Deutsche Welle: Zoti President, ju keni patur takim me homologun tuaj gjerman. Me çfarë mesazhi jeni kthyer nga ky takim?
Milo Gjukanoviç: Me mesazhin e thellimit të mëtejshëm të angazhimit gjerman për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të Malit të Zi si një vend që i paraprin procesit të integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian dhe NATO.
DW: Mali i Zi e sheh veten si parerendës në procesin e afrimit të vendeve të rajonit me Bashkimin Europian. Ju keni pasur mjaft suksese në këtë plan, por keni tani edhe demonstrata kundër jush. Ju akuzojnë për korrupsion dhe citojnë disa raste, kërkojnë që të largoheni nga detyra. Si reagoni ndaj akuzave kaq të ashpra?
Gjukanoviç: Si diçka që është e zakonshme. Kjo nuk është asgjë e re – siç e dini, që nga koha e viteve nëntëdhjetë e deri sot kam patur gjithmonë kritikues, të cilët kanë qenë shumë të ashpër ndaj politikës që kam personifikuar dhe ata kanë shfrytëzuar pak a shumë çdo mundësi për të kërkuar zëvendësimin tim, çka do të krijonte hapësirë për një tjetër politikë nga ajo që ndjek unë.
Politika që unë personifikoj është politika e një kthese të fortë të Malit të Zi dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt qëllimit tonë të përbashkët evropian. Siç e dini, jo të gjithë njerëzit në Mal të Zi dhe në rajon mbështesin një perspektivë të tillë. Ata mendojnë se një zhvillim në tjetër drejtim, që do të ishte më shumë konservim i politikës së ndjekur para viteve nëntëdhjetë – i një politike që në thelb do ta largonte Ballkanin Perëndimor nga Evropa – do të ishte zgjidhja më e mirë. E kjo është luftë politike, që është bërë e që bëhet ende jo vetëm në Mal të Zi, por në të gjitha vendet e rajonit. Kështu që këto kërkesa nuk më surprizojnë. Në lidhje me to përgjigja ime është gjithmonë e njëjta: jam i gatshëm të bisedojmë hapur me të gjithë njerëzit, që kanë propozime për politika të tjera për Malin e Zi, por natyrisht pa kurrfarë ultimatumesh dhe ndryshimesh jashtë-institucionale, për arsye se mendoj se kjo nuk është në interesin e Malit të Zi.
Prej 30 vjetësh që nga kthesa e madhe politike e Malit të Zi në vitet ’90 punoj që të kemi zhvillim institucional në Mal të Zi. Mendoj se kemi arritur të bëjmë shumë. Të gjitha ndryshimet që duhet të ndodhin në Mal të Zi, duhet të ndodhin në përputhje me rregullat, të gjitha i kemi shkruar vetë në kushtetutën dhe në legjislacionin tonë.
DW: Në Berlin ju thatë se qeveria malazeze është e gatshme të bisedojë me ata që udhëheqin formalisht protestat. Çfarë do të thotë kjo konkretisht?
Gjukanoviç: Përderisa njerëzit kanë kërkesa dhe pritshmëri të caktuara ndaj qeverisë së Malit të Zi dhe përderisa janë njerëz që nuk janë në parti politike, por siç thonë vetë, udhëheqës të protestave civile, mendoj se çdo pushtet i përgjegjshëm duhet të thotë se protestat janë mënyrë legjitime e shprehjes së vullnetit politik. Që këtyre njerëzve – nëse nuk renditen në parti, as të pushtetit e as të opozitës – u duhet dhënë mundësia që të kontaktojnë me qeverinë dhe t’i paraqesin asaj propozimet e tyre në mënyrë që të mund të bisedohet për to me përfaqësuesit e pushtetit, sepse mendoj se kjo është dëshmi e kapacitetit demokratik të qeverisë dhe dëshmi e përgjegjësisë dhe përkushtimit të qeverisë për interesat e qytetarëve.
