Zëri i Amerikës: Zoti Veseli, duke marrë shkas nga komentet që ka bërë sot ministri i Jashtëm gjerman, por edhe komentet e mëparshme të zyrtarëve të BE-së por edhe Shteteve të Bashkuara për çështjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe, që nuk e mbështesin këtë veprim nga ana e Kosovës, a shqetësoheni që kjo mund të dëmtojë marrëdhëniet me aleatët kryesorë të Kosovës?
Kadri Veseli: Do të punojmë t’i bindim aleatët tanë se çështja e ngritjes së taksës 100 për qind është veprim i cili ka të bëjë me sigurinë tonë nacionale, është veprim i cili ka të bëjë me respektin që duhet ta tregojë Serbia ndaj Republikës së Kosovës, Ka të bëjë me një sjellje që ka qenë për kohë të gjatë, jo korrekte e Republikës së Serbisë ndaj Kosovës. Ne nuk e dimë fare edhe mënyrën, shpeshherë edhe kualitetin e produkteve të Republikës së Serbisë. Nuk është një vendimmarrje që synon të cenojë dialogun, nuk është një vendimmarrje e cila synon të ndikojë raportet tona në të ardhmen që të kemi marrëveshje, por vërtetë Serbia, duhet të reflektojë ndaj Kosovës. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran. Nuk mund të sillet si të dojë ndaj nesh, për vet faktin se nuk respekton produktet tona dhe dokumentet e Republikës së Kosovës kur bizneset tona kur duan të eksportojnë. Ka vështirësi në qarkullimin e mallrave të Republikës së Kosovës. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë, në jemi të gatshëm të arrijmë një marrëveshje e cila në mënyrë permanente ka reciprocitetin dhe respektin e ndërsjellë si shtete të pavarura dhe sovrane…
Zëri i Amerikës: Por, a ka Kosova një objektiv të qartë, një strategji të qartë, ku do të çojë kjo? Kush do të jetë fitues nga ky qëndrim dhe a do të ketë humbës nga ky qëndrim?
Kadri Veseli: Nga ky qëndrim ka vetëm fitues në qoftë se reflektojnë të gjitha palët, për faktin se ne nuk dëshirojmë të marrim vendime të njëanshme, por Serbia është e para që ka marrë vendim të njëanshëm, duke refuzuar produktet e Republikës së Kosovës, duke ua vështirësuar punën bizneseve tona. Dhe ndoshta në momentin kur ne e kemi marrë këtë vendim, kanë ardhur këto reaksione si befasi, për vet faktin se, duhet të përgatiten masat informuese ndaj këtyre vendeve partnere se Serbia është ajo e cila refuzuar produktet e Kosovës, Serbia është ajo e cila është sjellë njëanshëm në mënyrë refuzuese ndaj Kosovës. Për shkak të raporteve, për shkak të një pragmatizmi, Kosova është munduar të tregojë çdoherë tolerancë. Në momentin kur ne kemi vepruar me masën e reciprocitetit, tani kemi këto reaksione.
Zëri i Amerikës: Kuptohet që ky verpim i Kosovës është një lëvizje politike, por a prisni ju që Serbia të ndryshoj qëndrim nga ky vendim i juaj?
Kadri Veseli: Ne presin një racionalitet më të madh të Serbisë ndaj Kosovës, i cili do të na vendos në një situatë të barabartë Kosovën e Serbinë. Ne e respektojmë shtetin serb, respektojmë mallrat serbe dhe nuk jemi kundër lëvizjes së lirë të mallrave në ekonominë e lirë të tregut, as nga Serbia as nga cilido vend. Ne kemi qenë shumë të hapur në këtë aspekt, por ajo që duhet të ndodh më tutje është të ulemi bashkërisht, të kemi një respekt për vet faktin që ne jemi shtet i pavarur e sovran dhe Serbia nuk ka asnjë të drejtë, as legale as legjitime të sillet me ne si të dëshiron. Kjo ka qenë edhe arsye pse i kam dhënë përkrahje vendimmarrjes së kryeministrit të qeverisë sonë që ta ketë këtë masë tarifore ndaj mallrave të Serbisë, jo si reaksion, jo si negativitet ndaj Serbisë por si reflektim. Serbia e Kosova janë shtete të pavarura e sovrane, hajde ta respektojmë njëra palë tjetrën
Zëri i Amerikës: Ju thoni që Kosova do të ketë negociata me Serbinë ndërkohë që ato janë pezulluar pikërisht për tarifat. Në këto negociata është hapur edhe çështja e kufijve, cili është mendimi juaj për këtë çështje?
