Nga Sulejman MATO
Paris Lala, marangozi i fshatit 46 vjeçar, qafëgjatë si një rosak, me sy ngjyrë shëllire, me flokët e rënë në kreshtë të kokës, kishte kohë që vuante nga reumatizma dhe veshkat, por nuk ankohej kurrë. Ajo që e detyroi atë të niste letra me ankime gjithandej, e më pas të linte fshatin e t’i binte ziles së derës sime, ishte një ndodhi e pazakontë.
I lodhur dhe i dërrmuar nga udha e gjatë tha vetëm një fjali me një zë mallëngjyes, sikur t’i kishte ndodhur hataja:-“Më përjashtuan nga partia.”
E pritëm me të gjitha të mirat, rakinë e kishte sjellur nga fshati, si zakonisht. Edhe pse lajmin e përjashtimit të tij nga Partia e kisha marrë vesh disa javë më pare, kur ngrita gotën e rakisë për mirseardhje, e pyeta:- Pa hë, qysh ndodhi?
-Si qysh!?,-u hodh përpjetë ai, sikur ta kishte pickuar grenxa. Të më vdesë ime shoqe, e të mos pranoj për ngushëllim vëllanë e saj të vetëm në shtëpi! Ka bërë vaki kjo gjë? Bëri burg? Dakord. E shleu dënimin kokërr më kokërr, edhe pse u fut e doli pa e pranuar akuzën. Ia futën. Ashtu siç ma futën mua. Tani e kanë lënë edhe pa punë. Kështu na këshillon partia. Si thua ti që je gazetar me mend, kur të vjen tjetri për ngushëllim, do ta pranosh, apo do t’i mbyllësh derën? Ku është e shkruar që kjo gjë të quhet “zbutje e luftës së klasave”? Fliste me aq pasion sa thoshje se kjo gjë i kishte ndodhur atë mëngjes. -Dhe kush ma thotë këtë, nisi të prishi buzët me përçmim, kryetari, Mustafai, që e përdor makinën e kooperativës si të tij, personale. Sekretari, (u bë dhe më zeher në fytyrë) Rakip Muçoja, që e mori të gjithë qerestenë e shkollës, dhe dhogat e shkollës, për shtëpinë e tij të re. Apo Islami ( mbylli sytë me përçmim)- brigadieri, që gruan e tij e ka për bukuri, e shkon pas fustanit të grave të tjera. Nisi t’i përflasë të tetë anëtarët e organizatës së partisë së fshatit, një e nga një…
-Këto që më thua mua, mos ua ke thënë në sy dhe atyre?
-Ua kam thënë, posi! Tundi kokën krenarisht, sikur të kishte bërë një trimëri të madhe. Madje disa herë, ta dish dhe ti, se je gazetar, mund të vish të bësh dhe ndonjë shkrim për këtë punë, ta shohësh me sytë e tu, kush e drejton kooperativën tone, ca hajdutë e ca maskarenj…Medet! Medet!
-Hë më të lumtë! -i thashë unë.-E paske bërë si burrat. Por edhe ata e paskan bërë si burrat.
-Pse, o! Dhe ti e quan gabim-o!?
-Gabim jo, Por hajde ta shohësh me dylbi teserën e partisë. Të gjetën rastin?Ta futën.
-Ma futën. E pranoj. Më kishin halë në sy. Dhe ma kishin frikën. Kur mblidheshin në kafene, kokë më kokë, flisnin “pësh-pësh” kundër meje.
-Po tani çdo të bësh?.
-Kam dërguar letra gjithandej, në Komitet të Partisë, në Komitet Qendror, në Zyrën e Komisionit të Mandateve. I kam çuar letër dhe Enver Hoxhës, por nuk kam marrë përgjigje. Vijnë e pyesin. Ata thonë, “ka zbutur luftën e klasave.” Me këtë ma kanë futur. Po unë nuk do ta lë me kaq. Ndaj erdha te ty. Të më ndihmosh. Pasi zbrazi gjithë inatin që kishte mbledhur, ngrita gotën e mirëseardhjes. Epo kusho, -Për të mira ju ardhshim!.
-Po ti kusho, do vish ca ditë andej? Do ta kalojmë mirë, për ideal të Partisë! (ky betim i kishte mbetur qysh nga koha kur ishte në Parti). E mira do qe që ti të bëje një reportazh në Zërin e popullit”. Vetëm shkrimi në “Zërin e Popullit” i bën çeço ata.
