BESNIK MUSTAFAJ/ Romani “Lisi plak dhe shkëmbi” i shkrimtares bashkëkohore greke Noelle Barkshire u botua në shqip vjeshtën e kaluar nga “Toena”, me një përkthim shumë të mirë të Kristo Pullas. Titulli është shkëputur nga një varg i Homerit dhe jo rastësisht, jo thjesht për metaforën e bukur që ngërthen vendosja pranë e pranë e dy fjalëve, të cilat ashtu evokojnë shumë më tepër se një copëz nga peizazhi i përjetshëm. Siç në një pjesë muzikore vendosja e kohës dhe shenjave të tjera në hyrje të pentagramit përcaktojnë tonin dhe frymën e melodisë në vazhdim, edhe vargu i Homerit në titull paralajmëron tonin dhe frymën e qëllimtë homerike, që do ta përshkojë romanin nga fillimi në fund.

Noelle Barkshire                                         Noelle Barkshire

“Lisi plak dhe shkëmbi” është nga ato romane, që në letërsinë frënge janë quajtur “roman – lumë” për nga afresket e gjera që ndërton. Me këtë roman, Noelle Barkshire shfaqet megjithatë po kaq edhe si një pasardhëse moderne e Çarls Dikensit. Por rrënjët më të forta, më të qëndrueshmet të konceptit romanesk të Noelle Barkshire janë në letërsinë e madhe greke, në damarin jetëdhënës që lidh Homerin me Niko Kazanzaqisin. Në këtë trashëgimi estetike, ajo i jep rëndësi parësore historisë, që do të tregojë. Autorja i vendos vetes paraprakisht si qëllim që lexuesi të jetojë me rrëfimin e saj gjatë leximit të romanit dhe më pas të mbajë mend çfarë u ka ndodhur personazheve të saj, të mbajë mend epokën dhe gjeografinë ku është zhvilluar fati i këtyre personazheve, të mësojë apo edhe të përfytyrojë vetë sipas rastit edhe arsyen e këtij fati. Në një perspektivë të tillë shpalosen marrëdhëniet e Noelle Barkshire me të vërtetën, e cila nuk është doemos e vërteta e saj si autore, por është gjithmonë e vërteta e personazheve të saj. Kjo autonomi e së vërtetës letrare bën të mundur që vetë subjekti i romanit të shndërrohet natyrshëm në kujtesë të lexuesit, duke nxjerrë kështu në pah mjeshtërinë e lartë të autores.

Romani tregon fatin e grekëve të Turqisë osmane, si shtjellohet dhe ndërthuret ky fat jo vetëm në Izmir e krahinat përreth, por edhe në Qipro e deri në Athinë. Është e njëjta temë që e gjejmë edhe në disa nga prozat më të fuqishme të Kazanzaqis. Por në shkrim Noelle Barkshire është vetvetja. Me Kazanzaqis ajo bashkohet përsëri vetëm në rezultatin përfundimtar, kur subjekti i romanit kthehet në kujtesë për lexuesin, gjë që ndodh edhe me subjektin e “Krishti u kryqëzua përsëri”, për shembull. Fjala është për një kujtesë që nuk ilustron historinë reale, por zbulon thelbin e saj të padukshëm, e bën këtë histori të jetueshme nga njerëz dhe jo nga marioneta të imagjinatës.

Dhe meqë jemi te historia, do thonë se fati i grekëve të Turqisë osmane në përmbyllje të jetës së kësaj perandorie ishte thellësisht dramatik. Thelbi i padukshëm i kësaj drame historike, ku depërton autorja e romanit “Lisi plak dhe shkëmbi” e që nuk mund të gjendet në monografitë e historianëve, sado të pasura e me fakte të jenë ato, është natyrshmëria e ekzistencës njerëzore përballë fatit. Pavarësisht nga marrëdhëniet shpesh të ndërlikuara, që personazhet e romanit kanë me njëri–tjetrin e që nuk janë aspak marrëdhënie parajsore, ata kanë megjithatë një cilësi të përbashkët: dashurinë e pashtershme për jetën.

Është një dashuri që kërkon një fuqi të madhe shpirtërore për t’u afirmuar. Për të na çuar te zanafilla e kësaj fuqie shpirtërore, autorja ka marrë fragmente nga Odisea, jo si citime, por i ka përvetësuar, duke i bërë pjesë organike të narracionit të vet romanesk. Kështu drama, si skenë letrare, nuk është produkt i përplasjes së personazheve me njëri–tjetrin. Atë e bart secili personazh brenda vetes dhe e jeton sipas mënyrës së tij. Rrjedhimisht, asnjë zgjidhje nuk mund të vijë nga jashtë. Drama është qerthulli ku personazhet, sado shumë ta duan njëri–tjetrin, nuk mund ta ndihmojnë e sado shumë ta urrejnë njëri– tjetrin, nuk mund ta asgjësojnë.

lisi

Një qasje e tillë e Noelle Barkshire ndaj dramës si mundësia sipërore e personazhit për ta treguar vetveten e vërtetë ushqehet pikërisht tek ai damari jetëdhënës që lidh imagjinatën e Homerit me imagjinatën e Kazanzaqis. Duke qëndruar përsëri te historia do thënë gjithashtu se kjo e grekëve te “Lisi plak dhe shkëmbi” është mirëfilli histori politike po aq sa ç’është politike historia e treguar nga Homeri për grekët dhe trojanët. Personazhet nuk e zgjedhin atë.

Ata madje nuk kanë asnjë rrugëdalje për t’i ikur asaj. Por as nuk kërkojnë ndonjë rrugëdalje “ilegale” për t’i ikur kësaj historie. Ata e pësojnë këtë histori politike, të paracaktuar në disa qendra shumë larg tyre, qendra që sigurisht nuk janë Olimpi, gjë që ata e dinë mirë sepse nuk jetojnë në mitologji. Ata jetojnë me vetëdije të kthjellët në kohën e tyre – fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, – por qendrat ku paracaktohet politika, dramën e së cilës e pësojnë, i shohin të paarritshme nga fuqia e tyre ndikuese njësoj siç shihnin paraardhësit e tyre antikë Olimpin.

Ata as nuk përpiqen t’i përshtaten kësaj historie politike dhe as t’i kundërvihen asaj. Personazhet e këtij romani synojnë vetëm të ruajnë sjelljen e tyre njerëzore brenda dramës, një sjellje që u mundëson t’i marrin sa më shumë jetës që u është dhënë, pa u ndjerë as viktima dhe as heronj. Qoftë si viktima e qoftë si heronj, hapësira e të jetuarit do t’u ngushtohej e, për pasojë, do t’u varfërohej përditshmëria. Këto personazhe e marrin jetën siç ju vjen. Ata nuk synojnë të ngjallin te lexuesi as keqardhje e mëshirë me vuajtjet e tyre të pamerituara e as adhurim me guximin e tyre. Është një fatalizëm pa filozofi, siç është fatalizmi arkaik mesdhetar. Kjo lloj korace individuale e mbron secilin si nga euforia e shpresës, edhe nga dëshpërimi i zhgënjimit. Për t’i dhënë formë gjithë kësaj ngrehine, shkrimtares i është dashur një punë shumë e madhe, veçanërisht me detajin. Noelle Barkshire ia ka dalë mbanë.