Më 17 shkurt 2008, ndodhi mrekullia shqiptare e shek. XXI, Kosova dardane, në Ballkanin e mplakun, shpalli para Zotit e Planetit, aktin historik të Pavarësisë e Sovranitetit si Shteti më i ri i botës, çka, kjo kryevepër në tre plane gjeo-strategjike, përbën realisht:

E para, një plotësim të kërkuar e të vonuar të Pavarësisë Kombëtare Shqiptare të 28 nëntorit 1912 në Vlorën e Ismail Qemalit.

E dyta: një korrigjim të merituar e të pjeshëm të padrejtësive historike të Fuqive të Mëdha ndaj kombit etnik shqiptar më 1878, 1913, 1918 e deri tek Konferenca e Jaltës më 11 shkurt 1945 e Plani i 13-shes të Komisionit Badinter më 1992.

E treta: shënoi fundin (e pa mbyllun) të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë artificiale të 1918-tës, “Bashkimit Sovjetik të vogël”, diktaturës millosheviçiane, në hartën e globit.

E katërta: tregoi fuqinë amerikane e euroatlantike me zbatimin e Marrëveshjes së Rambujesë, me suksesin e ndërhyrjes ushtarake në mars-qershor 1999, me zbatimin e Rezolutës 1244 dhe me suksesin e shpalljes së Pavarësisë më 2008, duke dëshmuar se jo vetëm sa shumë ka ndryshuar Bota, por edhe duke premtuar e kontribuar që të ndryshojnë shumë edhe Kosova, si Shtet i Pavarur e Sovran në truallin etnik shqiptar, në Ballkan.

Pavarësia e Kosovës, ashtu siç ishte e pashmangshme është edhe e pakthyeshme, siç është një zgjidhje e meritë shqiptare e euro-atlantike në ecjen drejt shtetësisë së saj, mbetet edhe një angazhim diplomatik ndërplanetar në lartësimin e zhvillimit terësor e të integrimit plotor në organizmat ndërkombëtare.

Në këtë proçes historik të pandalshëm të epopesë e epokës së shtetësisë së saj, Kosova, në këto dy dekadat e fundit të kapërcimit nga shek. XX në shek. XXI, kaloi nëpër disa hapa e etapa të njëkohshme e të njëpasnjëshme:
Nga koloni e Serbisë kaloi në Protektoriat Ndërkombëtar i OKB-së dhe tashti, prej një viti, në Shtet i Pavarur e Sovran.
Nga një “çështje kryesisht shqiptare” në disa shekuj u kthye në një çështje ndërkombëtare me kulminacione më 1999 e më 2008.
Nga legjenda sllave si “djep i Serbisë” në vitet 1997 dhe 2008 u sigurua në një realitet hipotekor e jetësorë si tokë e lirë e shqiptarëve të saj etnik.
Nga ofensiva mesjetare genocidiane millosheviçiane për ta përgjakur e spastruar etnikisht si një “tokë të djegur” më 1998 e në pranverën e vitit 1999 në një ndërhyrje të parë ushtarako-politike të NATO-s për të mbrojtur tokën dhe jetën e banorëve të saj etnik e të ardhur dhe vendosjen e UNMIK-ut më 1999 e ma pas të EULEKS-it më 2008 për ta bërë tamam tokë të lirë të njerëzëve të saj të lirë, tokë të pasur të njerëzve të saj të varfër.

Sot, në këtë përvjetor, në vështrimin historik, diplomatik e juridik, merr rëndësinë e vet të pakufijshme njohja e saj horizontale nga shtete të veçanta të planetit dhe njohja vertikale nga institucione ndërkombëtare si Organizata e Kombeve të Bashkuara, Bashkimi Europian, OSCE, Këshilli i Europës, etj.