DW: Me këtë iu përgjigjet thuajse edhe pyetjes tjetër që desha të bëj: Dje thatë edhe se protestat në Mal të Zi, Serbi dhe Shqipëri janë tregues i përparimit të Ballkanit Perëndimor. Në Ballkanin Perëndimor ka patur protesta që nga vitet *90. Çfarë është ndryshe tani.
Gjukanoviç: Ndryshimi është – flas për Malin e Zi – se këto protesta deri tani nuk kanë karakter të dhunshëm, nuk mbartin idenë e shkatërrimit të institucioneve, shkatërrimit të ndërtesave ku janë vendosur institucionet malazeze, siç ka qenë rasti në protestat e vitit 2015, siç ka qenë me protestat e organizuara dhe të përgatitura në ditën e zgjedhjeve në vitin 2016. Tani kemi protesta, në të cilat qytetarët shprehin kërkesat e tyre dhe përgjigja e qeverisë është: protestat janë mënyrë e ligjshme e shprehjes së qëndrimeve politike të njerëzve, e ne jemi të gatshëm të bisedojmë me njerëzit që drejtojnë këto protesta për kërkesat e tyre. Në këtë kontekst mendoj se ky përbën një përparim dhe është tregues i pjekurisë politike. Flas në këtë rast për shoqërinë malazeze.
DW: Çfarë mendoni për akuzat që vijnë nga Serbia në lidhje me protestat atje – Presidenti Vuçiç dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë përmendur disa herë të ashtuquajturin “skenar maqedonas”. Akuzojnë vendin fqinj Maqedoninë e Veriut që në një farë mënyre mbështet opozitën dhe përzihet në ngjarjet. A mendoni se ka një të vërtetë këtu?
Gjukanoviç: Është vërtet e vështirë për mua të gjykoj. Nuk e shmang këtë çështje, por nuk jam në dijeni të plotë nëse ka edhe interesa të tjera në organizimin e protestave në Beograd. Thashë dje, në bisedën së cilës ju iu referuat, dhe këtë dëshiroj ta përsëris, se të gjitha këto protesta në rajon – si në Serbi, në Shqipëri dhe në Mal të Zi – kanë një fill të përbashkët. Kjo fije e përbashkët është një nervozizëm dhe dëshirë e dukshme për të ndryshuar pushtetin në një mënyrë ndryshme nga ç’e parashikon kushtetuta dhe ligji. Kushtetuta dhe ligji parashikojnë që pushteti të zgjidhet në zgjedhje dhe të jetë shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve.
Siç e dini, pikërisht për shkak të mungesës së besimit në kapacitetin demokratik të shoqërive të Ballkanit Perëndimor, proceset tona zgjedhore kanë edhe monitorim shtesë. Këto janë misionet vëzhguese të OSBE-së, të Këshillit të Evropës. Ata jo vetëm ndjekin procesin zgjedhor; pas çdo procesi zgjedhor ata japin sugjerime se si të përmirësohet sistemi ynë zgjedhor. Kështu që nga përvoja malazeze mund t’ju them se ne kemi përmirësuar dhe e përmirësojmë më tej sistemin tonë zgjedhor dhe se është vlerësimi i atyre që kontrollojnë modelin tonë elektoral që ai është shumë pranë asaj, që quhet praktikë e mirë zgjedhore evropiane.
Prandaj mendoj se kërkesat për ndryshim të pushtetit jashtë institucioneve dhe asaj që parashikohet nga sistemi ynë ligjor, sistemi ynë zgjedhor, nuk janë propozime të mira, janë sugjerime të papërgjegjshme, janë propozime që në fakt shkatërrojnë institucionet. Dhe kur shkatërroni institucionet, shkatërroni vetë shtetin. Dhe shtetet dhe institucionet janë në Ballkan krijesa të brishta. Ne punojmë për to, të them, vetëm dekadat e fundit. Dhe për këtë besojmë se nuk është mirë të shfaqet një tendencë të tillë dhe konstatojmë se një tendencë të tillë ekziston në të gjitha vendet që përmendëm, në të cilat aktualisht zhvillohen protesta. Unë gjithashtu kam vërejtur, dhe këtë dua të ndaj me ju, që insistohet në këto protesta dhe ndryshime të tilla të pushtetit, madje edhe kur është krejtësisht e qartë se me to do të dëmtohen disa prej interesave thelbësore kombëtare të këtyre shteteve.
