Ambasada Shqiptare në Washington feston Ditën e Flamurit

-Merr pjesë dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Sh.T. Z. Hashim Thaçi –

Së bashku me miqtë tanë amerikanë dhe Trupin Diplomatik të akredituar në Uashington DC, në një atmosferë festive, ku nuk munguan elementët tanë kombëtarë, Ambasada e RSH në Uashington festoi Ditën e Flamurit dhe 106 vjetorin e Forcave te Armatosura Shqiptare.

Pritjen e nderoi me pjesëmarrjen Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dhe zyrtarë të lartë të administratës amerikane, si Zv/Asistenti i Sekretarit të Shtetit Matthew Palmer, Zv/Asistentja për Mbrojtjen Laura Cooper, Zv/Assistenti për Thesarin Larry McDonald, si dhe Shefi i Protokollit të Shtetit Amerikan. Nëpërmjet Fjalëve përshëndetëse të rastit, ata përcollën mesazhet e Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo dhe Sekretarit të Mbrojtjes James Mattis ku konfirmuan edhe njëherë rëndësinë e partneritetit të dy vendeve tona, theksuan në mënyrë të veçantë kontributin e Shqipërisë në koalicionin global kundër ISIS si dhe vlerësuan reformat transformuese që do hapin rrugën e integrimit europian.

Në fjalën e saj, Ambasadorja Faber ndër të tjera shprehu mirënjohjen e thellë ndaj SHBA-ve për mbështetjen e tyre në momentet më të rëndësishme të vendit tonë dhe vijimin e kësaj mbështetje në mënyrë të palëkundur në rrugën drejt proceseve integruese.

Edhe kësaj here nuk munguan elementët promovues për Shqipërinë, të shoqëruar me verë shqiptare Kallmet dhe ushqimet tradicionale, të cilat i dhanë aktivitetit një shije të veçantë shqiptare.

Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit kishin mundësinë e një dhurate #BirreKorca dhe #Piktura promovuese të disenjuara nga fëmijët shqiptarë me aftësi të kufizuara.

Gëzuar Festën Shqipëria jonë!