retorikë ka qenë gjithmonë e suksesshme me bazën e tij nacionaliste dhe fetare.