S’ ishte ide e keqe. Në muajin maj do të bëja punën fizike, mund ta kërkoja për ta bërë në kooperativën e fshatit? Me këtë rast u mbushja mendjen edhe atyre që t’a kthenin në kandidat partie. Njeri të ndershëm si Parisi nuk gjeje në asnjë fshat të Shqipërisë. Marangoz me kategori të shtatë.bënte bishta kazmash dhe lopatash, shkopinj të gdhendur me dru panje, ishte mjeshtër në hedhjen e çative. bënte edhe parmenda e zgjedha. Teserën e ruante si një dokument të shenjtë. Ia morën. Fjalën e Partisë e kishte si gjënë më të shenjtë. E përjashtuan.
Emri i tij ka një histori më vete. Në darkën e shtruar disa ditë pasi kishte lindur, së ëmës i ra në short emri Parid. Të atit, nuk i pëlqeu ky emër. Iu duk i vështirë. Ngjante me emrin Paris. Gjatë rrugës për në gjendjen civile, e harroi emrin. -Ç`emër do t’i vini djalit?” e pyeti sekretarja –Paris!-iu përgjigj ai. Ashtu i mbeti. Në pasaportë. Në vogëli e thërrisnin Dudush. Kur u rrit, shoqëria e thërriste Pari. Në ushtri, nuk e di se për çfarë arsyesh, e thërrisnin Ciu. Pas kthimit nga ushtria, e thërrisnin…Isa.
Në ditët e para të prillit mora rrugën e fshatit. Parisi(Isai), më priste gjithë gëzim. Atë natë i shkoqitëm dhe një herë të gjitha mundësitë e kthimit të tij në Parti. Kishte mbledhur një deng me akuza të reja. Për brigadier Islamin më tha që ishte bërë feminist i rrezikshëm. Për shefin e kulturës me tregoi se i kishte marrë të gjitha librat e bibliotekës në shtëpinë e vet. Për sekretarin më tregoi se po i përdorte kafshët e kooperativës për punë të vet, për kryetarin më foli disi mirë, por nuk ia falte arrogancën. Të nesërmen sa u ngrita, drejt e te zyra e kryetarit të kooperativës. Më priti me dashuri. Më hodhi dorën në krahë. Shkuam për kafe, te rrapi shekullor i fshatit..
-Ku fjete mbrëmë?
-Te Parisi. Ishte momenti për t’i folur disa fjalë të mira për kushëririn tim. -Më ka ardhur shumë keq, kur mora vesh që e kishit përjashtuar nga Partia. Parisi është hallexhi, njeri i ndershëm dhe punëtor.
-I ndershëm the? Për ndershmëri nuk gjen njeri tjetër në këto anë. Po na çau bythën! Ngriti zërin ai. Na hoqi trurin! Sa herë bënim mbledhje partie, do ngrihej i pari ai. Dhe… bam njërit, e bam tjetrit. S’la njeri pa kritikuar. Sekretarin dhe mua na bëri hajdutë, brigadjer Islamin imoral. Ky kështu, e ai ashtu. Na donte të bëheshim ëngjëj. Dhe ne, ia gjetëm rastin. I futëm një shqelm bythëve…
-Sikur ta kishit kthyer kandidat partie -i thashë unë.
-E menduam dhe atë, por do e kishim nëpër këmbë. Më mirë kështu. Tani edhe ai është i qetë. Nuk bën dot gjë. Dhe ne jemi të qetë. Nuk rregullohemi dot më. Nganjëherë, më vjen keq për të. I çova parmbrëmë me një komshi, dy litra vaj ulliri. I thashë t’ia linte te dritarja. Të nesëmren më vjen në zyrë, me dy shishet e vajit në duar. S’më la gjë pa thënë. “Doni të më bëni dhe mua si veten tuaj!” M’i la shishet mbi tavolinë, më përplasi derën dhe çau ferrën.