Për njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri të Kosovës kemi tri dukuri:

E para: shpallja e Pavarësisë së Kosovës e njohja e shtetit të saj, u bënë në mënyrë të sinkronizuar e të koordinuar me Uashingtonin e Brukselin, në linjën euro-atlantike SHBA-BE dhe, më ngushtësisht me vendet e të cilësuarit “Grup i Kontaktit për Kosovën”, si me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut, Republikën e Francës, Republikën Federale të Gjermanisë e Republikën e Italisë, që e kanë, në kuadrin e UNMIKU-t, në pesë administrime sektoriale gjeopolitike e ushtarake territorin e Kosovës.

E dyta, të gjitha njohjet janë kryer në planin horizontal nga 54 shtete të veçanta e nuk kemi pasë asnjë njohje vertikale, domethanë: njohje në bllok, nga ndonjë organizëm ndërkombëtar.

E treta: gjatë vitit të parë të Pavarësisë kemi pasë njohje kualitative, shtete me peshë në botën e sotme.

Këto 54 shtete që e kanë njohur Kosovën gjatë vitit të parë të pavarësisë së saj përbëjnë mbi 71 për qind të GDP-së botërore; përbëjnë 3 nga 5 vendet antare të përhershme të Këshillit të Sigurimit apo 60 për qind e tyre; përbëjnë 7 shtetet antare të Grupit të Kontaktit G-7; përbëjnë 22 nga 27 vendet antare të Bashkimit Europian apo 81.4 për qind e tyre; përbëjnë 22 nga 26 vendet antare të NATO-s apo 84.62 për qind e tyre; përbëjnë 33 nga 47 shtetet antare të Këshillit të Europës apo 70.21 për qind; përbëjnë 33 nga 56 shtetet antare në OSBE apo 62.5 për qind.

Ndër këto shtete që e kanë njohur Kosovën, disa kanë fuqi të madhe planetare si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat në vitin 2006 dhanë 22 për qind të të gjitha donacioneve botërore për OKB-në.
Ndër 10 shtetet kualitative, që e kanë njohur Kosovën, si SHBA, Japonia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Kanadaja, Koreja e Jugut, Hollanda e Australia japin mbi 64 për qind të fondeve të OKB-së.
Në vitin 2006 të 25 shtetet antare të NATO-s, që e njohën Kosovën, kishin 824 bilionë USD financime, ndërsa SHBA e vetme 528 bilionë USD.

Ndërsa, në vitin 2009, i dyti vit që niston nesër, duhet të përqëndrohemi edhe tek njohjet kuantitative, nga sa më shumë shtete të botës.

Nga 192 shtete antare të OKB-së e kanë njohur Kosovën si shtet i pavarur e sovran mbi një e treta e tyre apo 36 për qind.
Nga 57 shtete të Konferencës së Vendeve Islamike e kanë njohur vetëm 8 prej tyre (Shqipëria, Turqia, Afganistani, Senegali, Burkina Faso, Emiratet e Bashkuara Arabe, Malajzia, Sierra Leone) apo mbi 14 për qind.
Nga 22 shtete antare të Lidhjes Arabe e ka njohur vetëm Emiratet e Bashkuara Arabe apo rreth 5 për qind.
Asnjë nga 12 shtetet antare të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, ku hyjnë shtete të pavarura të ish-Bashkimit Sovjetik, nuk e ka njohur ende Kosovën.

Çështja shtrohet qartë: Kur do të pranohet Kosova si shteti i 193-të i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo merr më tepër kohë, por edhe don më shumë punë. Finalizimi sa më i shpejtë i këtij objektivi madhor krijon edhe kushte e premisa më të forta për Kosovën për t’u antarësuar në organizma të tjera ndërkombëtare.

E rëndësishme është se Kosovën, kundërshtarët e pavarësisë së saj, nuk arritën, ta formatojnë në asnjëren nga tre modelet e kohës:

Modeli i parë: ta linin si “Qipron Veriore”, që deri më sot e ka njohur vetëm Turqia, ashtu sikurse Kosovën qyshse në vitin 1991 e kishte njohur vetëm Shqipëria.