Kadri Veseli: Kosova shkon në negociata me qëndrim shumë të hapur, Serbia duhet ta njohë Republikën e Kosovës si shtet i pavarur e sovran. Është në interesin e Serbisë për hapat përparimtar të integrimit në Bashkimin Evropian, është në interesin e paqes dhe qëndrueshmërisë për rajonin. Ne do ta respektojmë Republikën e Serbisë. Natyrshëm që do të kërkojmë që të mos kemi cenim të sovranitetit të territoreve tona, por në të njëjtën kohë edhe të funksionalitetit institucional, të keni parasysh ne nuk kemi dëshirë që të krijojmë sistem paralel në shtetin tonë.
Zëri i Amerikës: Nuk e pranoni idenë e shkëmbimit të territoreve të ngritur nga presidenti?
Kadri Veseli: Ne shumë shpejt, besoj pas 14 dhjetorit, kur do të votojmë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, do ta kemi edhe një seancë në parlamentin e Kosovës, që të futemi drejt procesit të dialogut me qëllim shumë të qartë, kemi kushtetutën, kemi territorin, do të shkojmë të bisedojmë me Serbinë si shtete të pavarura e sovrane për fqinjësi të mirë. Serbia duhet të njohë shtetin tonë, territorin që e kemi.
Zëri i Amerikës: Ju të premten pra keni votimin në parlament të disa ligjeve që lidhen me shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës. NATO dhe zoti Stoltenberg e ka kundërshtuar fuqishëm këtë, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur tjetër pozicion, pra situata është komplekse. Çfarë prisni?
Kadri Veseli: Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahin transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ne do ta votojmë me datën 14 dhjetor. Drejtimi ynë si shtet është shumë i qartë, si komb, perëndimi, Bashkimi Evropian, NATO, partneriteti shumë i veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të ecim në këtë rrugëtim të përbashkët. Po besoj shumë që zoti Stoltenberg do të ketë qëllime të mira dhe do ta kuptoj si një e drejtë legjitime e jona. Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran, përndryshe atëherë cila është logjika e funksionalitetit të shtetit tonë.
Zëri i Amerikës: Por, zoti Stoltenberg ka thënë se do të ketë pasoja nëse vazhdohet me procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës?
Kadri Veseli: Ne në takimet që kemi pasur në IOWA, një vizitë e shkëlqyeshme, takime të cilat i pata edhe sot me senatorin Peters i cili është në Komitetin e Forcave të Armatosura në Senat, ne kemi përkrahje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të lëvizim me autoritetin tonë për një ushtri e cila është e partneritetit, e NATO-s dhe qëndrueshmërisë. Kosova dëshiron jo vetëm të konsumoj paqe, por në të njëjtën kohë edhe të prodhojë paqe në rajonet tjera ku ka kriza dhe Kosova është e aftë të bëj këtë përmes forcave të veta të armatosura. Kjo do të jetë e ardhmja, e partneritetit, jo cenim të fqinjësisë. Ushtria jonë është ushtri e partneriteti, jo ushtri që cenon fqinjët. Stoltenberg më tepër do të duhet të shqetësohet me bazat ruse në Serbi në Nish, se sa me forcën e partneritetit të NATO-s e cila është e lidhur ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e NATO-s.
Zëri i Amerikës: Shqetësim ka shprehur Beogradi lidhur me krijimin e FSK-së duke e parë si një kërcënim për banorët serb në veriun e Kosovës. Juve si u përgjigjeni këtyre shqetësimeve të Beogradit?
Kadri Veseli: Serbia është e njohur tradicionalisht me aktrimin e vet që e bën edhe në rastin e tarifave reagonte se do të ketë katastrofë humanitare. Ne jemi të gatshëm që të marrim përgjegjësi ndaj qytetarëve serb në të gjithë territorin. Ajo çfarë duhet të ndodhë është që Serbia të mos i cenojë qytetarët serb në Republikën e Kosovës, të mos i shantazhoj që të largohen nga Forca e Sigurisë së Kosovës siç po e bën në shumë raste përmes organeve dhe njerëzve të errët të vet, për vet faktin që qytetarët serb të Kosovës janë qytetarë sovran dhe ne do t’i respektojmë në maksimum.