Shifrat e FMN: Familjet shqiptare kanë 1.4 miliardë euro borxhe

 

Familjet shqiptare kishin në vitin 2017 borxhe që llogariten sa 11.3% e asaj që prodhon ekonomia në një vit (Prodhimi i Brendshëm Bruto-PBB). Shifra është publikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në sistemin e saj të të dhënave për borxhin global.

Në vlerë absolute, kjo shumë është rreth 1.4 miliardë euro. Në të përfshihen kryesisht kreditë në banka dhe borxhet e tjera që kanë familjarët.

Duke pasur parasysh që në Shqipëri, sipas INSTAT ka rreth 769 mijë familje, borxhi mesatar për një familje është rreth 1,800 euro.

Niveli i borxhit familjar ka mbetur i pandryshuar dy vitet e fundit, ndërsa rekordi është arritur në vitin 2008, me rreth 13% të PBB-së, duke u rritur me shpejtësi që pas vitit 2003 (shih grafikun). Më pas, ekonomia hyri në një cikël ngadalësues, si rrjedhojë e krizës globale, çka duket se çoi në tërheqjen e familjeve për të marrë hua.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, familjet shqiptare kanë një nivel të ulët borxhi. Në Kroaci, po sipas FMN, ky tregues është 34% e PBB-së, në Maqedoni 24.5%. Të dhënat për Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë mungojnë.

Në vendet e zhvilluara, borxhi i familjeve është edhe më i lartë, p.sh. në Gjermani është rreth 53% e PBB-së, në Itali 41.3%, në Suedi 88% ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gati 80%.

Sipas anketës së Bankës së Shqipërisë për gjendjen financiare dhe huamarrjen e familjeve, blerja e mallrave me pagesë të vonuar nga dyqanet është një zërat kryesorë të borxhit të familjeve shqiptare. Gjithsej, familjet që kishin një hua për të paguar në gjysmën e parë të këtij viti përbënin 28% të totalit të familjeve të anketuara, peshë kjo e njëjtë me vitin e kaluar.

 

Qëllimet kryesore të huamarrjes së familjeve janë blerja apo riparimi i pronave, zhvillimi i biznesit dhe konsumi. Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ngarkesa me borxh është e përballueshme. Për 77% të familjeve kësti mujor i huasë zë më pak se 30% të të ardhurave mujore.