Modeli i dytë: me revoltat e inspiruara, dirigjuara e sfumuara në vitin 2004, donin ta bënin Kosovën një “Palestinë të dytë” në Ballkan, për ta penguar drejt Pavarësisë e antarësimit në OKB.
Palestinën e kanë njohur si shtet rreth një e treta e vendeve antare të OKB-së, ka përfaqësi diplomatike në të gjitha kontinetet, por në disa dekada ka arritur ta ketë vetëm statusin e vëzhguesit në OKB.

Modeli i tretë: Nuk mundën as në vitin 2008 ta kthenin ta banin Kosovën si “Taivanin”, i cili ndonëse është moshatar me OKB-në e bashkëthemelues i saj, e kanë njohur vetëm 23 shtete të botës dhe ende nuk ka dritë në horizont për të ri/qënë antare e saj.

Çështja shtrohet qartë: Kur do të pranohet Kosova si shteti i 193-të i Organizatës së Kombeve të Bashkuara? Kjo merr më tepër kohë, por edhe don më shumë punë, Finalizimi sa më i shpejtë i këtij objektivi madhor krijon edhe kushte e premisa më të forta për t’u antarësuar në organizma të tjera ndërkombëtare.

Antarësimi në OKB kërkon bohemë diplomatike, vetëlobing e lobingje të projektuara e të sforcuara, kushte politike, etj. çka faktori shqiptar në Ballkan e bota euro-atlantike në Bruksel e në Uashington.
Fatmirësisht, pavarësisht nga lufta me terrorizmin në Irak e Afganistan, lufta në mes Rusisë e Gjeorgjisë, fushata elektorale në Amerikë, kriza financiare botërore, etj. Kosova nuk ka dalë nga rendi i ditës, por as nuk ka arritur atje ku duhej të shkonte me progresin e njohjeve të reja nga shtete të ndryshme të botës, që t’i kishte hapat më të shpejtë drejt OKB-së.

Deri më tani aleanca serbo-ruse, sëbashku me aleatët politik, ekonomik, ushtarak e nostalgjik, si në Konferencën e Vendeve Islamike, në Lidhjen Arabe, në Bashkësinë e Shteteve të Pavarura (CIS), Organizatën e Vendeve të Paangazhuara (NAM), Organizata e Sigurisë Kolektive (CSTO), Organizata e Kooperimit Shangai (SCO), etj. në përballjen diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimin Europian e NATO-n, nuk kanë dalë të fituar, megjithëse kanë bërë të pamundurën nga lobingjet tek kërcenimet, etj.

Nisur nga të gjitha përballjet diplomatike në (prapa)skenë, nga kushtet në e nën tavolina pune, nga lobingjet e shteteve të veçanta apo organizma të ndryshme ndërkombëtare, e gjithë puna në këto dy dekada e në dy vitet e pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ka rezultante të vetën numrin e votave nga shtetet antare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Për antarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara duhet të kapërcehen tre pragje shifrore të votave të antarëve të saj.

Pragu i parë: Të kapet medoemos shifra 65 e njohjeve të shtetit të Kosovës.

Deri më tani, në vitet 2008 dhe 2009, na ka ndihmuar fati historik se boshti serbo-rusë me aleatët e vjetër e të rinj nuk kanë pasur fuqi të përballen me aleancat euro-atlantike dhe as nuk mund të harxhojnë aq shumë energji për të penguar antarësimin e Kosovës në OKB se kanë pasë çështjet e tyre të brendshme e të jashtme mjaft problematike, sepse do të kishin ndërmarrë ndonjë nismë aventureske për të sponsorizuar ndonjë akt apo rezolutë kundër antarësimit të Kosovës.
Për finalizimin e këtij qëllimi të mbrapshtë këtyne nuk iu duhen më shumë se 65 vota nga shtetet antare të OKB-së, një votë më shumë se një e treta e përgjithshme. Deri më tani, kjo shifër bllokuese e kërcënuese nuk po arrihet prej tyre, sepse numri i kundërshtarëvve të investiguar e të kalkuluar nuk shkon as në 50 shtete, pasi ka një numër të konsiderueshëm që kanë zgjedhur “abstenimin”, disa kanë pranuar heshtjen, disa kanë pak njohuri për çështjen e Kosovës, disa i matin ekuilibrat e forcave të tyre e të rrjedhave të kohës, etj.
Kur të kapet numri 65 i njohjeve të shtetit të ri të Kosovës atëherë do të kemi siguruar garancitë se nuk do të ketë bllokim të antarësimit të saj në OKB.

