Paraqitesh në bankë çdo gjashtë muaj, për «deklaratë gjallese»(!): jam gjallë, ja letërnjoftimi. Pas kësaj të derdhin pensionin.
Formalitet i thjeshtë, më pak se një minutë punë.
Për këtë duhet të presësh në radhë. Njësoj si klientët që kryejnë procedura financiare, që zgjatin me orë. Dhe që janë moshë e re.
Për një formalitet rutinë. Më pak se një minutë punë.
Punonjësja ka edhe një tjetër befasi: «Garantuesin?». Ç’garantues zonjë. Banka s’ka njoftuar.
«Është vënë rregull, banka po reformohet. Përndryshe s’derdhen paret”.
Ke humbur ditën duke pritur. Dikush me trinitrin nën gjuhë!
Për një formalitet rutinë. Më pak se një minutë punë.
Duhet të rifillosh nga e para.
Duhet të gjesh edhe një të gjallë, që pranon me humbë ditën me ty. Për t’u bërë «garant» për diçka që ai s’e kupton.
Që s’e kupton as ti.
Duhet të vdesësh duke pritur në radhë bashkë, që të binden se je gjallë.
Për një formalitet rutinë. Më pak se një minutë punë.
Ditën tjetër merr frymë fort, shkon drejt bankomatit. Urra, bën shtatorja e partizanit të panjohur!
25 mars 2019