Kryetari i partisë më të madhe opozitare në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se Qeveria aktuale duhet t’i ndryshojë qëndrimet dhe sjelljet e saj, karshi partnerëve evropianë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ne jemi munduar që qeverisjes aktuale t’ia bëjmë me dije se duhet t’i ndërrojë qëndrimet e saj, sjelljet e saj, sepse është në interes të vendit që ne të kemi bashkëpunim më të mirë me partnerët tanë evropianë dhe veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Mustafa gjatë shënimit të 29-vjetorit të themelimit të Forumit të Gruas dhe të Rinisë të LDK-së .
Mustafa tha se LDK-ja do të japë “kontributin në thellimin e miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” dhe se Kosova ka vetëm një rrugë, “e ajo është anëtarësimi në Bashkimin Evropian”.
Ai e kritikoi Qeverinë aktuale të Kosovës, që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, se nuk po merret me problemet e qytetarëve, por, siç u shpreh ai, “po i mbulon këto probleme me disa vendime, për të cilat prapë duhet të mendojë se si t’i zgjidhë”.
“Ashtu siç i kanë marrë (vendimet) duhet që ta gjejnë çelësin për t’i zgjidhur, në mënyrë që Kosova të dalë nga ky kolaps politik dhe institucional”, tha Mustafa.
Qeveria e Kosovës, qysh në nëntor të vitit të kaluar, u ka vënë taksë 100% mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë thënë se taksa nuk është në përputhje me interesat amerikanë dhe kanë kërkuar që ajo të hiqet.
Heqjen e taksës e ka kërkuar edhe BE-ja, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dialogu për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën nuk do të vazhdojë derisa kjo taksë të jetë në fuqi.
Kryeministri i Kosovës, Haradinaj, ka thënë se taksa do të mbetet derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.