1. Tek shikoja sot një çift të moshuarish, që duke u mbajtur dhe mbështetur tek njëri-tjetri, (shkonin për diku), me vetëtiu në mendje një dialog i famshëm, në ca vargje të një këngës sonë të vjetër.
-U plake mike, u plake,
Rëndë i heq ato çorape.
-U plake mik, edhe tinë,
Mbete si kau në brinjë.
Në një grusht fjalë ka një botë të tërë ndjenjash. Ka dashuri dhe brengë, mall dhe dhimbje, vëzhgim të imtë të tjetrit, fanepsje kujtimesh dhe eros të vagullt, dëshira të zvetnuara dhe pikëllim. Ka vegime të rinisë, kur i kujtohet se ajo nusja e dikurshme i hiqte shpejt çorapet, (element erotik zhveshja). Ka aty dhe pak cinizëm të lehtë të gruas, (humor pak i zi), që mbasi ndjehet keq që ai i kujton pleqërinë, nuk le pa ia kthyer se dhe ai kot i sheh tashmë heqjen e çorapeve, se është i plogët e i pafuqishëm, ka mbetur si kau në brinjë. Megjithatë fjalët e tërë kësaj kënge janë disi të thinjura, të lehta, të purpurta, mbështjellë me pezmatimin e asaj që s’kthehet më.
Por sa ç’më trishton kjo këngë, aq më gazmon, mbasi ato të dy janë në jetë, ngrihen e ngrysen të dy bashkë, Asnjeri “s’ka mbetur rrugës”. E çojnë pleqërinë e tyre ngadalë, duke folur e shpotitur njëri-tjetrin. Në një farë mënyre kjo është dhe këngë dashurie, dhe jo vetëm trishtimi.
Fundja e fundit ky është preludi i jetës.
2.Diku nga 1992, një çift të rinjësh çuditi opinionin italian. Ngjitjen e tyre në altar e dhanë gjatë mediat dhe i bënë diskutime pa fund nëpër forume. Një vajzë 19 vjeçare, infermiere në një spital të Milanos, nga një pakujdesi e saj e shërbimit, transmeton virusin AIDS tek një pacient, bashkmoshatar i saj. Nga dhimbja e madhe vajza vendos ta shpërblejë të sëmurin me dashurinë e saj, dhe shkojnë në kishë e venë kurorë. Djalit, gjesti i vajzës iu duk tepër sublim, dhe dashurinë e saj e përjetoi më shumë dhe më fort, se sa tmerrin e alarmit të vdekjes.
3. Para ca ditësh diplomohet në Itali, 82 vjeçari Italo Spinelli, nga Macerata. Kishte 5 vite që pati humbur të shoqen (Angela), që e donte shumë. Dhe nga ajo kohë, Spinelli vendosi të studiojë filozofi dhe teologji, (pra hyri në Universitet), që të zgjidhte një pikpyetje të madhe që kishte në vete. Donte të mësonte, nga tërë ato libra dhe dije të mëdha e të pafund se, a do të mund ta takonte përsëri të shoqen, Angela-n, atje në botën e përtejme? E kishte marrë shumë malli.
OH SA DASHURI TE FORTA, dhe me të tjera na bëjnë të kuptojmë përherë e më tepër shenjtërinë e dashurisë, asaj ndjenje aq të fortë, që ka mrekulluar pa fund, ka frymëzuar aq ndjenja dhe histori, apo dhe tronditur pa masë miliona e miliona njerëz.