Nga Raimond Kola
Një vendim i qeverisë shqiptare për transferimin tek Ministria e Turizmit të një sipërfaqe të konsiderueshme toke në vijën bregdetare Vlorë–Sarandë ka shkakuar reagimin e Ministrisë së Jashtme Greke. Përmes një deklarate të publikuar të martën Athina zyrtare tha se “shprehte shqetësimin të thellë pë vendimin e fundit të Qeverisë së Shqipërisë për të dhënë në mënyrë arbitrare Ministrisë së Turizmit, parcelat e tokës që përfshijnë pronësinë private të shtetasve grekë”. Ministria e Jashtme greke tha se “ky vendim është në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e gjykatave shqiptare”. Deklarata vijon më tej se “vendimi dhe projektligji përkatës çojnë në një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat pronësore të pakicës greke në Shqipëri”.
Veprime të tilla nuk janë në përputhje me aspiratat e deklaruara evropiane të Shqipërisë dhe janë në kundërshtim me detyrimet e saj, thuhet në deklarimin e diplomacisë greke.
Ministria e Jashtme shqiptare ende nuk ka reaguar për qëndrimin më të fundit tëdiplomacisë greke. Qeveria shqiptare kaloi në përgjegjësi administrimi të Ministrisë për Turizmin 41 sipërfaqe toke në zonat kadastrale që i përkasin vijës bregdetare Vlorë–Sarandë me qëllim përdorimin e tyre për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit.
Sipas pikës 2 të vendimit që u mor më 21 nëntor, por u publikua ditët e fundit në Fletoren Zyrtare, Ministrisë për Turizmin i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronave të paluajtshme. Vendimi parashikon gjithashtu që “Ministria e Turizmit ndalohet t’i tjetërsojë ose t’ua japë sipërfaqet në përdorim të tretëve, përveç projekteve të investimit në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit”.
Lista e pronave që i bashkëngjitet Vendimit të Qeverisë përfshin sipërfaqe në pronësi të shtetit, në pronësi private dhe të Ministrisë së Mbrojtjes në rreth 1mijë hektarë në disa nga zonat që njihen për vlerat e mëdha turistike nga Vlora në Ksamil. Procesi pason një plan të madh për zonën e bregdetit jugor të Shqipërisë miratuar nga qeveria shqiptare.