Shqipëria ndodhet para hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Sot BE bën të ditur se një atmosferë e tillë mund të çojë në shtyrjen e fillimit të negociatave me Shqipërinë. Kjo po ndodh. Që ta përsëris: Më duket se ka një fill të përbashkët në këto protesta, se insistohet në zgjidhjet jashtë institucionale, insistohet në ndryshimin e pushtetit, madje edhe atëherë kur kjo rrezikon dinamikën e disa proceseve, që janë të rëndësishme nga pikëpamja e interesave kombëtare të këtyre shteteve.
DW: A ka tek ju në Mal të Zi termi “skenar maqedonas” konotacion aq negativ sa në Serbi? A përdoret ndopak?
Gjukanoviç: Nuk përdoret në Mal të Zi; nganjëherë e përmend ndonjë nga opozita … Dua të them se në Maqedoni në fund u bënë zgjedhjet dhe në këto zgjedhje u vendos vullneti demokratik i qytetarëve në Maqedoni; në bazë të këtij vullneti u konstituua pushteti, i cili në një kohë të shkurtër tregoi kapacitet për të zgjidhur një problem të zgjatur dhe të trashëguar të marrëdhënieve maqedono-greke dhe hapi perspektivën e anëtarësimit të afërt të Maqedonisë në NATO dhe fillimin e procesit të afërt të negociatave të Maqedonisë me Bashkimi Evropian.
DW: Një tjetër temë që përmendet, kur është fjala për Malin e Zi: ekologjia. Ajo është tek ju pjesë e Kushtetutës, Mali i Zi është republikë ekologjike me kushtetutë. Megjithatë, jo larg Ulqinit është kriporja, e cila është ornitologjike dhe shumë interesante përsa i përket biodiversitetit, por nuk është e mbrojtur sipas standardeve evropiane – për shkak të privatizimit të disa viteve më parë, që ende nuk ka përfunduar. Atëherë kur u privatizua, ju keni qenë kryetar i qeverisë së Malit të Zi dhe jo president si sot. BE dhe Parlamenti Europian kanë kërkuar nga Mali i Zi që ta ruajnë këtë kripore si terren ekologjik. Po humbisni rastin për të krijuar Malin e Zi ekologjik?
Gjukanoviç: Ju përmendët disa fakte, por latë dimensionin kohor. Pra, në vitet 1990, Mali i Zi u shpall shtet ekologjik dhe shfaqi synimin të vendosë standarde, që do të ruanin me të vërtetë një mjedis shumë cilësor. Pas kësaj kemi pasur procesin e privatizimit. Unë nuk kam qenë kryetar i qeverisë, kur është privatizuar kriporja, por kjo nuk do të thotë që nuk isha në jetën politike; Unë isha kryetar i shtetit – siç jam sot …
Pse e di që është kështu? “Sepse kriporja është privatizuar përmes skemës Voucher. Privatizimi me sistemin “Voucher” është bërë në një kohë, kur unë nuk isha kryetar i qeverisë. Megjithatë, unë nuk kam ndonjë rezervë këtu, pra privatizimi është bërë sipas rregullave të përcaktuara nga shteti. Pas kësaj, si në këtë dhe në disa raste të tjera, janë shfaqur dobësi në punën e këtyre kompanive, kështu që kriporja pas një farë kohe e ndërpreu prodhimin. Ndërprerja e prodhimit nënkupton në të njëjtën kohë përkeqësimin e infrastrukturës së nevojshme për ruajtjen e këtij habitati të shpendëve në hapësirën e kripores. Pasi e identifikuam këtë problem – jo vetëm ne, por edhe disa miq nga bashkësia ndërkombëtare – nisi procesi i mbrojtjes së kripores. Kështu kjo është një punë, me të cilën kemi të bëjmë gjatë këtyre viteve të fundit, dhe pak më parë folëm për kohën e viteve nëntëdhjetë.