Pragu i dytë: të kapet shifra tjetër e rëndësishme, me 97 njohje të shtetit të ri të Kosovës.

Në rast se, sipas objektivit fillestar, do të ishte arritur numri 97 i njohjeve për Kosovën, atëherë nuk do të kishte asnjë shans Republika e Serbisë për ta kaluar rezolutën e saj famëkeqe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtatorin e vitit 2008, çka nuk mund t’i jepte asnjë premisë për t’iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare.

Pragu i tretë, që është edhe hap vendimtar, kërkon 128 + 1 vota, që ka për matematikë dy të tretat e numrit të përgjithshëm prej 192 shtete antare të OKB-së.

Kjo i mundëson Kosovës të jetë antari i 193-të në OKB.
Çështja, në këtë linjë, shtrohet edhe ndryshe: Në rast se Federata Ruse, si antare e Këshillit të Sigurimit e ndonjë tjetër antar i përhershëm i tij do të ndërmarrin nisma të tjera kundër njohjes institucionale ndërkombëtare të shtetit të ri të Kosovës në OKB, atëherë si do të kundërpërgjigjet faktori shqiptar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Malin e Zi, etj.
Ka një zgjidhje dy planëshe, që mund të na çojnë apo mund të shkojmë drejt saj: Zgjidhja e mundshme: Kosova të ndërmarrë një referendum mbarëpopullor lidhur me bashkimin me një shtet tjetër fqinjë.
Kjo mund të shihet në dy plane: OSE BASHKIM ME SHQIPËRINË, (brenda kufinjëve etnikë natyrorë të kombit shqiptar) OSE BASHKIM ME MAQEDONINË (brenda kufinjëve të Dardanisë së dikurshme).

Në rast se Kosovës, që është i vetmi shtet në botë që e ka hartën gjeopolitike në flamurin e saj shtetëror, edhe nëse ka arritë të sigurojnë 128 shtete + 1 për garanci diplomatike e nismëmarrëse, nuk do t’i sigurohen kufinjtë e saj, si Mitrovica e ndonjë tjetër, nëse nuk e pranojnë në OKB, atëherë medoemos do të ndryshohen kufinjtë e Ballkanit dhe Shqipëria ose Maqedonia do të kenë fatin e madh të bashkohen me Kosovën.

Historia nuk do të mbetet peng i Serbisë dhe as e ardhmja e Ballkanit dhe e Europës së Bashkuar nuk do të mbetet në dorën e saj.

Rendi i Ri Botëror nuk do të merret me Jugosllavinë e vjetër artificiale, të krijuar më 1918-tën, pasi vetë fryma e tij e ka shpërbërë në këto dy dekada, nga viti 1991 deri më 2008.

Në të gjithë Europën e sotme vetëm shteti ishullor i Islandës nuk ka probleme etnike as brenda vetëvetes dhe as me të tjerët.
Ndërkohë, në të gjithë Europën, nuk po veprohet askund si me Kosovën përsa iu përket problematikave etnike të prejardhura historikisht apo të krijuara artificialisht.

