Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo njoftoi se Shtetet e Bashkuara po reduktojnë fondet për Organizatën e Shteteve Amerikane, si pjesë e një rregulli të ri i cili parandalon që fondet e ndihmës amerikane të përdoren për aborte apo lobim për abortet.
Gjatë komenteve të tij të martën zoti Pompeo tha se “kjo administratë ka treguar se mund të vazhdojë t’i përmbushë qëllimet e saj kritike botërore lidhur me shëndetësinë, përfshirë dhe garantimin e kujdesit shëndetësor për gratë paralelisht me refuzimin për të subvencionuar vrasjen e foshnjave të palindura“.
Politika amerikane, e cila aktualisht ka ndaluar përdorimin e parave për të reklamuar apo ofruar shërbime aborti, tanimë do të zbatohet edhe ndaj grupeve që u japin fonde amerikane, organizatave të tjera të cilat mbështesin ose lobojnë për abortin.
Politika u rivendos në vitin 2017 me kërkesën që organizatat e huaja joqeveritare që marrin fonde për planifikimn familjar nga Shtetet e Bashkuara, të vërtetojnë se nuk ofrojnë shërbime, apo këshilla për të abortuar.
Ndërsa kritikët i referohen kësaj politike si një “rregull që ndalon diskutimin publik mbi këtë çështje” dhe thonë se ai dëmton kujdesin riprodhues dhe iniciativat për shëndetin e grave, zoti Pompeo tha se “paratë e taksapaguesve amerikanë nuk do të përdoren për të nënshkruar aborte“.