Për Kosovën, i vetmi opsion është njohja reciproke brenda kufijve të sotëm

Nga Harry BAJRAKTARI*

Gjatë këtij viti, edhe pse nuk ka një datë të caktuar, pritet të përfundojnë bisedimet e stërzgjatura mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve me ndërmjetësimin e Bashkësisë evropiane. Në këto bisedime ka nevojë për një qartësi strikte se çka mund të negociohet e çka jo me Serbinë. Delegacioni i Kosovës, i cili mori votat e parlamentit, ka obligim shtetëror të reagojë ashpër ndaj ideve dhe tezave të përfolura, ngado që vijnë ato, brenda apo jashtë, që janë në kundërshtim me Kushtetutën, si ndarja e Kosovës, shkëmbimi i territoreve, korrigjimi i kufijve dhe ndaj ndonjë ideje tjetër që dëmton pavarësinë dhe sovranitetin territorial të saj. Një veprim i tillë çon në destabilizim jo vetëm të vendit tonë, por edhe të rajonit. Ndarja e Kosovës, është tezë e vjetër serbe, që është përsëritur shumë herë dhe po tentohet të futet edhe në këto bisedime në Bruksel. Ekipi ynë negociues duhet të vendosë vijat e kuqe dhe nga tavolina e bisedimeve të përjashtojë të gjitha këto tendenca të rrezikshme për Kosovën.
Kosova me Serbinë mund të bisedojë vetëm për njohjet reciproke si dy vende fqinje, të pavarura dhe sovrane. Vetëm në këtë mënyrë mund të vazhdohen bisedimet, ku në fund të tyre duhet të bëhet njohja mes Prishtinës dhe Beogradit.
Kosova ka kufijtë e vet të definuar dhe të njohur ndërkombtarisht prej shumicës së shteteve të botës, e në mesin e tyre të SHBA dhe të shumicës së vendeve të Bashkësisë Evropiane. Kufijtë e saj janë të përcaktuar me Kushtetutë dhe janë të paprekshëm. Nen 1 i Kushtetutës thotë: “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”. Çdo shtet në botë, i mbron kufijtë e vet në bazë të Kushtetutës dhe për ne kufijtë janë të shenjtë dhe të pacenueshëm.
Për këta kufij është bërë sakrificë e madhe e popullit tonë për shumë kohë, e sidomos në luftën e fundit, për të hequr zgjedhën robëruese serbe. Kanë rënë shumë dëshmorë, janë masakruar njerëz të pafajshëm të të gjitha moshave, një numër i madh i tyre edhe sot nuk dihet se ku i hodhi ushtria dhe policia serbe. Historia e këtyre kufijve është e dhimbshme dhe e prekshme, prandaj, askush nuk ka të drejtë të luajë me ta, kushdo qoftë ai, apo kushdo qofshin ata, jashtë apo brenda. Kjo çështje ka marrë fund në qershorin e vitit 1999.
Këta kufij sot i ruajnë forcat e NATO-s, aleatët tanë me të cilët e fituam lirinë dhe pavarësinë.
Tash kemi edhe ushtrinë tonë, e cila gradualisht do të ngrisë kapacitetet e saj në mbrojtje dhe do të jetë faktor paqje në rajon.
Sa i përket problemit të shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, që kanë mbetur jashtë territorit të Kosovës, politika shqiptare duhet të angazhohet dhe të bëjë presion të vazhdueshëm te Bashkësia ndërkombëtare që ata t’i gëzojnë të gjitha të drejtat që i kanë sot serbët dhe pakicat tjera që jetojnë në Kosovë.
Obligim i ynë shtetëror mbetet ta ruajmë vendin nga armiqtë tradicionalë, ta forcojmë demokracinë dhe, ajo çka është e rëndësishme, të bëhemi pjesë e NATO-s, të përqëndrohemi në zhvillimin ekonomik, të krijojmë kushte më të mira për jetë të qytetarëve dhe të ecim drejtë integrimit dhe bashkimit evropian.
Bisedimet në Bruksel kanë kuptim vetëm nëse ato përfundojnë me njohje mes Kosovës dhe Serbisë brenda këtyre kufijve dhe Kosova të marrë ulësen e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Në të kundërtën do të jetë humbje kohe.

New York
14 Janar, 2019
_______________
*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës “Illyria” në New York.