Një përqindje mjaft e lartë e studentëve shqiptarë largohen nga vendi për të ndjekur studimet. Në një pasqyrë statistikore mbi lëvizjen e studentëve në botë, Organizata e OKB për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, UNESCO, përllogarit se në 2016-ën, viti i fundit kur organizata përpiloi statistika, 17397 studentë shqiptarë u larguan nga vendi për studime jashtë. Kjo përbën një përqindje shumë të lartë për një vend me më pak se 3 milionë banorë. Në kontrast me këtë situatë, Shtetet e Bashkuara, një vend me mbi 325 milionë banorë në 2016-ën kishin 72830 studentë me studime jashtë vendit.
Një përqindje shumë më e vogël studentësh të huaj – vetëm 2115 – erdhën në Shqipëri për studime.
Sipas UNESCO-s, masa dërrmuese e studentëve shqiptarë në 2016 – gjithësej 10724 — shkuan në Itali për studime, pasuar nga 1633 që shkuan në Greqi, 886 në Turqi, 715 në Shtetet e Bashkuara, 481 në Francë si dhe vende të tjera evropiane, si dhe në Kanada, Arabi Saudite e vende të tjera, ku regjistrohen vetëm një numër i vogël studentësh. Statistika nuk përfshin shifra për studentët shqiptarë me studime në Gjermani gjatë 2016-ës, që lë të kuptohet se numri total i studentëve shqiptarë që dolën jashtë shteti për studime duhet të jetë edhe më i madh se ç’pasqyrohet në këtë statistikë.
Studentët e huaj që erdhën në Shqipëri për studime ishin kryesisht nga Italia, nga ku erdhën 449 studentë, pasuar nga Mali i Zi me 292, Serbia me 287, Maqedonia e Veriut me 188, Turqia me 155 dhe Greqia me 49 studentë.
UNESCO e përpilon këtë statistikë për të analizuar ndryshimet në preferenca për studimet e larta jashtë vendit, veçanërisht në vendet në zhvillim.