* * *
Nëntëdhjetë e njëshi i ndryshimeve, Parin e zuri 52 vjeçar. Çdo mëngjes shkonte tek ai klubi te rrapi, ulej i vetmuar në një qoshkë dhe vërente me kujdes gjithçka ndodhte në këtë kohë trazirash. Partinë e tij e kishte marrë lumi. Kishin lindur parti të tjera, si këpurdhat pas shiut, një duzinë partish. Teserave të kuqe nuk u afrohej më asnjeri. Po të shkoje në zyrën e partisë e të kërkoje një tesër, do të hapnin sirtarin dhe do të të thoshin:- “Teserë do ti? Merri të gjitha”.
Ditët e para të shkurtit, pllakosi epidemia e partive. Kishin lindur njëzet e një parti, brenda një nate. I pari që u shfaq në fshat, ishte një djalosh syzi i qethur kare në të dy anët, i PD-së. Veshur me një xhakovento meshini, ngjyrë e zezë. Bisedoi me ca të rinj, te klubi, i la ca tesera Nazifit, të zotit të klubit, e u largua me ngut, brenda ditës. Pas një jave ia behën emisarë të tjerë. Vinin te klubi, takonin pesë a gjashtë njerëz, u linin ca tesera dhe iknin. Po mbytej fshati me tesera partie, ndërkohë që të rinjtë e kishin mendjen për t’ia mbathur në Greqi.
Një nga këto ditë, Nazifi, si për shaka, sa e pa Parisin të hynte te dera, i thotë:-“Hajde, hajde pak, ma kanë mbushur sirtarin me tesera. Do të të jap një ?” Parisi bëri sikur nuk e dëgjoi. –Teveqeli, psherëtiu me vete. Klubi përditë rrallohej nga të rinjtë, e përditë mbushej me pleq e të papunë.
Andeti, djali i madh i Parisit, 26 vjeçar e i papunë, atë muaj vërtitej rrugëve me një “Aro” të ish kryetarit. Se ku i kishte gjetur një motor të ri, e bashkë me një shokun e tij e përdornin si taksi, fshat-qytet.
Një mëngjes, Parisit duke hyrë te klubi i fshatit, i thanë që e kërkonte sekretari i partisë..
-Ç’ne ai?-mendoi me vete dhe vrap e te zyrat e kryesisë. Demirin e pa që së largu, po fuste një baule me plaçkë në bagazhin e një Fiati të bardhë. “Më kërkove?” –Po, i tha ai duke i qeshur përzemërsisht. Tani siç e shikon, po iki edhe unë për në Greqi. Desha të të kërkoj falje. Kemi bërë gabime. E di. Fshatarë hesapi. Aq dinim.
-E mole Partinë mirë e mirë, tani po ia mbath. Ik,ik! Ik e thefsh qafën! E mallkoi me gjithë zemër duke i kthyer shpinën.
Disa ditë më vonë u shfaq në fshat një djalosh esmer. Fliste një shqipe me aksent grek. U fol që ishte përfaqësues i organizatës “Omonia”, e kishte ardhur për të shpërndarë ca karta jeshile. Kishte gjetur ca axhaminj dhe u fliste me zë të lartë. Parisit i zyri syri midis tyre, edhe Andetin.
Andeti u kthye në mbrëmje me një kartë jeshile, duke ia tundur të atit para syve. “Babi, po nisem dhe unë në Greqi, bashkë me shokë të tjerë.”
-“Vizën ku do e gjesh?
-Ja ku e kam -I tregoi kartën jeshile.
-Sa e bleve?
-Asnjë kacidhe. Duhet të siguroj pesë vota në votime, për organizatën “Omonia” Pesë vota i kemi, baba. Tre ne, dy gjyshi me gjyshen.
-Jo more! -Fytyra i mori një pamje ç`meritëse. I paske bërë hesapet mirë. Të lumtë! Ti të ikësh në Greqi e unë të votoj për grekun. Kurrë! Kurrë nuk do ta bëj këtë gjë.
Andeti nuk e kishte parë kurrë të atin kaq të dalë mendsh. Doli nga dera si somnambul, pa ditur ku shkonte.
Dy ditë më vonë , aty te klubi i fshatit, mori vesh çudinë e madhe. Brigadier Islami, ai maskarai që edhe pse e kishte gruan e tij të re, shkonte pas fustanit të grave të fshatit, ishte vetëzgjedhur sekretar i partisë socialiste.
Tani po! Tani e mori lumin Partinë. –turfullonte Parisi. Tani, ec e kërko teserën që të morën. E di unë, ai do ta bëjë partinë bordelo.