Receta e ditës/ Byrek me pulë dhe djathë

Përbërësit:

1/2 kg petë të gatshme e 1 pulë (1,5 kg)

4-5 vezë

1/2 kg qepë të thata

1 filxhan çaji djathë kaçkavall të grirë

1/2 filxhan çaji qumësht

1 filxhan çaji margarinë të shkrirë  dhe kripë e piper

 

Përgatitja:

Lani pulën dhe ziejeni në një tenxhere me ujë të valuar dhe kripë. Hiqni shkumën e formuar gjatë zierjes dhe shtoni në tenxhere qepët e prera në feta ë holla. Lëreni pulën dhe qepët të ziejnë mirë derisa të mbeten me rreth 1 1/2 filxhan lëng.

Pasi të jetë gati, hiqeni pulën nga tenxherja dhe lëreni të ftohet pak. Pastrojeni nga lëkura dhe kocka dhe prejeni mishin në copa të vogla.

Ndërkohë lërini qepët të vazhdojnë të ziejnë, derisa të bëhen si qull. Shtoni në tenxhere qumështin dhe lërini të ziejnë për akoma 5 min.

Hiqeni tenxheren nga zjarri, hidhni djathin dhe copat e pulës dhe përziejini mirë. Rrihni lehtë vezët me pirun dhe shtojini në masën me pulë. Rregullojeni masën me pak kripë e piper.

Në një tepsi të lyer me gjalpë shtroni 5-6 petë, duke i lyer një nga një me margarinë të shkrirë. Hidhni mbushjen dhe kthejini për nga brenda anët e petëve. Nga lart shtroni petët e mbetura të lyera një e nga një me margarinë të shkrirë.

Prisni anët e petëve të sipërme që dalin jashtë tepsi së, spërkateni byrekun me pak gjalpë dhe pak ujë. Piqeni në furrë me zjarr mesatar për rreth 1 orë.

Pasi të jetë gati, lëreni të ftohet pak, prijeni dhe servireni.