Pakohja e gjithmonshme e ikjes së lirikut tragjik, Frederik Rreshpja
Sot mbushen 13 vite, që atë ditë të cergët shkurti të vitit 2006, ditë kur u këput të gjallët e lirikut tragjik Frederik Rreshpja. Në 66-vitet e jetës së tij, siç e pohuar më 1998-ën: “… kam qenë gjithmonë i braktisur. Kam kaluar nga një braktisje në tjetrën”. Në raste të tilla, thotë Ismail Kadare në një kapitull kushtuar Fredit në “Mëngjeset në Kafe Rostand”; mendimi i parë që të vjen lidhet me ndjesinë e fajit. Faji i vendit ku lindi, i vetë kohës, i një pjese të saj. Koha ka qenë jo e mëshirshme për Frederik Rreshpjen. Pasi ia mbylli herën e parë portat e saj, e sprapsi për herë të dytë, atëherë kur nuk pritej. Në poezinë e tij i kthehej e i rikthehej disa herë kohës. Jo për të marrë më të mirën, as për t’iu hakërryer: ç’ke që më spraps, por thjeshtë për t’i kushtuar një gjendje: marrëdhënien e tij me të” citon Kadare
Ky mishërim i së ithtës, i kujës dhe trishtimit, kjo gjënezë ndjeshmërie e formësuar nga tradita tragjike e kulturës botërore, nuk është i prirur shumë drejt së lehtës apo festives, megjithëse është i hapur ndaj mundësisë së kënaqësisë dhe misterit. Si mendje e formësuar nga mitet, nuk ka mënuar të mbrujë bashkësinë e tij ideale. Ai nget përnga terrenet e çaprazta duke dëshmuar shpirtin e vullnesës së drobitur. Ngulmon në paepjen e tij duke ndërruar më shpesh fushbetejat se sa kostumet. Prej zjarrit në shpuzë e përcëllon mishin, shpirtin e zhagit në vetmi si mbi zgarën e fatit të keq. Zoritet për gjithçka dhe askush nuk trandet ndërsa e trishta ku ka zgjedhur t’i mëkojë gjeninë e lirikut e kafshon ngadalë e papushim duke i’a shkoq dhëmbjet një e nga një e duke i lënë në shtatin e tij të drobitur plagët, plagët që e sëmbojnë po kaq sa dhe vargjet që i pikojnë si lot i njelmët në mishin e zhveshur prej mosbindjes për tu epur.
Ndësa sot në 13-vjetorin e ndarjes me poetin e ndërmendim në kujtime, ajo që rreket të mbushë këtë zgafellë të thellë të mungimit është vetmia, Zoti i tij tragjik. Është kjo fantazëm që tue na kujtu braktisjen, qaset të rrok një dhimbje që përtërihet prej zellit të modernitetit dhe shterrimit të shpirtit.
Fredi me mungimin e tij troket në portat e mbetura mbyllun; në zemrat e shkeluna prej zoritjes, hedh një çap të hutuem harrimi; në andjet e nderuna pezull, me një hukam të shterrun prej frymës që i’u këput këtu e 13 vite të shkuara, u ngrohë ftomën e ikjes; kushtron me kumbonën e përvajshme të Rrëmajve në çdo përvjetor e shterron në eshtnat e mpakuna hekash e mundimit. Prej ikjes vjen e ikjen na e kujton si shpagë të fatit që shkurem, shpresës që lëvduem e besimit që mëkuem. Vjen me ikjen e ikje na rrëfen si amshim.
Frederik Rreshpja për vete:
“Nuk e di nëse më ka mbetur ndonjë gjë në këtë botë, që të më gëzojë. Gjithë ç’kam dashur, e kam humbur. Por “Le të pyesim, nëse ai luftoi para se bota ta mundte”-, thoshte Pol Eluar. Pra, çdo gjë e kam humbur në mënyrën më serioze dhe nuk ankohem nga fati im. Kur trishtohem, shkruaj. Prandaj shkruaj shumë”
Hans Joachim Lanksch:
“Temat e tij janë humbja, dhimbja, vetmia, qi i derdh në vargje të nji individualiteti dhe bukurie prekëse”.
Moikom Zeqo thotë:
“Ai ndihej tragjikisht i vetmuar. Duket sikur arti i tij fshihet nën maskën e jetes së rëndë”
Robert Elsie :
“… që në rininë e tij Rreshpja ka qenë një poet tronditës“
Henri Izrael:
“… është një poezi tronditëse dhe me një mjeshtëri që ne amerikanëve na mungon“