Krijimi i Kosovës si një shoqëri multietnike është sa një e drejtë demokratike edhe një e pavërtetë historike, aqsa është një detyrim i organizmave ndërkombëtare është edhe mos obligim i tyre për përmbushjen e standarteve të kërkuara, sa ç’është një realitet i sanksionuar në planet e rezolutat e ndërkombëtarëve dhe në dokumetat kushtetuese të Kosovës është edhe një realitet i pazbatuar prej tyre.

Faktori i parë: Nga 192 shtete antare të OKB-së numërohen 147 prej tyre që e kanë përbërjen kryesore etnike apo racore më të vogël se shteti i ri i Kosovës.

Në përbërjen etnike të Kosovës, shqiptarët etnikë janë mbi 92 për qind, minoriteti serbë rreth 5.3 për qind, ndërsa minoritetet e tjera kapin mbi 2.7 për qind.
Pra, rreth 8 për qind popullsi minoritet i kanë të drejtat e tyre të sanksionuara në Kushtetutën e Kosovës e në akte ligjore të saj, në Flamurin Shtetëror, në përdorimin e gjuhëve të tyre zyrtare, në festat e shumta zyrtare, në ndarjet administrative të fundit, etj. Është e vështirë të gjesh në botën e sotme një shtet me 5.3 për qind të popullsisë pakica etno-kulturore (minoritete) dhe të kenë gjuhën e tyre për gjuhë zyrtare, siç është rasti me tepri demokratike i Kosovës.

Faktori i dytë: Në të gjithë botën e sotme, edhe në shtetet më demokratike të globit, nuk mund të gjendet një minoritet si ky i serbëve në Kosovë, që të jetë kaq i “privilegjuar”, minoriteti më i privilegjuar në botë, siç janë serbët në Mitrovicën e Veriut, në disa drejtime atributive e aksidentale politike, korruptive, financiare, etj.:
a) Është në kufinjtë gjeopolitik të Kosovës dhe e njeh për shtet të vetin, Serbinë, një shtet tjetër fqinjë.
b) Që i vetëvendosë kufinjtë e vet, që i djegë doganat e pushton gjykatat, që ua shkatërron bizneset një etnie tjetër autoktone si shqiptarëve, që nuk i lejon shqiptarët të ndërtojnë shtëpitë e veta në tokën e vet etnike, që i vret shqiptarët e ndërkombëtarët e nuk i kapën ligji as i shtetit, as i kanunit dhe as i xhunglës.
c) Që ka kontrabandë, trafiqe e korrupsionin më të lartë në Europë e nuk e kapë asnjë dënim nga UNMIK-u i OKB-së, EULEK-si i Europës dhe as nga shteti i Kosovës apo ai i Serbisë.

Faktori i tretë: Ndërkombëtarët në Kosovë e jashtë saj, të interesuar apo angazhuar për paqen e sigurinë në rajonin e Ballkanit, në Europë e në Botë, duhet të jenë më unik e aktiv, më të drejtëpërdrejtë e më të shpejtë, më qëndrestarë e efektiv në parandalimin e veprimtarisë së hapur e të fshehtë të Serbisë për të krijuar “Bosnja” në shtetet e saj fqinjë, siç po vepron në Veriun e Kosovës, në Mitrovicën e Veriut me rrethina me enklava serbe.

Faktori i katërt: Nisur nga e vërteta historike, nga e drejta ndërkombëtare, nga planet e praktikat e Serbisë e aleatëve të saj, edhe faktori shqiptar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e në Malin e Zi dhe ai në Greqi dhe në Diasporat Shqiptare në Botë, duhet të ngrejnë më shumë, më fort e më lart, zërin për të drejtat e liritë e themelore të shqiptarëve në trojet e veta etnike.

