Receta e ditës/ Rizoto me pulë të mbushur me fruta të thata

Përbërësit:

oriz bazmat të zier

ananas

verë të bardhë

gjalpë të shkrirë

hudhër

lakër të kuqe

majdanoz

xaferrano

bathë të pjekura

 

Për mbushjen e pulës nevojiten: kumbulla, luleshtrydhe, kajsi të thata, manxurane, fara të qëruara.

Për salcën: pana, qepë, arrë të qëruara, konjak, gjalpë, kardhamo, lëng panxhari.

Përgatitja:

Në një tigan shtojmë pak gjalpë të shkrirë dhe e vendosim në zjarr. Mbi gjalpë shtojmë pak hudhër të prerë, majdanoz si dhe lakrën e kuqe të grirë. Të gjithë ingredientët i trazojmë së bashku, duke i shtuar edhe bathët e pjekur. I shtojmë gjithashtu pak verë të bardhë si dhe ananasin e grirë. Në momentin që alkooli ka avulluar në tigan shtojmë pak xaferano dhe vazhdojmë përzierjen. Më pas shtojmë edhe orizin gjysmë të zierë si edhe pak verë të bardhë.

Një letër kuzhine e lyejmë me gjalpë dhe mbi të hedhim pak kripë, piper te kuq, farat e lulediellit të qëruara. Mbi to do të shtrojmë gjoksin e pulës të cilën e kemi rrahur dhe e kemi përgatitur në formë filetoje.

Mbi të hedhim pak kripë dhe vendosim kumbullën, luleshtrydhen si dhe kajsinë e thatë. Në mes të tyre vendosim rozmarinën. Fileton e pulës e mbështjellim bashkë me ingredientët brenda dhe e vendosim në një tepsi për t’u pjekur në furrë. Temperature e pjekjes duhet të jetë 200 gradë, ndërsa kohëzgjatja duhet të jetë 15 minuta. Pasi pjekja e filetos është bërë në mënyrën e duhur e presim atë në rrathë roleje.

Përgatitja e salcës:

Në një tigan shtojmë gjalpin, qepën e grirë hollë, arrat e qëruara, pak kardhamo, kripë, piper të zi dhe e vendosim në zjarr që të skuqen. Sapo ingredientët kanë marrë një ngjyrë të artë, mbi to shtojmë konjakun.

Në momentin që procesi i përflakjes ka mbaruar në tigan shtojmë panën dhe e trazojmë me përbërësit. Masës së krijuar i shtojmë lëngun e panxharit. Në këtë mënyrë salca do të marrë një ngjyrë violet.

Salcën e përgatitur e vendosim në një ananas të cilit i kemi hequr pjesën e brendshme.

Në një enë të thellë vendosim orizin e zier dhe mbi të roletë e filetos së pulës. Në anë të pjatës vendosim ananasin të cilin e kemi mbushur me salcën e përgatitur.

Pjata është gati për t`u servirur.

Ju bëftë mirë!