Qeveria e Malit të Zi është e lidhur me Komisionin Evropian. Është bërë një studim i përbashkët për mbrojtjen e kripores. Ky studim është miratuar. Ka qenë në debat publik në Ulqin, sepse është çështje e Ulqinit, dëgjimi publik përfundoi më 31 janar 2019 dhe tani pritet që pikëpamjet që janë dëgjuar nga debati publik t’i propozohen Kuvendit për miratim. Unë besoj se ky propozim do të miratohet dhe se hapësira e kripores do të jetë një hapësirë, që do të gëzojë mbrojtje në periudhën e ardhshme. Që do të thotë, se me siguri do të kenë statusin e parkut natyror.
DW: Për këtë arsye është e nevojshme të tërhiqet privatizimi. Ju në Kuvendin e Malit të Zi keni thënë se Eurofond – kështu është emri i firmës, apo jo? – e ka marrë kriporen për përdorim. Por kjo firmë mendon se e ka blerë hapësirën dhe se kriporja është pronë e saj. Çfarë është e saktë këtu dhe çfarë jo?
Gjukanoviç: Që të ndodhë ajo për të cilën flasim nuk do të thotë se nevojitet të tërhiqet privatizimi. Pra, nëse shteti dëshiron të shpallë një park natyror në një zonë të caktuar, këtë mund ta bëjë pavarësisht nëse ai është në pronësi shtetërore ose në një formë tjetër pronësie. Nëse është në një formë tjetër pronësie shteti është i detyruar të ofrojë kompensim për ata që kanë pronën e tyre private në atë zonë. Pra, problemi është i zgjidhur.
Së dyti, dikur e gjitha kjo ka qenë pronë shoqërore. Me miratimin e ligjit të marrëdhënieve me pronën, shteti i Mali të Zi ka parashikuar që toka që dikur ishte dhënë për përdorim, nëse ishte pjesë e një dosjeje privatizimi të një kompanie që privatizohet, të kalojë nga pronësia shoqërore në pronën e atij që e privatizon atë. Prandaj, nuk është fjala për kriporen; fjala është për çdo kompani që ka kaluar një procedurë të tillë privatizimi. Dhe, për aq sa di unë, çështja tani është në organin kompetent, Këshilli i Privatizimit nën kontrollin e Qeverisë së Malit të Zi dhe në organin kompetent të quajtur Mbrojtësi i marrëdhënieve pronësore-juridike të shtetit të Malit të Zi, kështu që është në procesin e arbitrazhit, në të cilin do të vendoset nëse në rastin e kripores janë plotësuar kushtet që toka, që dikur ka qenë në përdorim, të konsiderohet tani pronë e atij që e ka privatizuar ndërkohë kriporen.
Ndërkohë edhe qeveria ka investuar në rindërtimin e kripores, sepse fabrika në këtë kohë nuk ka punuar. Pra, kjo infrastrukturë është e rëndësishme për të ruajtur performancat e kësaj hapësire, që do të ishin të rëndësishme për habitatin e shpendëve. Shteti ndërkohë ia ka dhënë për administrim këtë hapësirë kompanisë publike, Parqet kombëtare. Si pasojë ka marrë përgjegjësinë direkte për ruajtjen e kësaj hapësire.
