Udhëheqësi i opozitës në Venezuelë dhe presidenti i vetë-shpallur i përkohshëm, Juan Guaido bëri thirrje për dy ditë protesta këtë javë në përpjekje që ushtria të kalojë në mbështetje të tij. Udhëheqësi i sfiduar prej tij, Nicolas Maduro ka hedhur poshtë një ultimatum të Bashkimit Evropian për zgjedhje të parakohëshme në vend. Në një intervistë televizive të transmetuar të dielën, ai tha se kreu i opozitës Juan Guaido ka shkelur kushtetutën, duke u shpallur president i përkohshëm. Por Maduro ka rënë dakord për një dialog me opozitën.
Juan Guaido u bëri thirrje venezuelianëve të zhvillojnë një protestë paqësore, dy-orëshe në mesditën e së mërkurës “për të kërkuar që forcat e armatosura të bashkohen me popullin”.
Të shtunën, Guaido kërkon që mbështetësit e tij “në çdo cep” të vendit dhe globit të dalin në rrugë, një lëvizje që përputhet me afatin e vendosur nga Bashkimi Europian për shpalljen e zgjedhjeve të reja.
“Në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, të shtunën ne do të jemi në rrugët e Venezuelës dhe të mbarë botës për të përqafuar mbështetjen e dhënë nga Bashkimi Europian për popullin venezuelian, por edhe për të mbështetur ultimatumin e dhënë (për Maduron nga disa vende evropiane) që skadon të dielën. BE-ja në mënyrë të qartë njeh jo vetëm Asamblenë Kombëtare, jo vetëm kushtetutën tonë, por edhe kompetencën e plotë të presidencës kalimtare”.
Në një intervistë me CNN-in turk, e cila u transmetua të dielën, Maduro tha se gjykatat e larta dhe autoritetet gjyqësore të vendit do të përcaktojnë nëse Guaido ka shkelur ligjet e Venezuelës. Ai hodhi poshtë kërkesën e Bashkimit Evropian për të mbajtur zgjedhje të reja dhe demokratike, ose në të kundërt, Evropa do të njohë Guaidon si president të përkohshëm të Venezuelës.
“Venezuela do të vazhdojë në rrugën e saj – për fat të mirë ne nuk varemi nga Evropa. Dhe ato qëndrime arrogante, mbizotëruese, duke na parë nga lart, sepse ne jemi inferiorë ndaj tyre – ajo elitë evropiane nuk përfaqëson popullin evropian. E gjithë Evropa është gjunjëzuar në këmbët e (presidentit amerikan) Donald Trump, sidomos për rastin e Venezuelës “, tha ai.
Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar Maduron kundër përdorimit të forcës për të shuar opozitën ose për të sulmuar personelin diplomatik amerikan. Rusia ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për nxitjen e trazirave në Venezuelë.
“Shtetet e Bashkuara po paraqesin një lloj konfrontimi mes regjimit të Maduro dhe popullit të Venezuelës. Por kjo është larg realitetit. Pavarësisht nga situata, udhëheqësi i Venezuelës padyshim ka mbështetje të gjerë mes popullit”, tha Vasily Nebenzia, Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në Kombet e Bashkuara.
Kombet e Bashkuara bënë thirrje për një dialog për zgjidhjen e krizës politike, por venezuelianët janë të ndarë në këtë çështje.
“Si venezuelian mendoj se ne nuk duhet të jemi të dhunshëm. Mendoj se dialogu do të na ndihmojë të ecim përpara”, thotë Adrian Alvarez, punonjës në një supermarket.
“Së pari, sa herë ka pasur dialog dhe qeveria apo ajo që quhet qeveri nuk e ka respektuar dialogun? A do të bëjmë përsëri të njëjtën gjë? Jo, këtu, nuk ka asnjë shans për dialog”, thotë avokati Jose Gregorio Castillo.
Maduro ka mbështetjen e ushtrisë së Venezuelës, por atasheu i tij ushtarak në Uashington i bëri thirrje të shtunën anëtarëve të forcave të armatosura të Venezuelës të njohin Guaidon si president legjitim i përkohshëm.