Serbia e ngrenë zërin dhe i tregon muskujt për pakicat serbe në Kosovë, e mban peng Mitrovicën e Veriut, ndërkohë i shkelë me dhunë shtetërore shqiptarët e Luginës së Preshevës (të Kosovës Lindore, përndryshe: në komunat e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës), ecën drejt spastrimeve etnike në mënyrë graduale e të pandalshme.
Por ne-Shqiptarët në Ballkan, duhet medoemos ta ngrejmë zërin jo vetëm për Mitrovicën e Veriut e Luginën e Preshevës, por edhe për krahinën shqiptare të Sanxhakut, që t’iu kujtojmë serbëve e botës së lirë se ç’genocid e spastrime etnike kanë ndërmarrë dhe realizuar ndaj shqiptarëve që nga Kongresi i Berlinit deri tek Marrëveshja e Rambujesë.

Nacionalizmit primitiv serb, të prirë nga liderë e forca radikale të bio-politikës së tyre shoviniste të përgjakshme ndaj shqiptarëve, që ngrejnë akuza deri në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për Pavarësinë e Kosovës e Luftën heroike të UCK-së, duhet t’iu kundërpërgjigjemi botërisht e me fakte të shumta.

Vetëm në periudhën nga 24 shkurti 1988 deri më 10 qershor 1999 në tokën etnike të Kosovës Dardane u shpërngulën përkohësisht apo përgjithmonë nga spastrimi etnik prej Serbisë së Millosheviçit rreth 1 milionë shqiptarë të të gjitha moshave, besimeve e gjinive. U kryen mbi 30 masakra si ajo e Reçakut, Podujevës, etj. U vranë mbi 10 mijë civilë, ku 3.400 janë të zhdukur, u plagosën 3.219 vetë, u burgosën 1.360 vetë. Sot, 2.019 nëna kosovare kanë 3.007 fëmijë të traumatizuar përjetësisht.U dogjën plotësisht e pjesërisht 1.007 fshatra, 212.314 shtëpi e objekte të ndryshme, mbi 200 objekte kulti të fesë myslimane, etj.

Greqia i shkelë të drejtat e çamëve në tokën e vetë etnike, nuk iu jep as të drejtën ligjitime të pronës, të kthimit në tokën pronësore etnike të të parëve të vet, etj. dhe e ngrenë lart zërin edhe për të vrarët e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore në tokat shqiptare tue na kushtëzue me integrimet euro-atlantike për të ngritur varreza për ushtarët e vet pushtues në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Shteti i ri i Kosovës, i shtetarit të shquar Ibrahim Rugova e luftëtarit legjendar Adem Jashari, nga janari i vitit 1878 deri më 10 qershor 1999 numëron rreth 3 milionë të vrarë nga Serbia e Madhe e krajlëve kriminelë dhe e kriminelëve krajloviç të tipit Sllobodan Millosheviç.

Shteti i ri i Kosovës, në dy dekadat e fundit, ka ecur nga Deklarata Kushtetuese për Pavarësi më 2 korrik 1990, nga Rezoluta e 22 shtatorit 1991 për shpalljen e Kosovës Shtet i Pavarur e Sovran tek Deklarata e Pavarësisë më 17 shkurt 2008; nga Kushtetuta e Kaçanikut e 7 shtatorit 1990 deri tek Kushtetuta e Kosovës e 15 qershorit 2008, nga Referendumi Mbarëpopullor i Kosovës më 26-30 shtator 1991 për shpalljen e Pavarësisë së Saj dhe deri tek ky i sivjetmi, si të thuash, “Referendum Ndërkombëtar” për njohjen e Pavarësisë së Kosovës si Shtet i Pavarur e Sovran nga 54 shtete euroatlantike e nga e gjithë bota e lirë në të 6 kontinentet.

Kosova do të jetë Shteti më i ri botës, do të jetë shteti i 193-të i OKB-së, shtet antar i Bashkimit Europian e i NATO-s, i Këshillit të Europës e i OSBE, etj., sepse i ka katër shtylla në themelitë e lartësitë e saj:

Shtylla e parë: Faktori shqiptar në Kosovë e në Ballkanin Perëndimor.
Kosova zenë vendin e parë për numrin e martirëve të lirisë e të pavarësisë kombëtare shqiptare, zenë vendin e dytë për nga potenciali demografik, ka rritjen e popullsisë më të lartë në Europë, ka moshën më të re në Europë gati dy herë më e lartë se ajo e Bashkimit Europian, etj.

