Si gjithnjë, shqiptarët nuk kanë “zhgënjyer” si më pesimistët e Europës. 53% e tyre janë përgjigjur se bien dakord ose shume dakord me këtë pohim, përqindja më e lartë nga vendet e Europës dhe tre herë më e lartë sesa mesatarja europiane. Femrat janë më pesimiste sesa meshkujt shqiptarë, me përkatësisht 55% dhe 50%, që kanë rënë dakord me pohimin.
Nga vendet e rajonit, 20% e malazezëve mendojnë se jeta e tyre është e komplikuar, 34% e maqedonasve dhe 30% e serbëve. Më në terezi në Europë e kanë suedezët (vetëm 7% e shohin jetën si të komplikuar) dhe gjermanët (8%). Pas nesh, në Europë renditen rumunët (43%).
Edhe shqiptarët me të ardhura të larta (që grupohen në klasën 4) sërish nuk e gjejnë veten me 34% e tyre që janë dakord me pohimi, nga 9% që është mesatarja europiane për të njëjtin grup të ardhurash. Për klasën e parë, me të ardhura të ulëta, pohimit i janë përgjigjur pozitivisht 64% e të anketuarve shqiptarë (e dyta në Europë pas bullgarëve me 76%)/
Të gjithë shqiptarët nga të rinjtë tek të vjetrit, e shohin jetën të komplikuar, por ata që nuk gjejnë rrugëdalje rezultojnë të moshuarit. 63% e grupmoshës nga 50-64 vjeç dhe 58% e asaj mbi 65 vjeç bien dakord me pohimin se jeta është shumë e komplikuar.
Nga të rinjtë e moshës nga 18-24 vjeç, 34% e shohin jetën të komplikuar, e dyta më e lartë në Europë, pas bullgarësve (me 36%).
E lartë është përqindja e grupmoshës aktive në forcë pune që nuk shohin rrugë dalje. 47% e grupmoshës 25-34 vjeç dhe 54% e grupmoshës 35-49 vjeç pohojnë se nuk e gjejnë rrugën e tyre, një përqindje shumë më e lartë se shtetet e tjera të rajonit dhe mesatarja e BE-së.
Nga sondazhet e mëparshme rezulton se është pikërisht grupmosha e re, që ka një dëshirë të lartë për të emigruar. Sondazhi për Potencialet e Emigrimit i mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert zbuloi se 52 % e popullsisë në grupmoshën 18 – 40 vjeç dëshiron të emigrojnë nga Shqipëria, me një rritje me 8 pikë përqindje në krahasim me 2007.
Vrojtimi i Fondacionit tregoi se, rreth 50% e personave që marrin paga nga 1000-1470 euro duan të largohen. Por gjithashtu u pa se 70% e emigrantëve të rikthyer duan të largohen sërish.