Edhe nga Prizreni, i pari i ekzekutivit u shpreh i bindur se vendosja e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe, u ka ndihmuar prodhuesve vendor që të rrisin qarkullimin dhe shitjen.
Falënderues ndaj kryeministrit Haradinaj u shprehën edhe pronarë të kompanisë “Liri”, në Prizren, ku sipas tyre pas vendosjes së taksës, është rritur shitja dhe kanë shtuar numrin e punëtorëve.
I pari i ekzekutivit, Ramush Haradinaj u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të përkrahin produktet e Kosovës.
Haradinaj: Rritja e prodhimi flet për rritjen e vendit të punës
“Është brendi i yni, është i Kosovës, janë produkte të Kosovës dhe çfarë është e rëndësishme pra rritja e prodhimit flet për rritjen e vendit të punës, e rrit edhe buxhetin e Kosovës, rritja e qarkullimit, rritja e të gjithë investimeve, unë ju falënderoj shumë për pritje. Iu them njerëzve të Kosovës në veçanti, nëse ky produkt i joni në Kosovë, vjen në një vlerë të caktuar, 20 cent apo 30 cent, besoni që është shumë më i mirë se çdo produkt tjetër në botë për këtë çmim, sepse nuk mundet askush tjetër mallin e njëjtë me prodhu edhe me pru këtu me çmim të njëjtë që është këtu”, tha ai.
I pyetur se a ka presion për heqjen e taksës, të vendosur tre muaj më parë, ai ka mohuar një gjë të tillë.
Haradinaj: Nuk kemi presion për heqjen e taksës
“Nuk kemi presion, kemi mendime të ndryshme. Ky është një shembull shumë i vërtetë nuk po e imagjinojmë, prodhimi është rrit qind për qind këtu, pra 100 për qind kemi rritje të prodhimit, pse a jo a ka më mirë se kjo”, ka thënë ai.
Liridon Kalenderi nga kompania ”Liri”, tha se me vendosjen e taksës, kanë shtuar numrin e punëtorëve dhe se janë duke punuar me kapacitete maksimale.
Kalenderi: Kemi shtuar numrin e punëtorëve pas vendosjes së taksës
“Patëm mundësinë që t’ia prezantojmë disa pika të punës tonë, që tani po punojmë me kapacitetet maksimale, ku pas vendosjes së taksës, kemi shtuar numrin e punëtorëve, është shtuar edhe orari i punës, po punohet në tri ndërrime. Ne kemi treguar sukses të mjaftueshëm për të parë se kemi kapacitet, për zëvendësimin e produkteve të cilat kanë ardhur më herët nga Serbia. Kemi produkte shumë kualitative dhe të standardizuara, ku produktet tona kanë kaluar në shumë teste edhe në tregun evropian”, ka thënë ai.
Ndërsa, kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se kompania “Liri”, është krenaria e Prizrenit. Dy fjalë pati edhe për taksën e vendosur.
Haskuka: Shpresoj që taksa do të ndihmojë edhe më shumë në shitjen e prodhimit
“Shpresoj që taksa ka ndihmuar edhe më shumë në shitjen e prodhimit, por ne jemi për reciprocitet edhe më të plot me Serbinë, kështu që prodhimet vendore të kenë edhe më shumë vend në marketet e Kosovës”, ka thënë Haskuka.