Gjykata Kushtetuese e Bavarisë ka konfirmuar ligjshmërinë e ndalimit nga Bavaria që gjykatëset e prokuroret të mbajnë shami koke. Ajo bëri të ditur më tej se prania e kryqeve në sallat e gjyqit është një çështje tjetër.
Debati për kryqin
Grupi islamik pati argumentuar se ndalimi i shkel të dyja ligjet, meqenëse simboli i krishterë i kryqit qëndron i varur në sallat bavareze të gjykatave. Këtë argument gjykata nuk e pranoi. Ajo iu përmbajt qëndrimit se prania e kryqeve është një çështje tjetër, meqenëse për të vendos administrata e gjykatave dhe ajo nuk hedh dyshim për neutralitetin e gjykatësve dhe prokurorëve si individë. Gjykata shpalli më tej se ndalimi nuk i diskriminon gratë, sepse janë të ndaluara edhe objekte të tjera me përmbajtje fetare, të cilat i mbajnë burrat.
Debat i gjatë
Çështja e mbajtjes së shamive të kokës nga gratë myslimane, veçanërisht nga nëpunësit civilë, ka qenë objekt debati prej shumë vitesh në Gjermani. Në një kontribut tjetër në këtë debat, zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar CDU/CSU në parlamentin gjerman, Carsten Linnemann përsëriti një thirrje të dëgjuar dendur kohët e fundit, për të ndaluar në të gjithë Gjermaninë shaminë e kokës për vajzat nën moshën 14 vjeç.
Vajzat duhet të kenë mundësinë që të rriten me të njëjtat liri si djemtë, i tha Lindeman së përditshmes Rheinische Post në një intervistë të publikuar të hënën. Lindemann ka qenë së fundi në grupin e redaktorëve të një antologjie me titull “Islami politik nuk bën pjesë në Gjermani” dhe është pjesë e një grupi që nxit politika më të ashpra integruese.
Plan i diskutueshëm
Vitin e kaluar, qeveria e landit më të madh nga numri i popullsisë në Gjermani, Rini-Verior – Vestfali, i hapi rrugën një plani për të miratuar një ligj, i cili ndalon që vajzat nën moshën 14 vjeç të mbajnë shami koke në shkollë në fund të vitit 2019. Kritikë të shamisë së kokës e shohin atë si simbol të shtypjes së grave myslimane. Ajo mund të sinjalizojë më tej një afëri për besime më fundamentaliste. Të tjerë e shohin ndalimin e shamisë së kokës si ndërhyrje në të drejtat personale./DW