Të gjitha këto janë zgjidhje të përkohshme, përderisa, siç thashë, nuk është bërë studimi i mbrojtjes me ndihmën e Komisionit Evropian, përderisa nuk ka përfunduar debati publik, deri sa nuk është miratuar studimi në parlament, atëherë kjo zonë do të konsiderohet park natyror, një zonë e mbrojtur, në të cilën me siguri do të ruhen ato veçori të rëndësishme. Hapësira është rezervat për zogjtë dhe mendoj se ndërkohë me përpjekje të ndryshme, duke përfshirë organizimin e ri, pajisjet e reja etj. do të organizojmë edhe prodhimin e kripës.
DW: Në Podgoricë është temë, dhe së shpejti do të jepet vendimi për një grup shtetasish rusë dhe serbë dhe krerët e Frontit Demokratik opozitar malazeze, që akuzohen se pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016, kanë planifikuar sulmin ndaj parlamentit, arrestimin dhe likuidimin e kryeministrit të atëhershëm, që jeni ju, me qëllim parandalimin e hyrjes së Malit të Zi në NATO. Të akuzuarit që nga fillimi nuk e kanë pranuar fajësisë. Ata thonë se presin një gjyq dhe vendim të politizuar. Si e komentoni këtë?
Gjukanoviç: Po mirë, a prisni që dikush t’ju tregojë që herën e parë se ka marrë pjesë në rrëmujën që nevojitet për të siguruar ndryshimin e pushtetit në Mal të Zi, pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve? Ai besoj aktakuzës – absolutisht po! Dhe nuk është më e rëndësishmja, nëse vetëm unë besoj; kemi pasur mundësinë të dëgjojmë nga adresa të ndryshme vlerësime shumë të ngjashme.
Unë do t’ju kujtoj atë që tha, për shembull, Presidenti Vuçiç nga Beogradi, pasi u njoh me dokumentacionin e organeve të tyre të inteligjencës dhe sigurisë. Pas kësaj, unë do t’ju kujtoj një deklaratë të bërë nga nënkryetari USA Majk Pens; një vlerësim të bërë nga Ministri i Jashtëm britanik Boris Johnson dhe shumë zyrtarë të tjerë evropianë dhe botërorë, të cilët sigurisht vlerësime të tilla nuk i kanë bërë, pa u njohur me ato të dhëna, që shumë shpesh kanë karakter të shërbimeve të inteligjencës dhe të sigurisë.
Pra, nëse më pyesni a besoj në këtë: jo vetëm që besoj, por jam absolutisht i bindur nga një seri informatash, nga një seri argumentesh shumë të besueshme, se ka ekzistuar një skenar shumë i qartë, të cilin kanë krijuar shërbimet inteligjente ruse, që nga një platformë, e cila ishte formuar në Beograd, ku përfshihej një rreth njerëzish me orientim nacionalist nga Serbia, të gatshëm për të ndihmuar partitë opozitare dhe udhëheqësit e tyre në Malin e Zi, për të shkaktuar trazira dhe për të marrë parlamentin, për të deklaruar fitoren dhe në këtë mënyrë, pavarësisht nga numërimi i votave në ditën e zgjedhjeve të 16 tetorit 2016, të merrnin pushtetin dhe kështu të sigurohej që Mali i Zi të mos hyjë në rrugën e integrimit në NATO – pra për këtë jam absolutisht i bindur.
Fakti që unë jam i bindur, nuk do të thotë asgjë për njerëzit që marrin vendimet gjyqësor. Ky është rrëfimi im, që bazohet në faktet që kam, dhe ato i thotë një njeri i politikës. Pavarësisht nga kjo, siç e dini, prej më shumë se një viti e gjysmë vazhdon procesi gjyqësor në Podgoricë, ku analizohen rrënjësisht të gjitha provat, mbi bazën e të cilave gjykata – pres së shpejti – do të shpallë gjykimin e shkallës së parë. Më duket se është logjike, që të gjithë njerëzit e përfshirë në këtë proces pohojnë se nuk kanë të bëjnë fare me një qëllim të tillë, megjithëse e përsëris, një seri argumentesh, dëshmish dhe faktesh të tjera tregojnë se një synim i tillë absolutisht që ka ekzistuar
.
