Një poster në selinë e Tubimit Kombëtar pranë Parisit, tregon Marine Le Pen duke buzëqeshur pranë Ministrit të Brendshëm italian dhe ushëheqësit të Ligës Veriore, Matteo Salvini.
“Kudo në Evropë, idetë tona po vijnë në pushtet”, lexohet në poster.
Mesazhi nuk është thjesht një aspiratë. Ndërsa nxehet fushata për zgjedhjet e Parlamentit Evropian në maj, ekspertët parashikojnë që dy udhëheqësit e së djathtës së skajshme dhe ata të lëvizjeve të tjera nacionaliste të marrin mbështetje të fortë dhe gjasat janë që pasojat në Bashkimin Evropian të jenë të ndjeshme.
“Në këto zgjedhje vetëkënaqësia do të ishte e rrezikshme”, thotë analistja Susi Dennison, e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë. Ajo vlerëson se partitë “anti-evropiane” mund të sigurojnë deri në një të tretat ose edhe më shumë të votave. “Ideja e ndryshimit, se sistemi politik është jofunksional, ka shumë peshë mes votuesve evropianë”, thotë ajo.
Edhe Le Pen parashikon një ndryshim të thellë, duke e quajtur votimin e majit, një “pikë kthese historike”.
“Bashkimi Evropian ka vdekur. Rroftë Evropa”, tha ajo në një intervistë së fundmi me gazetarët anglishtfolës.
Nëse pritshmëria e saj realizohet. Zgjedhjet do të konsolidojnë një prirje që ka sjellë euro-skeptikët në pushtet në Hungari, Itali, Austri dhe Poloni, duke dobësuar edhe më tej një Bashkim që është i tronditur nga ndasitë e brendshme dhe dalja e pritshme e Britanisë.
Në Francë, forca politike e Marinë Le Pen, është rimëkëmbur nga humbja e thellë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare para dy vitesh, duke u bërë forca kryesore opozitare në vend.
Nga periferikë në pothuajse forcë tradicionale
Dikur Tubimi Kombëtar – që e ndryshoi emrin nga Fronti Kombëtar që quhej më parë – ishte një forcë politike e jashtme, por tani pothuajse është bërë pothuajse pjesë e rrjedhës qendrore, falë dobësimit të së djathtës së qendrës dhe së majtës së qendrës në vitin 2017 dhe një zhvendosjeje të mbështetjes së votuesve në tek periferitë politike.
Në një shenjë suksesi për këtë force, partia konservatore Republikanët, ka adoptuar një pjesë të retorikës së saj të skajshme, veçanërisht për temëm e emigracionit.
Le Pen ka përfituar gjithashtu nga rënia drastike e mbështetjes për Presidentin, Emmanuel Macron dhe programit të tij reformist, që vihet re në protestat e “jelekëve të verdhë”.
Për zgjedhjet e Bashkimit Evropian, ajo ka zgjedhur luajalistin 23 vjeçar Jordan Bardella, të kryesojë listën e partisë, për të konsoliduar apelin ndaj votuesve të rinj. Anketat e fundit kanë treguar se partia e saj gëzon të njëjtën mbështetje si edhe partia e Macronit Republika në Lëvizje, megjithëse një sondazh i së premtes arrinte në përfundim se përkrahja për të po bie.
Megjithatë tradicionalisht, ajo ka pasur rezultate të mira në zgjedhjet e Parlamentit të Bashkimit Evropian, duke dalë e para në vitin 2014, me pothuajse një të katërtën e votave. Këtë radhë, Le Pen parashikon një fitore edhe më të thellë.
“Mendoj se Evropa po lëviz drejt kthimit të shteteve-kombe dhe ne jemi pjesë e kësaj lëvizjeje të madhe politike. Synimi ynë është ta kthejmë Bashkimin Evropian në një bashkëpunim mes shteteve dhe jo ky lloj super-shteti evropian”, tha ajo.
Rënie e mbështetjes për partirë pro BE
Një parashikim i Parlamentit të Bashkimit Evropian javën e kaluar, duket se e përforcon pritshmërinë e saj. Ndërsa dy blloqet kryesore të parlamentit, Kristian-demokratët dhe socoalistët do ta ruajnë epërsinë e tyre, pritet që numri i anëtarëve të tyre dhe mbështetja për ta, të bjerë.
Ndërkohë, partitë nacionaliste, përfshirë Ligën italiane partinë e Le Penit, pritet që ta zgjerojnë përfaqësimin e tyre.
Kur filluan fushatën për Parlamentin Evropian në Romë në tetor, Le Pen dhe Salvini parashikuan se fitorja e partive nacionaliste do të rikthente “logjikën” në Evropë dhe i denoncuan zyrtarët kryesorë të Komisionit Evropian, përfshirë Presidentin Jean-Claude Juncker, si “armiq të popullit”.
Ashtu si udhëheqës të tjerë populistë evropianë, të dy ata kanë kërkuar këshilla nga Steve Bannon, një skeptic i Bashkimit Evropian dhe ish-këshilltar i presidentit Donald Trump.
Populistët evropianë kanë gjetur terren tek mosbesimi, madje deri antipatia e qytetarëve ndaj BE-së që shumë e shohin si të dobët ndaj imigracionit dhe tepër burokratik.
Anketat e fundit të Eurobarometrit tregojnë se ndërsa dy të tretat e evropianëve besojnë se vendi i tyre ka përfituar nga anëtarësia në BE, shifra më e lartë ndër 35 vjet, vetëm katër ndër 10 kanë një pikëpamje pozitive ose besim tek organizata./ Zëri i Amerikës