Uashingtoni po fokusohet gjithnjë e më shumë tek Venezuela, ku është intensifikuar lufta për pushtet mes Nicolas Maduros dhe kreut të opozitës Juan Guaido, i cili është njohur nga më shumë se 50 vende, përfshirë SHBA, si president i përkohshëm i vendit. Zyrtarët amerikanë besojnë se ditët e Maduros janë të numëruara, por po minimizojnë mundësinë e ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelën e pasur me naftë, ku kolapsi ekonomik ka shkaktuar uri, mungesa shërbimesh dhe migrim masiv.
Ndërprerjet e shumta të energjisë elektrike e kanë bërë të ndalet një shtet tashmë i gjunjëzuar, duke rënduar katastrofën humanitare që ka detyruar më shumë se tre milionë venezuelianë të largohen nga vendi.
“Duam energji elektrike. Këtë kërkojmë. Të kthehet energjia”, thotë banorja e Karakasit Stefany Contreras.
Nicholas Maduro, njeriu që pasoi majtistin Hugo Chavez si president në vitin 2013, fajëson Uashingtonin për trazirat në Venezuelë.
“Po përballemi me agresionin më të rëndë nga imperializmi amerikan që Venezuela ka parë në tërë historinë e saj 200-vjeçare”, thotë Maduro.
Të dielën, një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë përshkroi atë që mendon se do të ndodhë me Maduron.
“Shpresoj që e ardhmja e tij do të jetë në një plazh të bukur diku larg nga Venezuela”, tha zoti John Bolton.
Por Këshilltari i Sigurisë Kombëtare la të kuptohet se do të jenë venezuelianët ata që do të garantojnë fitoren e udhëheqësit të opozitës Juan Guaido.
“Ka biseda të panumërta në mes të anëtarëve të kuvendit dhe pjesëtarëve të ushtrisë në Venezuelë ku ata flasin për atë që mund të ndodhë, se si forcat e armatosura mund të mbështesin opozitën … Mendoj se momenti është në anën e Guaidos”.
Ligjvënësit amerikanë po japin gjithashtu mesazhet e tyre për Venezuelën.
“Lufta juaj për lirinë dhe rivendosja e demokracisë është lufta jonë. Bota e lirë nuk ju ka harruar dhe nuk do t’ju harrojë”, tha senatori republikan Marco Rubio.
“Zyrtarë të regjimit të Maduros: nëse doni të ardhme në Venezuelë, dhe nëse doni të ardhme pa sanksionet amerikane që do t’ju ndjekin kudo në botë, atëherë duhet të njihni presidentin e përkohshëm legjitim, Juan Guaido, dhe nuk duhet t’i lyeni duart me gjak”, tha senatori demokrat Bob Menendez.
Shumë demokratë mbështetin sanksionet që administrata Trump ka vendosur mbi regjimin e Maduros, por thonë se ndërhyrja e armatosur amerikane nuk duhet të jetë një alternativë.
“Diskutimet e papërgjegjshme për veprime ushtarake në të vërtetë çimentojnë dhe inkurajojnë diktatorët … Interesi i vetëm që kemi është paqja, liria dhe demokracia për popullin venezuelian. Kjo është e gjitha”, tha senaotir demokrat Tim Kaine.
Diplomati më i lartë amerikan për Venezuelën kërkoi të siguronte ligjvënësit se nuk po merren në shqyrtim veprime ushtarake.
“Sigurisht që nuk është e dëshirueshme dhe nuk është rruga që po ndjek administrata”, tha Elliott Abrams, përfaqësuesi i posaçëm i SHBA për Venezuelën.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar, zoti Bolton tha se Presidenti Trump po i mban “të gjitha opsionet në tryezë” lidhur me Venezuelën. Të dielën, ai nuk pranoi të bënte ndonjë parashikim.
“Do të shohim çfarë do të ndodhë,” tha ai.