DW: Përveç korrupsionit dhe shqetësimeve ekologjike, ajo që kritikët shpesh thonë, është se ka presion të rregullt ndaj medias kritike dhe të pavarura në Malin e Zi. Ju dje i keni kritikuar përsëri mediat malazeze si parapolitike, dhe sidomos opozitaren “Vijesti”si gazetë fashiste. A i përshtaten këto fyerje këtyre gazetave. A është fjala “fashiste” shprehja për gazetat në Malin e Zi sot?
Gjukanoviç: Le t‘i shqyrtojmë të gjitha këto që cituat, thatë se është fjala për korrupsion, raporti im i papërgjegjshëm ndaj interesave të Malit të Zi e së treti – raporti me mediat. As më shkon ndër mend të them se në Mal të Zi nuk ka korrupsion. Nuk besoj se sot ekziston një vend në planet ku nuk ka korrupsion. Meqë është një shoqëri me një nivel të ulët të sundimit të ligjit dhe është ende në një tranzicion të vonuar, – shoqëritë që kanë qenë në territorin e ish-Jugosllavisë janë në tranzicion të vonuar për shkak të luftërave që kemi pasur gjatë viteve ’90, – atëherë mundësia që në këtë shoqëri të ketë korrupsion është më e lartë. Jemi duke u përpjekur që me forcimin e sistemit ligjor, t’i ndalim rrugën korrupsionit dhe krimit e siç e dini, jo vetëm që partnerët e NATO-s na kanë pranuar në përbërjen e tyre – dhe nuk do të na kishin pranuar si një shoqëri e korrupsionit – por edhe Komisioni Evropian së fundi ka nxjerrë një raport jozyrtar, në të cilën thotë se Mali i Zi ka bërë përparim në drejtim të vendosjes së sundimit të ligjit, se ai ka bërë progres jo vetëm në nivel legjislativ dhe institucional, por edhe në bilancin e rezultateve dhe sidomos në zgjidhjen e problemit të korrupsionit në nivel të lartë dhe krimit të organizuar. Megjithatë ky problem që ekziston si dhe tjetri do të zgjidhet sistematikisht.
Së dyti, a marr parasysh sa duhet interesat e Malit të Zi? Mendoj se i marr. E kam thënë dje dhe dua t’jua përsëris edhe juve. Në këto 30 vjet, që kritikët përpiqen t’i paraqesin si vite të humbura, Mali i Zi ka ruajtur paqen, ka promovuar harmoninë multietnike, e cila siç e shihni akoma nuk është vlerë që lulëzon plotësisht. Ka ende mosbesim në bashkëjetesa e feve dhe kombeve të ndryshme në Ballkan është e mundur – në Mal të Zi është: Së treti Mali i Zi ka përtërirë pavarësinë, të cilën e ka dëshiruar së paku një shekull, që nga humbja e shtetit në vitin 1918. Pas kësaj nisëm këtë rrugë të shtetit të Malit të Zi në sistemin evropian të vlerave dhe e futëm Malin e Zi në NATO, dhe sot e drejtojmë me shumë dinamizëm drejt synimit të tij evropian, dhe së fundi Mali i Zi është sot ekonomia më e zhvilluar në Ballkanin Perëndimor, që nuk ka qenë kurrë në historinë e tij. Nëse këto që kam përmendur janë arritje të pamjaftueshme, madje edhe nëse i shpërndan nëpër 30 vjet – dhe mendoj se do të ishin të mjaftueshme edhe për 100 vjet – atëherë kjo është me të vërtetë një çështje e perceptimit, për të cilin und ndryshoj shumë prej atyre që nxjerrin të tilla vlerësime për Malin e Zi sot.