Shtylla e dytë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidenti Xhorxh H. Ë. Bush e vendosi “Vijën e Kuqe” për mbrojtjen e saj. Presidenti Bill Klinton e ndërmori Luftën e 24 marsit 1999 për Lirinë e saj. Presidenti Xhorxh Ë. Bush (i Riu) e ndezi “dritën jeshile” për Pavarësinë e saj. Presidenti Barak Obama premton për integrimin e saj. Amerika derdhi e po derdhë më shumë se çdo shtet tjetër i botës, fonde e energji për ndërkombëtarizimin e saj, për luftën e saj, për mbrojtjen, zhvillimin dhe integrimin e saj në hapësirat euro-atlantike e botërore.

Amerika si vend lider i botës e i kohës së sotme, si lider i NATO-s, është garancia e sigurisë së Kosovës, është fuqia kryesore e ngritjes e çuarjes së Kosovës drejt njohjeve të reja ndërkombëtare, drejt antarësimit në Bankën Botërore (BB) e në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), drejt antarësimit në OKB, etj.

Shtylla e tretë: Bashkimi Europian.
Ky organizëm ndërkombëtar e ka Kosovën “Modelin e Vet”. BE vetëlobon për njohjen ndërkombëtare të Kosovës si Shtet i Pavarur e Sovran dhe e ka e marrë përsipër rindërtimin e zhvillimin e saj me Misionin EULEX, me përfshirjen në EURO-ZONË, me investime, etj.

Shtylla e katërt: është vet OKB.
Sipas Rezolutës 1244, nga 10 qershori 1999 deri më 17 shkurt 2008, OKB e çoi Kosovën nga Liria në Pavarësi, si të vetmin vend në botë si “Protektoriat Ndërkombëtar” të saj. Misioni i saj UNMIK i OKB po ia lenë stafetën e përgjegjësisë historike Misionit EULEX të Bashkimit Europian. Agjensi të ndryshme të OKB po japin kontribute në Kosovë, etj.

Shtylla e pestë: Është vetë NATO në Kosovë.
NATO ka 10 vjet si mburojë e garanci e Lirisë e Pavarësisë së Kosovës dhe Kosova është rasti i parë i ndërhyrjes ushtarako-politike të NATO-s në një vend sovran si ish Jugosllavia e mbetur. Kosova është shembulli më i mirë i suksesit të NATO-s.

Këto shtylla të kohës, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian, si NATO e OKB, janë shtylla që e mbajnë botën e sotme në ekuilibra e progrese, ndaj do ta lartësojnë edhe Kosovën e pavarur e sovrane, e cila tregoi në këto dy dekadat e fundit se sa shumë ka ndryshuar Bota.
Kjo Botë Ndryshe, në vitet që vijnë, ndoshta më 2013 apo më 2014, do të tregojnë se sa shumë do të ndryshojnë Kosova e krejt Kombi Shqiptar në Ballkan, se sa shumë do të ndryshojnë edhe vet Vlora e Ismail Qemalit, Vlora e Flamurit të Pavarësisë Kombëtare Shqiptare të Nëntorit 1912, Vlora e Kaninës dhe e Sazanit, Vlora e Shqiptarisë.

Vlorë, 17 shkurt 2009

_______________________
Referat i mbajtur nga studiuesi Ramiz Lushaj, në Simpoziumin Shkencor të organizuar nga Instituti i Studimeve Politike “Ismail Qemali”(me president dr. Bujar Leskaj, deputet, ish ministër i Kulturës, Rinisë e Sporteve) dhe Bashkia e Qytetit të Vlorës, më 17 shkurt 2009, ne nje vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës