Shqetësim për arsimimin e vajzave në Shqipëri

Buxheti për arsimin në Shqipëri nuk e arrin synimin e qeverisë, pra shifrën 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Si për ironi, buxheti për arsimin parauniversitar e prekte këtë shifër në vitet 1989-1991, kur vendi ishte në vështirësi ekomomike të thellë, gjatë kalimit nga sistemi komunist në atë demokratik. Në Shqipëri një vëmendje të posaçme ka marrë në vijim arsimimi i vajzave, pasi ato janë dëmtuar mjaft nga lëvizjet demografike, emigracioni, apo problemet sociale. Analistët shohin me shqetësim fatin e atyre nënave të reja, e ardhmja e të cilave bazohet tek një dëftesë e 9-vjeçares. Ministria e Arsimit thotë se po aplikon një skemë mbështetëse për nxitjen e arsimimit të nxënësve që përfshin dhe vajzat. Materialin e përgatiti për Zërin e Amerikës gazetarja Mimoza Picari:

Çështja e arsimimit të vajzave në Shqipëri, ka qenë një problem në vijueshmëri pas viteve 90. Analistët rendisin disa shkaqe, mes të cilave, emigracionin, levizjet e brendshme demografike, shpeshherë mjaft të rrezikshme. Pjesa që u dëmtua më shumë ishin nga këto lëvizje ishin vajzat, të cilat gjithnjë e më shumë nuk arrinin të ndiqnin shkollën e mesme pas asaj 8 dhe 9 vjeçare, e cila është e detyrueshme, ose edhe ta braktisnin atë. Qëndra për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, sipas një raporti me të dhëna nga terreni, të 5-6 viteve më parë, sjell shifra tronditëse.

Altin Hazizaj, drejtues i kësaj qendre, thotë se ky raport nxori në pah, se 40% e vajzave në atë kohë nuk arrinin të shkonin në shkollë të mesme.

Edhe Ministria e Arsimit përmes zv. ministres Besa Shahini, sjell një panoramë të errët të asaj se çfarë ka ndodhur, me tërheqjen e nxënësve nga shkolla 9 vjeçare, në shkollë të mesme një dekadë më parë;

“Në vitin 2007 gati 10 mijë nxënës nuk e vazhduan shkollën e mesme pasi mbaruan atë 8- vjeçare, dhe 9 vjeçare. Sot kjo shifër është goxha e ulët. Duhej të ishte zero, por ne sërish kemi një numër diku tek 1200 nxënës, 800 prej të cilës janë vajza”, – thotë ajo.

Këto statistika mbështesin shqetësimin e shoqërise civile mbi grupin e nënave me arsim 9 vjeçar sot.

Altin Hazizaj, drejtor i Qendrës së Mbrojtjes së Fëmijëve, sqaron se këto shifra konfirmojnë se nënat e reja sot janë është shumë herë më të pa pashkolluara se nënat e tyre.

Vitet e fundit të dhënat janë më optimiste. Sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit, vihet re një ulje – ngritje e tërheqjes së vajzave nga shkolla 9- vjeçare, në shkollën e mesme. Që prej vitit 2013 dhe deri në vitin 2017, afro 9 mijë vajza nuk arritën të shkojnë në shkollë të mesme, nga afro 105 mijë që përfunduan shkollën 9 – vjeçare. Ajo që vihet re nga statistikat ështe se, janë më shumë vajza se djem, që e mbyllin arsimimin me dëftesën e 9 vjeçares.

“Prindërit nuk është se nuk duan t’i arsimojnë fëmijë e tyre, por janë faktorët e tjerë shoqërorë ata që i shpien prindërit dhe vajzat që të mos shohin të ardhme në arsim. Një nga shkaqet është siguria fizike, që do të thotë se vajzat dhe prindërit e tyre nuk ndjehen të sigurt në zonat ku ata banojnë, sepse ka grupe kriminale, ka persona që rrëmbejnë fëmijët, rrëmbejnë vajzat. Arsye tjetër është dhe pamundësia ekonmike e prindërve”, thotë Altin Hazizaj, Qëndra për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Edisa Tola, një vajzë që banon në periferi të Tiranës, nuk arriti të shkojë në shkollë të mesme disa vite më parë, për të njëjtat shkaqe që sapo renditi Zoti Hazizaj.

“Nuk kisha mundësi me e vazhdu shkollën nga ekonomia e dobët që kishim dhe e lashë. Babi pa punë dhe mami po ashtu”, – thotë ajo.

Pjesa më e rëndësishme mbetet e ardhmja e kësaj vajze dhe e mijra të tjerave si ajo, që sot kanë vetëm një dëftesë të shkollës 9 vjeçare në dorë.

Edisa Tola pohon: “ Jam në kërkim të një pune, por nuk e kam gjetur akoma. Varet dhe në fabrikë mund ta gjej, varet të shikoj”.

Altin Hazizaj thotë: “ Sot me një diplomë të shkollës 9 vjeçare mund të gjesh një punë, që nuk është profesionale”.

Protagonistë të shoqërisë civile ngrenë disa pyetje për Minitsrinë e Arsimit.

Linda Pino, e Koalicionit për Arsimimin e Fëmijëve, thotë:

“ Vazjat mbarojnë arsimin e detyrueshëm dhe më pas ku shkojnë? Çfarë politikash ka bërë Ministria e Arsimit për të siguruar, që vazjat të ndjekin arsimin e mesëm? A ua ka siguruar transportin nga venbanimi ku janë tek shkolla e mesme më e afërt?”

Zv. Ministrja Besa Shahini sqaron:

“Janë përmirësuar kushtet për të marrë pjesë në arsim. Kemi marrë masa. Sivjet për shembull tekstet shkollore janë falas për të gjithë nxënësit nga klasa e 1 në atë të 4-ët, përpara kanë qenë falas për nxënësit nga grupime të caktuara shoqërore, si me asistence sociale, apo për ata që vijnë nga familje ku një apo të dy prindërit mungojnë, për grupet minoritare, apo grupe të tjera si romë dhe egjiptianë. Tani i marrin të gjithë nxënësit e klasave 1-4, me idenë që deri në fund të mandatit t’i mbulojmë librat dhe tranpsortin për të gjithë nxënësit nga klasa e 1-rë në klasën e 9-të. Kurikulat janë shumë më të mira, tekstet shkollore janë më të mira. Është një gjë shumë më e përshtatshme për nxënësit që të marrin pjesë në arsimin e mesëm”.

Ka një studim në nivel global, thonë drejtues të OJF, për dëmin që pëson ekonomia, nëse vajzat nuk arsimohen.

Altin Hazizaj, i Qendrës për Mbrojtjen e Fëmijëve, thotë:

“Në rastin e Shqipërisë, që është një vend me zhvillim mesatar ekonomik, një dollar i investuar për arsimimin e vajzave dhe të fëmijëve përkthehet në 5 dollarë në ekonominë shqiptare”.

Por statistikat e buxhetit për arsimin janë të zymta. Si për ironi, në vitet ’89, ’90, ’91, kur ekonomia shqiptare ishte në vitet më të vështira, në kapërcyell të sistemit komunist dhe atij demokratik, buxheti për arsimin ishte më i lartë se sot.

Linda Pino, e Koalicioni për Arsimimin e Fëmijëve, thotë:

“ Pika më e lartë ku Shqipëria ka investuar për arsimin parauniversitar ka qenë në vitet ’89, ’90, ’91, kur arrinte 4-5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ka vijuar një trend në rënie.”

Zv. Ministrja Besa Shahini sqaron se buxheti për nxënës është rritur ngaqë ka rënë numri i nxënësve:

“ Por ne sërish nuk jemi aty ku synojmë, aty ky synon gjithë Ballkani pasi të gjitha shtetet e Ballkanit kanë të njëjtin problem. Synimi është të arijmë një shpenzim të buxhetit për arsim në masën 5% të prodhimit të brendshëm bruto”.

Pra sot, buxheti për arsimin nuk arrin të prekë standardin që synohet 5% të prodhimit të brendshëm bruto. Dhe cilët janë humbësit më të mëdhenj nëse shteti nuk investon apo investon pak për arsimin?

Altin Hazizaj, i Qendrës për Mbrojtjen e Fëmijëve thotë:

“Humbësit më të mëdhenj të mungesës së investimeve janë të varfërit, nuk janë shtresa e mesme dhe shtresa e lartë. Sepse shtresa e mesme jeton me arsimin, ia di vlerën arsimit. Shtresa e lartë, për shkak të gjendjes ekonomike, e ka të garantuar, me apo pa arsim të ardhmen. Pra do të thotë që vetëm investimi tek ata që janë më të varfër, përkthehet në investim si për vajzat, por edhe për grupet e tjera vulnerabël”.