Dhe së fundi, kur bëhet fjalë për median, ju e dini se Mali i Zi është sot një nga shembujt më të mirë të lirisë së medias jo vetëm në rajonin tonë. Këtu në Berlin pata mundësinë që të flisja mbi këtë temë me bashkëbisedues të ndryshëm dhe të them se në një farë mënyre në Mal të Zi prishet ajo formula që vlen si formulë e përgjithshme për suksesin e politikës. Politika dhe mediat në të vërtetë shkojnë dorë për dore dora, ata janë aleatë. Mendoj se është e vështirë të gjesh sot një vend evropian, ku të ketë kritika të tilla nga mediat me shumë ndikim, kritika ndaj qeverisë dhe që megjithatë kjo qeveri fiton në zgjedhje dhe arrin rezultatet që ju kujtova pak më parë.
Prandaj është e pamundur të thuhet se në Mal të Zi nuk ka pluralizëm mediatik dhe është e pamundur të thuhet se ndonjërës prej mediave në Mali të Zi i kufizohet e drejta për të përcaktuar lirisht politikën e saj. Por ka incidente. Para ca kohësh është plagosur një gazetare e një mediumi opozitar, është plagosur nga pjesëtarët e një grupi kriminal, të cilët me sa duket në larjen e hesapeve me kundërshtarët, donin të dërgonin një mesazh tek punonjësit e medias, që kanë supozuar se punonin kundër interesave të tyre – kjo ka ndodhur në Malin e Zi. Siç është edhe shumë e rëndësishme që Mali i Zi ka reaguar me ngritjen e një aktakuze kundër nëntë personave, për të cilët shteti mendon se kanë organizuar grupin kriminal dhe se kanë kryer këtë vepër penale, së shpejti do të dalin para gjyqit dhe me siguri do të marrin dënimin e merituar. Pra, dua të them se nuk ka asnjë kufizim të lirisë së mediave në Malin e Zi.
Ju më pyetët për vlerësimin si fashist të politikës editoriale dhe përse ky vlerësim. Unë e kam bërë atë me arsye dhe jo nga nervoziteti. Kam ndjekur së paku dhjetë tituj në atë gazetë, ku sugjerohet që njerëzit me mbiemrin tim nuk duhet të jenë qytetarë të të njëjtit rang në Malin e Zi, por që duhet të diskriminohen. Në faqen e parë shkruhet se djali im ka marrë kredi. Unë do të kisha mirëkuptim, që djali im ta meritonte artikullin kryesor, nëse nuk do ta kishte kthyer në kohë kredinë, edhe pse ka edhe njerëz që nuk e kthejnë në kohë kredinë e nuk dalin në faqen e parë. Unë e kuptoj interesimin e publikut për dikë që është në pushtet për një kohë të gjatë. Por nëse jepet një lajm i tillë, atëherë sugjerohet që ky njeri nuk është dashur të marrë kredi. Mos vallë se quhet si unë?
Më lejoni të bëjmë një paralele. Kemi kujtime nga historia kur disa njerez nuk kanë mundur të kenë të njëjtat të drejta për shkak i përkisnin një feje tjetër? Në këtë rast disa njerëz nuk duhet të kenë të drejta të njëjta, për shkak se i përkasin një familjeje apo një mbiemri. A nuk shohim ndonjë ngjashmëri këtu? A janë këto ide të rrezikshme? Mendoj se po. Unë mendoj se është hipokrizi ta fshehim këtë. Mendoj se në Evropë sot, për fat të keq, ka shumë hipokrizi, që nuk do të shohë deformime të caktuara, që ndodhin në skenën publike evropiane – për shkak të gjoja angazhimit për të drejtën absolute të mediave të pavarura.
Unë përgjithësisht jam shumë i rezervuar ndaj çdo të drejte absolute. Dhe nëse më jepni mua të drejtë absolute, atëherë druhem se do të jetë e rrezikuar e drejta jote.
Pra nuk mendoj se dikush mund të jetë krejtësisht i pakontrolluar. Nuk keni nevojë të më bindni sa i rëndësishëm është pluralizmi mediatik, që të kemi media të pavarura e profesionale, sa e rëndësishme është kjo për zhvillimin demokratik të shoqërisë. Por nga ana tjetër nësë insistohet për këtë si papagalli, atëherë kjo më duket më të vërtetë populiste, më duket e papërgjegjshme, më duket e gabuar, sepse poshtë kësaj lejoni të krijohen ide, që mund të jenë shumë të rrezikshme.
DW: Ju keni vlerësuar çmimin, që qeveria amerikane i ka dhënë reporteres Oliver Lakiç, e cila ka raportuar me tone shumë kritike ndaj jush dhe familjes suaj dhe vitin e kaluar është plagosur me armë zjarri. Megjithatë, ju keni folur pozitivisht për këtë dhe keni thënë se kjo është një shenjë e mirë për median në Mal të Zi. Në të njëjtën kohë për gazetat, në të cilat shkruan kolegia thoni se janë instrumente parapolitike, që synojnë të ndryshojnë pushtetin. Si mund të lidhen këto me njëra-tjetren?
Gjukanovic: Shumë thjeshtë. Unë nuk mendoj se në ndonjë redaksi çdo gazetar përfaqëson në qetësi të njëjtat ide politike të atyre që janë pronarë, ndoshta as të atyre që janë redaktorë. Pra, me është dukur me vend të përgëzoj gazetaren Lakiç. Është mirë për Malin e Zi që njerëzit e çdo lloj fushe, që kryejnë veprimtari publike, të njihen nga publiku ndërkombëtar si njerëz që meritojnë çmime të caktuara ndërkombëtare. Me këtë nuk kam asnjë problem. Në të njëjtën kohë, kjo rrethanë nuk më pengon të them atë që kam thënë për shtëpinë mediatike Vijesti. Me këtë nuk them asgjë të re.
Nuk e di se sa mund të ndiqni nga këtu, por kjo është absolutisht e qartë: pak a shumë njerëzit, që janë pronarë të Vijesti-t, nuk e fshehin veprimtarinë e tyre politike; ata janë njerëz që shumë hapur merren me politikë nën ombrellën e mediave të pavarura…Kur thuhet diçka për politikën e ndjekur prej tyre, ata shumë shpejt theksojnë se janë media të pavarura, që do të thotë se është shumë e rrezikshme t’i kritikosh ato, sepse në këtë mënyrë rrezikon demokracinë, edhe pse ata nuk janë media të pavarura, por qendra politike dhe ata sot hapur mbledhin opozitën, me qëllim që këtë opozitë ta sjellin në pushtet me protesta revolucionare, duke mos respektuar rregullat e zgjedhjes së pushtetit në Mal të Zi e duke mos respektuar institucionet e shtetit të Malit të Zi.
Mendoj se do të ishte tej mase hipokrite dhe e papërgjegjshme që ta shohësh këtë me sy hapur e të mos flasësh për të. Ajo me të cilin kritikët e mi me sa duket kanë problem, është se unë flas publikisht për këto çështje.
Kjo nuk do të thotë aspak, se për shkak të fjalimeve të tilla ata kanë më pak të drejtë për të punuar si media të pavarura; ata kanë të drejta të pakufizuara, dhe siç e shihni, ata këtë të drejtë edhe e shfrytëzojnë. Por ajo me të cilën duhet të mësohen, është se unë nuk i përkas korit hipokrit, që vetëm përsërit që ato janë media të pavarura dhe se gjithçka që nuk na pëlqen tek ato, duhet ta anashkalojmë.
Duhet të themi se mediat e pavarura i kanë të gjitha të drejtat e mundshme për të punuar, por kjo nuk do të thotë se kanë të drejtë që fshehurazi, nën mbulesën e mediave të pavarura, të përpiqen të bëhen qendra politike në vend të organeve, që kanë marrë besimin e qytetarëve në zgjedhje. Unë mendoj se ky është çmontim i sistemit, kjo është jo e natyrshme dhe se çon në udhë të gabuar që në fakt rrezikon atë që është zhvillimi demokratik i shoqërisë.